Ka shkuar në 80 numri i viktimave si pasojë e një shpërthimi të ndodhur këtë fundjavë në një dasmë që po mbahej në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.
Fillimisht u raportua për 63 jetë të humbura, mirëpo gjendja e të lënduarve ishte e rëndë, gjë që çoi edhe në rritjen e numrit të fataliteteve.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi, konfirmoi se “nga plagët e marra kanë vdekur edhe 17 persona tjerë dhe 160 janë duke u trajtuar ose në spitale, ose në shtëpi”.
Grupi militant IS pas pak ditësh ka marrë përgjegjësinë për sulmin që ka ndodhur në perëndim të Kabulit, e që është sulmi i 17-të që ka ndodhur në kryeqytetin afgan në gjysmën e parë të këtij viti. /tesheshi.com/