Nicolas Sarkozy po rishfaq “talentet dhe pasionet” – dhe kjo po nxit dyshimet për një rikthim politik.
Ish-presidenti francez ka thënë se është gati për të botuar një libër të titulluar “Pasionet”, duke e kthyer atë në qendër të vëmendjes. Edhe ashtu, partia e tij është në kërkim të një shpëtimtari pasi ra keq në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të muajit të kaluar.
Disa zyrtarë të Les Republicains (LR), bashkëpartiakë të Sarkozisë, i kanë bërë thirrje atij që të kthehet në ribashkimin e partisë dikur të fuqishme, dështimi i të cilëve ka sjellë vota si për qendrën e Presidentit Emmanuel Macron, ashtu edhe për ekstremin e djathtë të udhëhequr nga Marine Le Pen.
Dëshira për një rikthim të Sarkozisë – shtatë vjet pasi nuk arriti të fitojë një mandat të dytë si president francez – nënvizon se sa larg shkon partia e cila synon të rikthej suksesin elektoral. Megjithëse Sarkozi është një bishë politike që gëzon tej mase popullaritet, ai tani është 64 vjeç dhe është një figurë mjaft polarizuese, madje edhe brenda partisë së tij.
Në kthesat më të thepisura në karrierën e tij politike, Sarkozi publikoi libra që vendosnin vëmendjen në atë që po ndodhte.
Askush nuk e diskuton se vetëm diçka drastike ka gjasa për të ringjallur fatin e Les Republicain-ëve. Partia që ndjek gjurmë për gjurmë linjën politike të Charles De Gaulle dhe nxori Georges Pompidou, Jacques Chirac dhe Sarkozy si presidentë, fitoi vetëm 8 përqind të votave në zgjedhjet e Parlamentit Europian.
Debati shkaktoi dorëheqjen e kreut të partisë Laurent Wauquiez, pasuar nga një seri dezertimesh partiake.
Sarkozy e udhëhoqi Francën duke i rënë për mes krizës financiare të vitit 2008, por humbi kërkesën e tij për rizgjedhje në vitin 2012. Ai humbi nga socialisti i nënvlerësuar François Hollande – që megjithatë nuk ia doli të shkurtojë papunësinë, të frenojë borxhin publik e as të rrisë fuqinë blerëse.
Ai pësoi një humbje tjetër pesë vjet më vonë, kësaj radhe në parazgjedhjet presidenciale të partisë së tij.
Ai është aktualisht figura e dytë politike më e popullarizuar në Francë, sipas një sondazhi të Paris Match.
Sarkozi sigurisht se po ushtron ndonjë ndikim nga prapa skenave. Jean Leonetti, një ish-ministër i punëve evropiane dhe shefi i përkohshëm i LR, tha se konsultohet vazhdimisht me Sarkozinë, duke e konsideruar si një “figurë mbrojtëse e partisë”.
Por Leonetti përjashtoi kthim në vijën e frontit për ish-liderin. “Unë besoj në Nicolas Sarkozy, dëgjoj atë që ai më thotë dhe atë që ai e thotë publikisht: ai nuk ka ndërmend të kthehet në skenën politike”.
Hera e fundit që LR-ja e fitoi presidencën dhe mbajti një shumicë në parlament ishte nën udhëheqjen e Sarkozy. Dhe shumica e mbështetësve partisë tani besojnë se Sarkozi do të ishte udhëheqësi më i mirë për të drejtën franceze, pavarësisht problemeve të vazhdueshme ligjore lidhur me raste të ndryshme të korrupsionit, ku ai megjithatë mohon keqbërjen.
Përgatiti nga burimet e politico.eu Arbnora Avdiu-Hoxha – /tesheshi.com/