Bukurinë e maleve të Grykës së Rugovës e shton edhe lumi që rrjedh në mes tyre. Nga rrjedhja e ujit të Lumëbardhit të Pejës, është paralajmëruar se do të ndërtohet një hidrocentral për prodhimin e energjisë alternative i ngjashëm me atë të Deçanit. Ky paralajmërim për ndërtimin e hidrocentraleve në shtratin e Lumëbardhit të Pejës ka hasur në kundërshti të mëdha, si nga qytetarët, ekspertët e ujërave ashtu edhe nga shoqëria civile.
Kundër këtij investimi, ka dalë me një thirrje për mosndërtimin e tyre edhe Baton Begolli, që është Këshilltar për Politika Ujore nga Këshilli Ndërministror për Ujërat në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Njohësi i ujërave Baton Begolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se siç u shkatërrua Lumëbardhi i Deçanit, ashtu planifikohet të shkatërrohet edhe Lumëbardhi i Pejës.
“Me këto ‘hidrocentrale’ shkel e shko (troç profitereske) u shkatërrua Lumbardhi i Deçanit – asnjë llogari, Lepenci ku planifikohen digat për një pjesë të madhe të Anamoravës – asnjë llogari…, e tash ia paskan msy Lumbardhit të Pejës. E në anën tjetër ne u mbytem duke shëtitur nëpër komuna për të treguar se nuk kemi resurse të mjaftueshme”, ka shkruar Begolli.
Ai kërkon që për investime të këtilla të pyeten profesionistët e jo të bëhen “tuxharllëqe” me fitime afatshkurta e dëme afatgjata.
“Boll mo! A pyetet kush këtu profesionalisht a krejt tuxharlloqe me fitime afatshkurtra e dëme afatgjate?! A vjen koha tek ne kur pacienti pyet mjekun e nuk e mëson atë, nxënësi mësuesin/profesorin, politika njohësit e lëmit..?”, ka apeluar Begolli.
Komision ndërministror i Qeverisë së Kosovës, të cilin e përbëjnë disa ministri, ka marrë iniciativë për ndërtimin e hidrocentraleve në shtratin e Lumbardhit të Pejës. Ky komision planifikon ta certifikojë një investitor të huaj nga Austria, i cili do t’i investojë 97 milionë euro në këtë projekt. /tesheshi.com/