Vuçiç në Havanë: ngre në qiell Fidelin për të marrë një fjalë kundër Kosovës nga Raul Kastro

Beogradi po vazhdon  ofensivën diplomatike në vendet e Amerikës Latine që të arrijë një fitore në votimin që pritet të bëhet në Interpol dhe UNESCO për Kosovën, pas humbjeve në FIFA dhe UEFA.

Siç dihet, një pranim i Kosovës në organizatat e OKB-së nuk bën tjetër veçse një hap drejt Pallatit të Qelqtë.

Në fushën e lojës ka dalë vetë Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili a vizituar kubën kastriste, në mënyrë që të bindë jo vetëm Havanën, por edhe shtetet latinoamerikane që influencohen fuqishëm nga Kuba.

Siç bën të ditur B92, Vuçiç ka takuar për dy orë Raul Kastron të cilin e ka cilësuar një “legjendë të gjallë” dhe ka lëshuar lëvdata pa fund për Fidelin e ndjerë, vetëm e vetëm që të merrte një frazë për Kosovën në konferencën për shtyp.

Dhe Kastro më në fund e tha se Kuba nuk do ta njohë Kosovën.

Dhe Vuçiç i ka përmendur nderin që Beogradi bëri për Havanën në OKB.

“Serbia votoi në favor të anëtarësimit të Kubës në Këshillin e OKB-së të Drejtave të Njeriut”.

Vuçiç vizitoi edhe ekspozitën e revolucionit kuban, ku shkroi në librin e mbresave: “Një botë më e mirë është e mundur! Faleminderit Fidel!”

E gjithë kjo ofensivë diplomatike serbe në rajone të caktuara të botës, bëhet me një plan të saktë dhe të qartë, ndërsa Prishtina më shumë “fle në dafina” duke shpresuar ose lobingun e SHBA, ose atë personal të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili duhet thënë se ka shpenzuar edhe para e influencë nga lidhjet e tij të biznesit.

Por diplomacia kërkon plan dhe ide. Aktualisht, qeveria e Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë nuk kanë zhvilluar asnjëherë një takim me vendet që nuk e kanë njohur. Thjesht, Prishtina mund t’u flasë hapur dhe t’i tregojë arsyet pse kërkon njohjen. Diplomacia shpesh është më e thjeshtë nga ç’duket, por kërkon përkushtim e profesionalizëm. /tesheshi.com/

Related posts