Kryeminstri Rama ka bërë opozitarin e ashpër ndaj partisë së tij, duke fshikulluar nivelet e ndryshme të mazhorancës. Fjala e tij në Asamblenë e PS-së ka qenë një tentativë për rizgjimin e vetëdijes së qeverisjes, diktuar nga “shuplaka” e studentëve, siç ka parapëlqyer ta cilësojë protestën e pazakontë, duke e vlerësuar atë si plotësisht të drejtë.
“Fjalët e mia kanë rënë në vesh të shurdhër, qeveria nuk janë ministrat, qeveria e PS janë ata që në përfaqësojnë në territor. Më vjen shumë mirë dhe është një nga gjërat më të mirëseardhura të studentëve që na u dha mundësi që me një vendim qeverie të hapim të gjithë axhendën e punës, qoftë në shërbim të tyre dhe administratës shtetërore për ata me nënta e dhjeta. Harrojeni përfundimisht që do ketë miq, shokë, krushq, vëllezër, motra, që do të futen në administrata. PS nuk kthehet në opozitë për shkak të tyre, harrojeni! Ose bëni një gjest të thjeshtë: ikni nga PS-ja! Lërini forumet, karriget, mandate dhe thoni më rregullo mikun, por nëse keni marrë mandat përfaqësimi e keni për të gjithë familjet, për të gjithë ata që u themi vota jote është detyrimi im”, tha Rama në Asamble.
I pari i qeverisë më pas paralajmëroi ndryshimin e kabinetit qeveritar, duke dhënë dhe shpjegime se pse.
“Ju ftoj që edhe ndryshimin e qeverisë ta shikoni si pjesë e reflektimit dhe kapërcimit të domosdoshëm për ta kthyer këtë mandat në mandatin e rezultateve që do e cojnë në fitoren e mandatit të tretë. Studentët na kanë treguar si do të jetë rruga për të fituar mandatin e tretë”, theksoi Rama. /tesheshi.com/