Kosova tash e sa javë vazhdon të renditet si njëra ndër shtetet më të ndotura në botë, kjo sa i përket nivelit jo të mirë të ajrit.
Sigurisht, që kjo ndotje mbi normat e lejuara po shkakton situatë alarmante mbi shëndetin qytetarëve, ku ditëve të fundit janë detyruar të vënë edhe maska për t’u mbrojtur.
Për këtë problematikë që ka shkaktuar me të drejtë jo pak shqetësime tek qytetarët, në një intervistë për tesheshi.com, drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, tregon nga vjen ky ajër i ndotur, pra cilat janë shkaqet, ç’veprime duhet të marrin institucionet gjegjëse dhe si duhet të mbrohet qytetarët…
Intervistoi: Blendi Gashi
Kosova tash e sa javë vazhdon të renditet si njëra ndër shtetet më të ndotura në botë, kjo sa i përket nivelit jo të mirë të ajrit. Nga vije ky ajër? Cilat janë shkaqet?
Kososova sikurse i tërë rajoni ballkanik dhe evropa juglindore është duke u ballafaquar me një mot pa erëra dhe me lagështi të lartë të ajrit dhe mjegull. Kjo është duke shkaktuar tre ditët e fundit të ashtuquajturin “smog” që do të thotë tymë dhe mjegull së bashku.
Obiliqi, Prishtina, Gjilani, Prizreni, Shkupi, Manastiri, Tetova, Tirana, Elbasani, Sofja, Beogradi, Budapesti e Varshava mbrëme kishin një natë me tejkalime mbi 400 mikron për metër kub të grimcave të PM-0 dhe PM2,5 e që e zbërthyer në indeksin e cilësisë se ajrit “AQI” është në zonën e situatës së rrezikshme, pra grimca të cilat janë mjaft të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe Agjencia e Mjedisit bashkë me Institutin e Shëndetit Kombëtare alarmuan situatën duke rekomanduar qytetarët rrallimin e daljeve nga shtëpitë dhe përdorimin e maskave apo gjërave tjera për ata që veç duan ose janë të obliguar të dalin jashtë.
Kurse shkaqet për këtë ajër të ndotur janë burimet ndotëse që djegin lëndë fosile, si dhe termocentralet, transporti urban përfshirë automjetet.
Si matet niveli i ajrit dhe deri në çfarë mase konsiderohet i dëmshëm ose jo?!
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit është kompetente për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe përpunim dhe publikim të dhënash. Si agjenci kemi në dispozicion 12 stacione moderne të cilat që nga viti 2011 bëjnë matjen e ajrit.
Janë të dy llojeve, amerikane dhe japoneze dhe përcjellim situatën çdo minutë në të gjitha regjionet e Kosovës. Dy stacione janë në Prishtinë, tre në Obiliq për shkak të termocentraleve, nga një në Prizren, Pejë, Mitrovicë, Han të Elezit dhe Gjilan.
Përveç matjeve permanente marrim raporte mujore nga të gjithë operatorët e licencuar për shkarkimet që i bëjnë ata në ajër, siç janë: Feronikeli, Sharrcem, KEK e të tjerë më të vegjël.
Bazuar në të gjitha raportimet dhe matjet tona përgatisim raporte vjetore të gjendjes së mjedisit për qeverine dhe parlamentin e cila pas diskutimit siç e kisha ditë më parë në komisionin kuvendar për mjedis miratohet në parlament me rekomandime dhe shtesa edhe nga deputetët dhe publikohet në të tri gjuhët në ueb faqe dhe shtypen e shpërndahen kopje për publikun.
Gjithashtu çdo mëngjes në ueb faqen e agjencisë publikojmë regjistrimin e 24 orëshit të fundit.
Me Komisionin Evropian ka dështuar para 4 viteve instalimi i softwerit për grumbullimin e të gjitha të dhënave në një kompjuter (PC), sepse pisjet janë të tipeve të ndryshme, mirëpo brenda tre javësh mendojmë se do të funksionalizojmë me KE këtë proces dhe qytetarët do t’i kenë të paktën 5 stacionet më të rëndësishme online sikurse e kemi tani atë të Ambasadës Amerikane.
Kush është është përgjegjësi kryesorë pse qytetarët thithin këtë ajër?
Qytetarët ballafaqohen çdo dimër me këtë situatë, sepse nuk është investuar në filtrat e ri të termocentraleve, nuk është instaluar rrjeti i ngrohjes në tërë qytetin, trafiku urban i çorganizuar, ndërtime pa leje dhe më e keqja qytetarët përdorin lëndë djegese të lira dhe të papërpunuara siç është thëngjilli, peleti, dru, vajra, naftë etj.
Krejt këto janë problem që duhet t’i rregulloi qeveria përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, asaj të Industrisë dhe Tregtisë që kontrollon karburantët dhe Komuna e Prishtinës e cila thuaja se nuk ka marrë asnjë veprim.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit që ju drejtoni a ka një plan për mbrojtje?
Agjencia e Mjedisit së bashku me Institutin Hidrometeorologjik që është në kuadër të saj ka detyrë monitorimin e cilësisë së ajrit, përpunimin e të dhënave dhe plasimin në publik. Nuk ka masa të tjera që ajo i merr sepse është detyrë e Inspektoratit të Ministrisë dhe akterëve të tjerë që i përmenda më parë.
Cilat janë masat konkrete që duhet të ndërmarrin institucionet gjegjëse?
Ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, qysh në tetor ka hartuar dhe ka nënshkruar planin e veprimit për mbrojtjen e cilësisë së ajrit për këtë dimër. Kemi themeluar grupe pune për identifikimin e ndotësve në qytet dhe kemi dhënë propozime të shumta për dikasteret tjera qeveritare dhe komunën për hapat që duhet t’i ndjekin. Mirëpo përveç ministres. që ka shpërnda dru për të zëvendësuar thëngjillin nëpër çerdhe dhe institucione të tjera, asnjë ministri tjetër nuk ka vepruar.
Një veprim i kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës për kontrollin teknik të automjeteve dhe mosçertifikimin e atyre që lirojnë gazra më shumë se sa që është vlera maksimale e lejuar në rregulloren e qeverisë, këto veprime ende nuk kanë filluar.
Cila është përgjegjësia e Ministrisë së Mjedisit e cila e Komunës së Prishtinës? Po ju si agjencion ç’bashkëpunim keni me këto institucione?
Ministria e Mjedisit, për mbrojtjen e ajrit nga ndotja ka hartuar një projektligj përmes të cilit është paraqitur plani i veprimit për cilësinë e ajrit. Ky projektligj pritet të përcjellët në qeveri për miratim.
Ministria e Mjedisit është në proces të shumë planeve rregullative për cilësi të lëndëve djegëse, plane intensive të inspektimeve dhe koordinim me komunat. Për këtë arsye ministja Reshitaj ka organizuar takim me gjithë kryetarët e komunave në javën e kaluar dhe ju ka bërë thirrje që të jenë aktiv dhe të implementojnë kërkesat ligjore për ruajtjen e cilësisë së ajrit, natyrën, çështjen e mbeturinave ujit, etj.
Ministrja ka zhvilluar dhe një takim edhe me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për këtë çështje. Mirëpo këto janë detyra dhe veprime afatshkurtëra për të ndikuar shpejt në përmirësim të situatës.
Me rëndësi është që në masat afatmesme dhe afatgjata të investohen miliona euro në renovimin sa më të shpejtë të termocentraleve të “Kosova B” që janë të parapara deri në vitin 2022 dhe ndërtimin e termocentralit të ri i cili është stërvonuar. Pastaj kontrolla rigoroze e automjeteve për lirimin e gazrave, investime në energjinë e ngrohjes së qyteteve dhe largimin nga përdorimi të qymyrit dhe lëndëve ndotëse, investime në infrastrukturë urbane dhe komunikacion, investime në transportin urban dhe ndërurban me autobusë të rinjë dhe funksionalizimi i trenave, ridizajnimi i parkingjeve dhe ndalimi i parkimeve në vende të ndaluara, trotuare etj e deri te gjobitja e ndotësve.
Ju keni pasur së fundmi edhe një raportim në Komisionin Parlamentar për Mjedis. A keni diskutuar me deputetët për këtë problematikë?
Në komisionin parlamentar, kam paraqitur të gjitha rezultatet e matjeve që Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës i bën rregullisht në 12 stacione të cilësisë së ajrit, të cilat janë të mirëmbajtura, servisuara dhe janë matjet më cilësore të mundshme.
Deputetët, anëtarë të këtij komisioni i kam njoftuar për problemet, burimet e ndotjes, rekomandimet dhe masat që duhet të ndërmerren.
Komisioni është dakorduar që të përkrahë qeverinë, dhe ministrinë përkatëse me ndarje më të madhe të buxhetit, forcim të inspektoriatit por edhe në shtytje të komisioneve të tjera parlamentare dhe të ministrive tjera të linjave të cilat kanë shumë përgjegjësi në fushat e tyre për mjedisin.
Si duhet të mbrohen qytetarët? Ç’rekomandoni ju si agjenci?
Qytetarët duhet të jenë të informuar dhe të reagojnë pozitivisht në thirrjet tona për largimin e djegjes së lëndëve që janë tepër ndotëse dhe të rrezikshme, pra fjala është për thëngjillin, të përdorin dru të thata dhe pelet të certifikuar, të mos ngritin temperaturën më shumë se që është nevoja në shtëpitë e tyre në mënyrë që stufat e tyre të mos punojnë me nivele maksimale.
Duhet të edukojnë dhe bashkëbisedojne mes familjarëve dhe me fqinjët, të shfrytëzojnë informacionet në dispozicion dhe të mos dalin pa nevojë në orët e pikut të ndotjes në mbrëmje sidomos nga ora 19:00 deri 22:00.
Poashtu të mos i ndezin automjetet kur kanë mundësi të dalin këmbë ose me transport publik, të mos djegin mbeturina, sidomos tradita e keqe e hudhjes së hirit të nxehtë me prush në kontejnerë e shumë veprime të cilat bashkarisht mund të ndikojne në zbutjen e ndotjes. /tesheshi.com/