Tensionet e vazhdueshme në Kosovë kanë edhe anën tjetër, atë që lidhet me pjesët e Serbisë në kufi me Kosovën, ku jetojnë boshnjakë dhe shqiptarë.
Në Novi Pazar dhe në Rashkë fqinje ka kazerma të mëdha dhe një sasi të madhe armësh me prezencë të vazhdueshme të një numri të madh ushtarësh. Lëvizja e tyre shpeshherë është lajmërim apo pasojë e përshkallëzimit të situatës në Kosovë. Kjo praktikë ka vazhduar që nga fillimi i viteve ’90 dhe është një formë presioni mbi popullsinë vendase.
“Situata e fundit në Banjskë, në Kosovë, e cila është disa dhjetëra kilometra nga Novi Pazari, këtu në Sanxhak u përshëndet me “bëjmë sikur nuk ekziston” – njësoj ose ndoshta edhe më shumë se në vitet e 90-ta”, thotë Medin Haliloviç, gazetar dhe redaktor i portalit SNews.
“Është iluzore të thuhet se njerëzit nuk shqetësohen dhe tremben nga gjithçka që ndodh në mjedisin e tyre të afërt të jetesës. Qytetarët, në çdo segment të jetës, të rënduar nga presionet ekonomike, korrupsioni dhe sistemi i çrregulluar i vlerave shoqërore, boshnjakët në veçanti, por edhe serbët dhe të tjerët, ndihen të pasigurt dhe të pambrojtur. Ndoshta më e keqja është se nuk dinë kujt t’i kërkojnë ndihmë dhe as nuk shohin që kjo ‘situatë’ do të marrë fund pas tre dekadash. Besimi në çdo lloj qeverie ka humbur shumë kohë më parë dhe politikanët boshnjakë në Sanxhak përgjithësisht nuk i quajnë gjërat me emrat e tyre të duhur”, vëren Haliloviç.
Pasiguri që vazhdon që në vitet ’90
Shqetësimin më të madh të qytetarëve e ka shkaktuar fakti se sulmues serbë të plagosur në Banjskë janë transferuar në spitalin e Novi Pazarit pa informacion zyrtar dhe me spital të bllokuar.
“Shembull banal është se reparti kirurgjik i Spitalit të Përgjithshëm të Novi Pazarit ishte në një lloj rrethimi për pacientët dhe vizitorët që nga orët e pasdites të së dielës më 24 shtator, sepse atë ditë në atë repart janë trajtuar disa nga sulmuesit serbë. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht se cilët janë këta persona, madje as mjekët që i kanë trajtuar ata për plagët me armë zjarri nuk kanë mundur të thonë diç për ata. Qytetarët dhe gazetarët janë penguar të hyjnë në klinikat e pritjes së spitalit nga policia dhe shërbime të ndryshme të sigurisë, përfshirë edhe ato para spitalit me xhipa me targa të Beogradit. Prokuroria e Lartë Publike në Novi Pazar u tha gazetarëve se kjo nuk është çështje penale në kompetencë të kësaj prokurorie, ndërsa në të njëjtën kohë ministri Xhelal Sveçla, në një adresim për media, ka kërkuar që të dorëzohen dorëzohen tek autoritetet lokale sepse dyshohen për terrorizëm”, shpjegon Haliloviç.
Qëndrimi i tij është se gjendja e pasigurisë në Sanxhak nga vitet ’90 nuk ka përfunduar dhe se ky rast është vetëm vazhdimësi e atij procesi.
“Është e panevojshme të bëjmë një paralele me ngjarjet e viteve ’90, sepse ajo vijë e kuqe e pasigurisë vetëm sa po zgjatet. Njohja se ekziston dikush i armatosur dhe i gatshëm për të qëlluar dhe vrarë njerëz dhe se Milan Radoiçiç, përveçse ka pranuar se ka organizuar gjithçka në fshatin Banjskë, është marrë në pyetje nga policia serbe në cilësinë e tij si qytetar, vetëm sa ka thelluar pasiguri me çdo qenie njerëzore”, përfundon Halilovidd.
Kërkohet çmilitarizimi i Sanxhakut
Tutini është komuna më e re në Serbi, e cila ndodhet në kufirin e trefishtë me Malin e Zi dhe Kosovën dhe ekonomia e saj vuan shumë për shkak të ngjarjeve në Kosovë, me të cilën ka lidhje tradicionale.
“Nëse marrim parasysh ngjarjet në Kosovë, mund të them lirisht se qytetarët e Tutinit janë dukshëm të mërzitur dhe të frikësuar për sigurinë e tyre, sepse e gjithë kjo po ndodh në afërsi të komunës sonë”, thotë Selma Kuçeviq, deputete në Kuvendin e Serbisë.
“Fakti që Serbia ka vendosur forca shtesë ushtarake në kufirin me Kosovën, shkakton një dozë të veçantë frike te qytetarët. Ne i mbështesim deklaratat e zyrtarëve të lartë të SHBA-së dhe BE-së për nevojën urgjente të largimit të Ushtrisë Serbe nga kufiri me Kosovën, sepse ajo ushtri kryesisht është e dislokuar në territorin e komunës së Tutinit dhe Novi Pazarit, gjegjësisht në komunat me numrin më të madh të boshnjakëve. Presim mirëkuptimin e udhëheqjes shtetërore serbe dhe tërheqjen e ushtrisë”, tha Kuçeviç.
“Kjo situatë prek ndjeshëm ekonominë dhe biznesmenët tanë, sepse prodhuesit tanë të materialeve të ndërtimit, ushqimit, tekstilit dhe këpucëve tradicionalisht janë të lidhur me tregun kosovar. Për shkak të ndikimit të dëmshëm në ekonominë tonë, ne paraprakisht dërguam një iniciativë për krijimin e një korridori ekonomik ndërkombëtar që do të mundësonte kalimin e papenguar të njerëzve dhe mallrave dhe kjo nismë iu prezantua miqve të Sanxhakut si dhe ambasadave”, thotë Kuçeviç.
Sulm ndaj shqiptarëve në Medvegjë
Përfaqësuesi i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar në Twitter ndaj deklaratës së Vuçiçit se ndër të tjera në Banjska ka edhe persona nga komuna e Preshevës së bashku me policinë e Kosovës.Kamberi i bëri thirrje “bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë për të parandaluar çdo përpjekje për hakmarrje të autokratit serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Katër ditë më vonë, vlerësimi i Kamberit doli i vërtetë për shkak se ndodhi një sulm ndaj shqiptarëve në Medvegjë.
“Shtëpia e Ruhan Muharremit në Medvegjë është sulmuar me gurë. Nuk ka të lënduar, por rasti ka shkaktuar frikë te popullata e vogël shqiptare në Medvegjë”, thotë Kamberi.
Si në Sanxhak, edhe në Luginën e Preshevës është e dukshme prania e madhe e ushtrisë.
“Lëvizjet e njësive të Ushtrisë Serbe në Bujanoc dhe Preshevë, ku janë vërejtur autoblinda dhe tanke, është ajo që më së shumti i shqetëson shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Kamberi. /tesheshi.com/