Kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, përcolli një falenderim për strukturat vartëse të tij që mundësuan zbardhjen e vrasjes së Behar Sofisë, 66-vjeçarit që u ekzekutua afro tre javë më parë në qendër të Tiranës, i konsideruar “padrino droge”.
Autorët u zbuluan, një katërshe të rinjsh, një shërbim kundrejt pagesës 50 mijë euro, por që mbetet ende e panjohur se kush është ajo kush janë porositësit.
“E ndjej detyrim moral, por edhe përgjegjësi, që si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit t’ju falënderoj dhe t’ju inkurajoj për punën e jashtëzakonshme profesionale, por edhe angazhimin fizik, pasi për 15 ditë rresht të gjithë ju keni punuar minimalisht 16 deri në 20 orë në ditë.
Puna në grup, koordinimi i veprimeve, shkëmbimi i informacioneve dhe besueshmëria mes strukturave ka funksionuar maksimalisht, duke çuar në rezultatin final zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e 4 vrasësve me pagesë.
Nëpërmjet jush, duke marrë si pikë referimi të gjithë elementët e funksionimit gjatë punës voluminoze 15-ditore, dua të inkurajoj të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit që modele të tilla bashkëpunimi, koordinimi e profesionalizmi të jenë sa më shumë, pasi zbardhja e çdo ngjarjeje kriminale, së pari çon në parandalimin e ngjarjeve të tjera dhe së dyti rrit besimin e qytetarëve te Policia, që është shumë i nevojshëm në përmbushjen sa më mirë të detyrave funksionale gjatë punës sonë.
Njëkohësisht, i kam përcjellë kolegëve të Malit të Zi, falënderimet më të sinqerta, pasi në rast se nuk do të kishim gjetur gatishmërinë dhe dashamirësinë e kolegëve tanë në Malin e Zi, nuk do të kishim bërë dot të mundur kapjen e autorit kryesor të ngjarjes, i cili fshihej në Malin e Zi. Shkëmbimi i informacionit mes nesh dhe Policisë malazeze, angazhimi serioz i tyre bëri të mundur që edhe kjo fazë e operacionit të përmbyllej me sukses”, u shpreh kryepolici Veliu. /tesheshi.com/