Pretendohet se Shqipëria ka hyrë tashmë në stadin e turizmit gjithëvjetor. Kjo pasi INSTAT bën të ditur se në muajin janar 2024 ka një rritje të ndjeshme të netëqëndrimeve, sidomos të të huajve, me gati 70% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Sipas INSTAT, treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese tregojnë se numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 27,1%, në krahasim me janar 2023.
Gjithashtu, numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 14,3% dhe numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 42,3%.
Numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 49,4%, në krahasim me janar 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i netëqëndrimeve nga rezidentë është rritur me 30,3% dhe numri i netëqëndrimeve nga jorezidentë është rritur me 69,3%.
Gjatë muajit janar 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 27,1%, krahasuar me janar 2023. Numri i vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 55,7%. Në zonat jobregdetare ky tregues është rritur me 30,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezidentë të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 42,6%.
Në muajin Janar 2024, numri më i lartë i vizitorëve rezulton: në “Rajonin Qendër“ (59,3%); në “Zonat jobregdetare” (68,0%).
Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 14,2%, kundrejt 8,6% që ishte në muajin Janar 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 14,0%, kundrejt 7,2% që ishte në muajin Janar 2023. /ATSH/