Me afrimin e startit të vitit të ri shkollor, kreu demokrat Basha propozon që stafet arsimore duhet të testohen me patjetër.
“Ky vit nis në kushte të vështira për mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre. Javët e fundit numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë, ndërkohë që mbetet detyrë parësore e qeverisë të marrë masa konkrete për të shmangur përhapjen e virusit mes nxënësve dhe mësuesve.
Veç dezinfektimit të ambienteve shkollore, mësimit me turne për të shmangur klasat me shumë nxënës, duhet kryer urgjentisht dhe testim masiv për të gjithë stafin mësimor.
Çdo mësues ditën e parë të shkollës duhet të ketë rezultatin e testit të COVID-19.
Me testime të shpeshta të stafit mësimor në vazhdim, do të mund të shmanget dhe një zinxhir i mundshëm infeksioni që do ta rëndonte edhe më tej situatën”, shkruan Basha.
Sipas tij, është një praktikë që Kosova po e zbaton.
“Ndërkohë që Kosova pritet ta zbatojë këtë plan, qeveria shqiptare duhet të nisë urgjentisht marrjen e masave për të siguruar testimet për stafin mësimor”, shkruan njeriu që udhëheq opozitën shqiptare. /tesheshi.com/