Zhvendosja e papritur e zhvillimit të ndeshjes së 8 tetorit mes Shqipërisë dhe Serbisë, nga Shkodra në Elbasan, ka ardhur pas paralajmërimeve të agjencive inteligjente partnere se ka të dhëna për “zhvillime turbulente të pakontrolluara”.
Burime të tesheshi.com bëjnë të ditur se Kryeministri Edi Rama, ka insistuar për të mbajtur ndeshjen në Shkodër, madje janë hartuar 3 plane alternative prej kohësh për të siguruar rendin dhe qetësinë në qytetim më të madh të veriut.
Dhe sipas të gjitha të dhënave, gjithçka sipas këtyre planeve të hartuara me preçizion nga organet shqiptare të rendit publik dhe sigurisë, mund të kontrollohej dhe shkonte normalisht.
Një variant që është diskutuar ishte dhe identifikimi i të gjithë tifozëve në stadium me anë të biletave të konfirmuara me karta identiteti, të cilat kanë të gjithë elementët biometrikë.
Por kanë qenë agjencitë ligjzbatuese, të cilat i kanë sjellë kreut të qeverisë shqiptare paralajmërimin e disa parnerëve të rëndësishëm, se Shkodra konsiderohet si “vend i brishtë” i një trazimi të paparashikueshëm, i cili mund të kishte dhe pasoja jo të vogla.
Siç mësohet, agjencitë partnere kanë sjellë informacionet që vinin nga disa përgatitje prej qarqesh që synojnë një destabilizim në Ballkan. Në fakt, siç mësohet janë të njëjtët elementë që kanë organizuar dhe financuar trazirat në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë dy vite më parë. Këto qarqe financohen nga kompani jo perëndimore që veprojnë në disa vende fqinjë me Shqipërinë.
Pyetjes se a bëhet fjalë për qarqe të lidhura me Moskën, burimi i tesheshi.com refuzoi t’i përgjigjej, por tha se bëhet fjalë për kontigjente që vihen në lëvizje në mënyrë perfekte.
“Ata rrallë herë gabojnë”, theksoi burimi ynë. Shkodra, duke qenë se është një zonë kufitare dhe e ekspozuar ndaj infiltrimit subversiv, shpesh ka qenë zonë e trazimeve që kanë krijuar probleme të mëdha. Dhe një incident sado i vogël në ndeshjen Shqipëri-Serbi do të kompromentonte gjithçka të arritur prej një viti në zbutjen e marrëdhënieve pas ngjarjes në stadiumin e Beogradit.
Zyrtarisht Federata Shqiptare e Futbollit, bëri të ditur se ka qenë UEFA ajo që nuk ka pranuar zhvillimin e ndeshjes në Shkodër. “Federata Shqiptare e Futbollit informon se UEFA kërkon siguri të plotë dhe gjykon se ky takim nuk mund të zhvillohet në një stadium të ngritur rishtazi. Sipas UEFA-s, stadiumi i ri duhet testuar fillimisht në një miqësore të nivelit të lartë, e më pas mund të zhvillojë normalisht ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Për këtë arsye, ajo vendosi që takimi Shqipëri-Serbi të organizohet në ‘Elbasan Arena’. Ndërkohë, në muajin nëntor, FSHF do të sigurojë një miqësore ndërkombëtare të nivelit të lartë për ta zhvilluar në Shkodër”, tha Jona Dervishi, zëdhënëse e FSHF-së.
Por ky argument, nuk bind shumë, pasi UEFA ka pasur kohë shumë përpara për të dhënë mendimin e saj për stadiumin “Loro Boriçi”, madje edhe kur punimet nuk kishin nisur.
Siç mësohet, është e vërtetë se ka pasur kontakte të vazhdueshme mes UEFA-s, FSHF-së dhe qeverisë shqiptare, por realisht vendimi është marrë nga qeveria vetëm pas paralajmërimeve serioze të agjencive inteligjente.
Plani i Elbasanit ka qenë në fakt i hartuar që më parë si “rezervë”, por kurrë ai nuk i është bërë të ditur si një program me më shumë gjasë, pasi ka qenë vullneti i fortë i Ramës për takimin në Shkodër. Madje siç mësohet më 8 tetor, përveç Vuçiçit mund të vinte edhe ndonjë politikan i rëndësishëm i rajonit.
Por pikërisht duke parë këtë vullnet, duket se ka pasur një aktivizim të qarqeve mjaft influente në rajon për një pështjellim ballkanik.
/tesheshi.com/