Postimet e sinqerta të Bana al-Abed nga lindja e rrethuar e Halepit bënë që ajo të fitonte më shumë se 200 mijë ndjekës në Twitter.
“Ne sot apelojmë botën, secilin prej jush, të bëjë diçka”, shkroi ajo javën e kaluar. Ndërsa mesazhi nxitimthi i lamtumirës erdhi të dielën, vetëm tre fjali të shkurtra.
“Ne jemi të sigurtë se ushtria po na pushton tani. Ne do të shihemi një tjetër ditë, botë e dashur. Lamtumirë”.
Mesazhi ishte nënshkruar “Fatemah,” nëna e Bana al-Abed, 7-vjeçares siriane që mahniti më shumë se 200 mijë ndjekës në rrjetet sociale ndërsa së bashku me familjen e saj dokumentuan betejën e tyre për mbijetesë në Halepin e rrënuar nga lufta. Fatemah tregoi se ushtria siriane po afrohej në lagjet e mbajtura nga kryengritësit ku familja e saj ishte larguar pasi iu ishte shkatërruar shtëpia gjatë një bombardimi.
Dhe më pas, faqja e Twiter-it e Banas u mbyll, papritur.
Nëna e saj e kishte hapur llogarinë në fund të shtatorit dhe Banaa – një fëmijë imcak me flokë të gjata të errëta, sy të mëdhenj kaf dhe me një zë të gëzueshëm u shndërrua në simbolin më të fundit të tmerreve që shpalosen në Siri. Ajo ndau me botën frikën e saj gjatë bombardimeve të natës, postoi fotografi të ndërtesave të fshira nga toka dhe bëri kronikën e momenteve të qeta të kaluara me vëllezërit e saj. Përdoruesit e medias sociale dhe media ndërkombëtare shpejt e vunë re praninë e saj.
Më shumë se 70 vjet pasi një adoleshente hollandeze shkroi ditarin ku përshkruante kronikën e jetës së familjes së saj që fshihej nga nazistët, Bana është bërë Ana Franku i luftës civile siriane – përveçse këtë radhë, bota po e sheh historinë të shpaloset në kohë reale, moment pas moment, pa asnjë ide sesi do të përfundojë.
Më 4 tetor, ajo qëndronte pranë një kopshti të mbushur me rrënoja. “Ky është kopshti ynë i bombarduar. Dikur luaja këtu, tani nuk ka më vend për të luajtur”, shkroi ajo.
Më 14 tetor, ajo u ul me një nga dy vëllezërit e saj të vegjël në dyshemenë e shtëpisë së tyre, duke shkruar fjalë në blloqe bosh. “Ne po shkruajmë që të harrojmë luftën”, shkroi ajo në Twitter.
Katër ditë më pas, ajo qëndronte në mes të një rruge të shembur, duke mbajtur krahët lart drejt qiellin, duke buzëqeshur me zor, veshur me bluzën e bardhë me kapuç. “Jam shumë e lumtur pasi po bie shi”, shkroi ajo.
Në 30 nëntor, ishte nëna e saj që sërish nënshkroi postimin, në një mesazh adresuar presidentit Obama: “Ne jemi një familje që vuan së bashku me shumë të tjera në Halepin Lindore. A ka ndonjë ndihmë të na largojë ne shumë larg nga fushëbeteja?”
Ja se çfarë dimë për Bana-n.
Ajo ndjen mungesën e shkollës. Ajo ëndërron të bëhet mësuese një ditë, ashtu si nëna e saj, aftësitë në anglisht të së cilës ndihmuan që llogaria e Twitterit të bëhej popullore në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera perëndimore.
Ajo do të dëshironte të shkruante një libër.
Së fundmi, i ra një dhëmb qumështi, të cilin ajo e tregoi në kamera duke qeshur: “Zana e dhëmbit është e frikësuar nga bombardimet këtu, iku me vrap në strofkullën e saj”, shkroi ajo. “Kur të mbarojë lufta, do të vijë”.
Atë, gjithashtu, e merr malli për shokët. “Kjo është shtëpia e shoqes sime e bombarduar. Ajo u vra”, shkroi ajo në fund të shtatorit, së bashku me një foto të shtëpisë së shembur. “Më merr malli kaq shumë për të”.
Asaj i pëlqen të lexojë. Falë Twitter-it, ajo u lidh me autoren J.K. Rowling, e cila i dërgoi vajzës, një kopje dixhitale të librave të saj të Herri Poterit.
Dhe sipas të gjitha gjasave, ajo është e vërtetë.
Pas vetëm një dekade revolucionare në median sociale, ka një skepticizëm natyral për personalitetet që duken ndoshta, shumë tërheqës online: sa shumë i kanë kuruar historitë e jetës së tyre për sytë tanë? A ekzistojnë vërtet? Një grup gazetarësh kanë vendosur kontakte me familjen: në tetor, NBC i filmoi ata në Halep dhe Bana me nënën e saj realizuan një bisedë në chat me BBC-në. Fatemah tha se ata nuk ishin pjesë e ndonjë grupi politik apo bamirësie, vetëm një familje normale e bllokuar në një zonë lufte.
Por, jo çdokush duket se mirëpret mesazhin. Presidenti sirian, Bashar al-Assad, i cili më parë kishte mohuar ekzistencën e Omran Daqneesh — djalit të vogël të traumatizuar që u filmua ndërsa qëndronte ulur në fund të ambulancës, mbuluar nga gjaku e pluhuri pasi ishte nxjerrë nga rrënojat e bombardimit që i vranë të vëllanë, imazh ky që bëri xhiron e botës – së fundmi tha për një gazetar danez se llogaria e Bana-s në Twitter është e ngjashme me gënjeshtrat e ushqyera nga media. “Eshtë një lojë, tashmë”, u tall Assad. “Eshtë loja e propagandës”.
Në Twitter dhe në intervistat me gazetarët, Fatemah ka shpjeguar se familja përdor një telefon dhe karikues që e merr energjinë nga dielli për të dërguar pastime sporadike. Postimet e tyre janë ripostuar me mijëra herë, dhe përgjigje kanë ardhur nga e gjithë bota – Franca, Skocia, Shtetet e Bashkuara, Australia, Peruja.
“Ne lutemi për ju”
“Ruhu, vogëlushe”
“O Zot, shpëtoje atë dhe familje e saj”
Kështu, kur prania e Bana-s u zhduk të dielën, ndjekësit e saj postuan mesazhe tërë ankth nën hashtagun #WhereIsBana.
A ishte ky fundi i historisë? Çfarë mund të bëhej për ta ndihmuar atë? Ka pasur një ndjesi urgjence dhe pafuqie. Më pas, pasditen e së hënës, llogaria papritur u rishfaq, duke postuar një mesazh tjetër të dhimbshëm: “Nën sulm. Askund ku mund të shkojmë, çdo minutë ngjan si vdekje”, shkroi Fatemah tëeeted. “Lutuni për ne”.
Ata ishin gjallë, historia e tyre vazhdonte.
Nuk ishte hera e parë që familja shkruante nën situata të tmerrshme. “E dashur botë, ne po vdesim”, shkroi Fatemah më 24 tetor, duke postuar një video të një qielli të zi që përshkohej nga shpërthimet. “Mesazhi i fundit – nën bombardime të ashpra tani, nuk mund të gjallojmë më”, shkroi ajo në 27 nëntor. “Kur të vdesim, vazhdoni të flisni për 200 mijë që janë ende gjallë brenda”.
Ana Franku kishte ndërruar jetë kur ajo u bë e famshme, dhe ajo kurrë nuk mund ta dinte se me dhjetëra milionë njerëz do të lexonin ditarin e saj. Por, Bana, nëna e saj u kanë thënë gazetarëve, se e kishin kuptuar gjithmonë që njerëz të panjohur ndiqnin fjalët e tyre. Mesazhet e saj nuk ishin argëtime private, por një apel publik për ndihmë. Ne e shohim atë, pikërisht atje, në kohë reale, duke qëndruar pranë një dritareje në një video të gjatë vetëm disa sekonda, të postuar në Twitter gjatë tetorit. Ajo ka ngulur sytë jashtë drejt një qyteti të errët ndërsa bombat gjëmojnë në distancë.
“Përshendetje botë, a e dëgjon këtë”, thotë ajo me zë të pakët. Shpatullat e saj janë të mbledhura në një bluzë të vjetër jeshile, gishtat mbyllin veshët. Nga çdo shpërthim, trupi i saj i vogël dridhet.
Kjo ishte përpara se shtëpia e saj të shkatërrohej, përpara se ajo të sëmurej, përpara se familja e saj të arratisej, përpara se llogaria e saj në Twitter të mbyllej për arsye të panjohura dhe më pas të rikthehej.
Të martën në mëngjes, një tjetër mesazh mbërrin nga Halepi, më shpresëdhënës këtë herë: “Përshëndetje, miqtë e mi, si jeni? Unë jam shkëlqyeshëm”, shkroi Bana. “Po bëhem më mirë pa mjekime dhe me shumë bombardime. Më mori malli”, shkroi ajo.
Ishte një siguri arratisëse. Orët kaluan dhe llogaria e Bana-s heshti ndërsa ndjekësit e saj shkruan lutje dhe kërkesa. Bota vëzhgonte në ekrane, duke pritur që emri i saj të rishfaqej.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/