Nga Nada Dosti
Para disa ditësh, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në disa shkolla në Komunën e Ferizajt, aksion gjatë të cilit është arritur që të sekuestrohen 5 armë zjarri, dy armë-gjysmë automatike, 40 thika, 10 boksa metali, 6 mullinj për bluarje të marihuanës copë, 4 shufra metali, dhe 1 elektroshok.
Dhe ky aksion reflekton gjetjet të një dite të vetme në disa shkolla të një komune të vetme. Çfarë bilanci do kishim nëse do të llogarisnim aksione ditore përgjatë gjithë vitit në të gjitha komunat e Kosovës? Ndoshta do të na duhej të hapnim debatin e projektligjeve ashtu sikurse po ndodh në një botë paralele në Amerikën e largët.
Dhe, meqenëse ra fjala për ligje, dikush që me ligje merret dhe madje i njeh dhe i lëvron shumë mirë, është avokati Arianit Koçi, i cili në vend që të shqetësohet për këtë realitet dhe për projektligje që do ndërhynin për të parandaluar kasaphanet e mundshme (në rastin më ekstrem) dhe bullizmat (në rastin më “fatlum”) nëpër shkolla, merret me shaminë e kokës të grave kosovare dhe disa statistika imagjinare mbi rritjen e numrit të tyre. (Apo sepse “çunat janë çuna dhe duhet të mbrohen e të kallxojnë burrni, kurse gocave duhet t’iu diktohet se çka të veshin”??!!!)
Kush e ka fajin për refuzimin e lëvizjes së lirë?
Në Amerikën “demokratike” një grusht burrash bardhoshë po vendosin për fatin e më shumë se gjysmës së popullsisë amerikane, se çfarë duhet të bëjnë me trupat e tyre dhe me atë çka mundësisht do të mbartin në këto trupa. Pak a shumë të njëjtën gjë po e kërkon dhe avokati kosovar, pra t’iu diktohet grave se si të vishen, vetëm se kjo nuk përkon me idenë e tij mbi identitetin shqiptar.
Avokati në fjalë e lidhi dëshpërimin mbi mohimin e liberizimit të vizave me përkatësinë fetare të shumicës së popullatës. Por le të shqyrtojmë sëbashku faktorët kryesore, jo-imagjinarë, dhe të njohura mbarëkombëtarisht se përse Kosovës iu mohua përsër lëvizja e lirë.
Para shumë vitesh, Këshillit Europian ia dha truri të vendoste Kosovën e shkretë në të ashtuquajturën “Listë e Zezë” me arsyetimin se është “rrezik për sigurinë si potencial i mundshëm për emigrim të paligjshëm që vjen nga… Kosova”, duke theksuar në mënyrë specifike ata individë që banojnë në Kosovë, por që kanë pasaporta biometrike serbe, nga përfitimi i udhëtimit pa viza që gëzojnë mbajtësit e pasaportave serbe.
Po nëse Komisioni Europian e paska marrë me sy të keq Kosovën, atëherë perse i dha shpresa në tetor të 2009-tës?
Komisioni pranoi asokohe se qytetarët e Kosovës gjithashtu kanë nevojë për mundësi udhëtimit pa viza brenda BE-së, por theksoi se kjo mund të ndodhë vetëm kur Kosova të ketë bërë reformat e nevojshme për të reduktuar “rreziqet e sigurisë për shtetet anëtare të BE-së”.
Hapi i parë në këtë drejtim është që Kosova të sigurojë se janë marrë masa konkrete dhe efektive për përmisimin e realitetit që ka të bëjë me qytetarët e saj që jetojnë në mënyrë të paligjshme në vendet e BE-së dhe që këta të riintegrohen më pas në shoqërinë kosovare.
Komisioni gjithashtu deklaroi se do ta angazhojë Kosovën në një dialog për vizat dhe do të formulojë një strategji gjithëpërfshirëse për të ndihmuar Kosovën në kryerjen e reformave të nevojshme. Kosova duhet të përparojë krahas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të lulëzojë zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti politik. Pra, përmbledhur shkurt dhe thënë më thjeshtë: fajin për mungesën e libarilizimit e kanë shqiptarët e Kosovës që jetojnë në mënyrë të paligjshme në BE, por edhe qeveria që ka dështuar mbi zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin politik. Po të ekzistonte problemi i identitetit fetar, atëherë edhe Shqipëria me Bosnjen do të ishin futur në të njëjtin thes me Kosovën.
Feja si “kokë turku”
Po përse atëherë avokati zgjedh fenë si “kokë turku”?
Ndoshta sepse të jesh islamofob është kthyer në trend, të sjellë klikime dhe ndjekësa, të sjellë famë dhe popullaritet, kjo sepse, siç do thoshte dhe legjenda Muç Nano, muslimanët janë të ndjeshëm dhe hidhen përpjetë sa herë që kritikohen (lexo: sulmohen).
Megjithatë, a është kthimi tek feja regres apo progress, kjo është pyetje 1 milionë dollarëshe, që ende botërisht debatohet nga ekspertë të fushave të ndryshme. Por pyetja që duhet të na shqetësojë ne lokalisht është: a duam një shoqëri plot bullizëm, me armë nëpër shkolla, ku rriten me armë në dorë bullista, abuzues, dhunues dhe vrasës potencial të ardhshëm, dhe si rrjedhojë rritje vrasjesh, krimi të organizuar, trafikim armësh, trafikim qëniesh njerëzore, feminicid, etj, apo duam një shoqëri ku grave muslimane iu lejohet të praktikojnë fenë e tyre të qeta, të shohin punën e tyre, dhe të përpiqen të japin kontribut në shoqëri duke u mbështetur sidomos në vlera dhe parime? /tesheshi.com/