Është njeriu politik që me vite të tëra i qëndron pranë Ramush Haradinajt. Është dora e djathë e liderit të AAK-së, dhe vazhdon të jetë, edhe pse tani në baza ditore nuk e këshillon si më parë. Ky është Avni Arifi, i cili këtë vit është zgjedhur kryetar i degës së AAK-së në Prishtinë, dhe ka për detyrë ta fuqizojë sa më shumë këtë degë.
Arifi, në një intervistë dhënë për portalin mbarëkombëtarë tesheshi.com përveçse ka treguar se sa është e vështirë të punohet me Haradinajn, ka folur edhe për krizën aktuale politike në vend, për mundësinë e hyrjes në koalicion me PDK-në e Thaçit, për deklaratën e DASH për Demarkacionin me Malin e Zi, për manifestimet që po mban opozita në qytete të ndryshme, për atë se çfarë mund të ndodh në vitin 2016-të në skenën politike kosovare dhe çështje të tjera me rëndësi.
Intervistoi: Blendi Gashi
Si është të jesh këshilltar kryesor i Ramush Haradinajt, pra, si është të punosh me të?
Që nga zgjedhja ime kryetar dege i AAK-së për Prishtinë, unë nuk jam duke e ushtruar në bazë ditore këtë funksion, megjithatë për një kohë të gjatë kam punuar me kryetarin Haradinaj dhe vazhdoj të punoj.
Të punosh me kryetarin Haradinaj është punë shumë dinamike në të cilën në mënyrë të vazhdueshme je në terren me strukturë dhe në mesin e qytetarëve. Është punë shumë e vështirë që kërkon shumë energji dhe dedikim. Kryetari i AAK-së, për dallim nga shumë njerëz të tjerë të politikës që kam parë në këto vite, ka një mënyrë tjetër të marrjes së këshillës. Ai nuk e merr një këshillë apo ide vetëm për shkak se je këshilltar apo bashkëpunëtor i ngushtë i tij, por ai don ta shtjellojë atë deri në fund duke u përpjekur në maksimum që të kuptoj rezonimin në tërësi. Në këtë proces është shumë i hapur për ide, por njëkohësishtë shumë kërkues në arsyeshmërinë dhe vlefshmërin e saj. Nëse bindet atëherë ajo këshillë kthehet në qëndrim të tij personal dhe sfidohet me të me të mirat dhe të këqijat e saj.
Në Kosovë, ministrat kanë nga disa këshilltarë. Si e shihni ju këtë, i marrin sa për t’iu dhënë pagë, apo vërtet ju nevojitet një numër i tillë i këshilltarëve?
Te ne që nga fillimi është ndërtuar sistem i gabuar, dhe, posti i këshilltarit shihet si post që duhet të plotësohet me njerëz të strukturës partiake detyra e të cilëve është ruajtja e votës së ministrit dhe e partisë e jo ajo për të cilën është dedikuar ai post. Që të jem më i qartë: Ministrat kanë nevojë shumë për këshilltar bile ndoshta edhe më shumë sesa e lejon ligji por në formën e tanishme siç funksionon shteti asgjë nuk të duhen. Fatkeqësisht, pak ka këshilltar që mirren për të këshilluar.
Sesioni vjeshtor i Kuvendit përfundoi në një mënyrë jo të mirë. Si i keni parë ju gjithë atë çfarë ka ndodhur, duke filluar nga gazi lotsjellës, burgosja e deputetëve, futja e sigurimit në sallë dhe mbajtja e seancave në salla alternative pa opozitën?
Është shumë e dhimbshme. Është shumë e qartë që nuk ka njeri në Kosovë që mundet të jetë i kënaqur me zhvillimet në Kuvend por edhe në skenën politike në përgjithësi. Ne si vend duhet të pyesim veten: a thua çka ndodhi kështu? Çka ndodhi që një deputet apo një parti të mendojë për masa të tilla drastike në mënyrë që të ndal pushtetin të shkatërroj vendin? Besoj se përgjigjen e dinë edhe qytetarët edhe pushtetarët. Kapja e shtetit e ka mbytë debatin në këtë shoqëri dhe me mbytjen e debatit është mbytë edhe shpresën. Arroganca dhe mospërfillja ndaj qytetarit në temat që e përcaktojnë të ardhmen e çdo qytetari ka bërë që të humbet besimi se me metoda demokratike opozitare mbrohen interesat e vendit. Pushtetarët e Kosovës nuk kanë treguar asnjë vullnet politik që të dërgojnë vendin përpara pavarësisht trendeve degraduese në vazhdimësi. Asnjë debat i iniciuar nga opozita në tri mandatet e fundit që ka pas për qëllim luftën kundër korrupsionit apo krimit të organizuar nuk e ka pas asnjë efekt. Përkundrazi, sa më e zëshme ka qenë opozita aq më shumë është rritur krimi dhe korrupsioni në shoqëri.
Çfarë prisni të ndodh në fillim të vitit 2016-të, të tejkalohet kriza politike apo vazhdim të thellimit të krizës që mund të çojë në pasoja për vendin?
Me sjelljen e derisotshme të partive në pushtet nuk pres tejkalim të shpejt të krizës. Pres arrestime të reja sepse kjo qeveri ka zgjedhur dhunën si mjet për tejkalimin e vështirësive. Fatkeqësisht, nuk kanë mësuar nga gabimet e të tjerëve. Kosova mundet që të i zgjedhë këto sfida vetëm duke vendosur dialog të mirëfilltë. E që të ketë dialog të mirëfilltë qeveria duhet së pari të jetë e sinqertë me të. Nuk mundesh që dikë ta quan paradite ekstremist e pasdite ta ftosh në dialog. Përndryshe. qeveria e din saktë se si mundet ta tejkalon krizën.
DASH ka dalë së fundmi me deklaratë se marrëveshja me Demarkacionin me Malin e Zi është në kuadër të Kushtetutës. Si e shihni këtë deklaratë?
DASH gjatë gjithë kohës ka qenë në mbrojtje dhe avancim të interesave të Kosovës. Edhe atëherë kur raporton për krimin dhe korrupsionin në Kosovë edhe për trafikimin e edhe për proceset tjera negative në shoqërin tonë. Do të më pëlqente një entuziazëm qeveritar ndaj këtyre raporteve sic e pamë entuziazmin e djeshëm. DASH ka shprehur pikëpamjet e veta ndaj demarkacionit. Është për t’u respektuar kjo dhe ne e mirëpresim vullnetin e tyre për të ndihmuar. Por ne kemi mendim tjetër e i cili mendim vjen nga situata në terren, ekspert të pavarur dhe nga njohurit tona shekullore që kemi për vendin tonë. Besoj se një Demarkacion kredibil vetëm me një komision të pavarur ndërkombëtar mund të përcaktohet. Reagimi i djeshëm qeveritar pas raportit të DASH e vështirëson edhe më shumë mundësin që ky komision të krijohet dhe të jetë i pavarur sepse qeveria e Kosovës po reagon si të ishte qeveri e Malit të Zi. Më shumë janë gëzuar Thaçi dhe Mustafa me raportin e Dashit sesa qeveria e Malit të Zi. Është bërë vështirë të dihet kush me kë është në kontest. Është për të ardhur keq por për krerët e dy partive më të mëdha duket se më me rëndësi se të përcaktohet e vërteta është përkrahja pa rezervë për komisionin qeveritar·
Opozita e bashkuar ka mbajtur disa manifestime nëpër qytete kundër marrëveshjeve për Asociacionin e Demarkacionin. Çfarë përfiton opozita nga to?
Nuk është çështje përfitimi. Ne duam që të tërheqim vëmendjen qeverisë se këto marrëveshje nuk është që vetëm opozita nuk i përkrahë por ato nuk kanë përkrahje popullore. Janë të dëmshme dhe këto marrëveshje dhe nuk mjaftojnë numrat në parlament që Kosova të gëlltisë marrëveshje të tilla. Injorimi i këtyre manifestimeve dhe manipulimi i vazhdueshëm i numrave për pjesëmarrjen qytetare është e gabueshme.
Pushteti nuk ka gatishmëri për t’i tërheq marrëveshjet. Partitë në pushtet po ju akuzojnë që opozita po dëshiron me çdo kusht ta çoj vendin në zgjedhje. Qëndrimi juaj rreth këtyre deklarimeve?
E kemi dëgjuar më herët edhe këtë. Kur ne në janar kërkonim dorëheqjen e ministrit Jabllanoviq, reagimi i qeverisë ishte: “Opozita nuk po e kërkon dorëheqjen e ministrit por do përmbytje pushteti”. U deshën përleshje të dhimbshme në mes të protestuesve dhe policisë. U lënduan shumë nga të dy palët dhe u dëmtua prona publike. Qeveria u detyrua ta shkarkojë ministrin Jabllanoviq dhe me shkarkimin e tij u kthye normaliteti në Kosovë. Doli se opozita nuk paska pas plane të përmbysjes së pushtetit. E njëjta është tash. Fatkeqësisht, ne kemi një qeveri që përveç se është shumë e dobët apo më e dobëta që nga paslufta ajo është edhe tërësisht e papërgjegjshme.
Media të caktuara kanë shkruara këto ditë se ‘ka komunikim direkt në mes Haradinajt dhe Thaçit’, dhe se kur të fillojë procedura për zgjedhjen e Thaçit President do të fillojë edhe procedura për një koalicion shumë më të gjerë qeveritar, ku AAK-së do t’i jepet pushtet i madh në qeveri. Mund të ndodh kjo?
Është fantazi siç e thatë edhe ju e “medieve të caktuara”. Nuk është opsion futja e AAK-së në këtë qeverisje.
Sipas jush a do të lëvizin pa viza qytetarët vitin e ardhshëm apo jo?
Është vështirë të japësh një përgjigje të saktë kësaj pyetje. E para sepse ne me të vërtetë kemi një qeveri të dobët e cila thjeshtë nuk po i kryen obligimet e veta. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian doli që kanë mbetur edhe tetë kritere pa u plotësuar edhe pse krerët e institucioneve insistonin me ngulm se të gjitha janë plotësuar. Komisioni i ka dhanë një shans të dytë Kosovës. Tash së pari varet se sa shpejtë qeveria e Kosovës do të i plotësoj këto tetë kritere dhe është çështje kohe pastaj se kur do të vlerësohet pozitivisht nga komisioni. E dyta, pas vlerësimit pozitiv do të duhet pajtimi i secilit ministër të punëve të brendshme të vendeve anëtare. Është tepër e vështirë të besohet se ky proces nuk do të ketë asnjë ngecje. Me të vërtetë është vështirë të prognozohet pavarësisht faktit se populli i Kosovës nuk e ka merituar një izolim të tillë nga BE.
Për fund, si vlerësoni sondazhet që po bëhen së fundmi ku partinë tuaj e rendisin të katërtën?
Ka lloj lloj sondazhi në Kosovë. Varet kush e paguan. Ne po përpiqemi që të punojmë e rezultatin e shohim në zgjedhjet e ardhshme e të cilat me një qeverisje çfarë ka sot Kosova do të jenë shumë më shpejt se që besojmë. /tesheshi.com/