728 x 90 Leaderboard

“Vjeshta me stuhi” e Albin Kurtit: a do mund ta trondisë qeverinë dhe Thaçin?

 Nga Blendi Gashi

Opozitari i hekurt Albin Kurti kërcënon rikthimin e protestave si në rrugë ashtu edhe brenda Kuvendit të Kosovës, nëse presidenti Hashim Thaçi nuk ndalet së dialoguari me Serbinë duke qenë ai krye, e njëherësh pasi i sheh si të rrezikshme thirrjet e tij për korrigjim të kufijve.

Të vetmen zgjidhje për të dalë nga situata aktuale, kreu i Vetëvndosjes sheh mbajtjen e zgjedhjeve, më së largu në vjeshtë të kë tij viti, por nëse nuk ndodh kjo ai e sheh të pashmangshme daljen në rrugë.

“Kosova ka nevojë për qeveri të re, kryeministër të ri, president të ri dhe kjo duhet të bëhet përmes zgjedhjeve të reja parlamentare gjithsesi të parakohshme dhe po nuk u zmbrapsen nga këto interesa të ngushta duke e vënë në pazar gjithë shtetin, ta kaluarën dhe ardhmërinë tonë, përveçse të tashmen, atëherë natyrisht që duhet me demonstrata të fuqishme t’i ndalim këta aventurierë dhe ato të jenë edhe nëpër sheshet e qyteteve tona por edhe në parlamentin e Kosovës. Ne jemi përfaqësues të popullit i cili, jemi të bindur që nuk i pranon këto kompromise, koncesione të vazhdueshme ndaj Serbisë e cila mund ta ketë ndërruar gëzofin, por kurrsesi qëllimin e saj”, ka deklaruar Kurti së fundmi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Për më tepër, Kurti beson se dhe LDK do i bashkohet asaj.

Por si shihet ky përbetim i Kurtit nga analistë politikë?

Politologu Albinot Maloku vlerëson se kryevetëvendosësi me të drejtë është i shqetësuar në lidhje me dialogun aktual Kosovë – Serbi dhe mënyrën se si po trajtohet ky dialog nga ana e presidentit Thaçi.

Hashim Thaçi u bë president edhe pas protestave e me përkrahjen e LDK-së dhe në opinion mund të duket se as protestat nuk e ndalin nga ky marshim i tij kokë në vete në dialog, por besoj fortë se nuk mund të jetë kështu nëse do të kishte një angazhim maksimal nga të gjithë për ta kthyer shtetin në rrugën e duhur. Fatkeqësisht, në dukje e në ndjesi garnitura aktuale qeverisëse në vend e ka bërë harabat shtetin”, thotë Maloku për tesheshi.com.

Por sipas tij, LDK-ja nuk pritet t’i bashkohet protestave eventuale të organizuara nga Thaçi.

Në lidhje me atë se Kurti i gëzohet faktit që LDK-ja nuk po lëshon pe përkundër thirrjeve të presidentit Thaçi t’i bashohen në dialog, shpresoj shumë që Kurti mos të gëzohet edhe aq. Nëse shikohet nga e kaluara, LDK e pas Rugovës ka ditur të ruaj fuqishëm raportet me Thaçin dhe nuk besoj që LDK mund t[i rezsotojë edhe aq ndonjë pozicioni që kishte me qenë refuzues ndaj komplikimeve të krijuara nga politika aktual e vendit”, shprehet Maloku.

Faik Krasniqi, njohës i rrethanave politike, mendon se Vetëvendosje duhet të bëjë për vete popullin, pasi padyshim e ka të drejtë kauzën e saj.

Çdo gjë reciproke. Përndryshe, Kosova me këtë president dhe klasë politike idiote, rrezikon ta humbas edhe Veriun e Kosovës përmes këtij Asociacioni, por edhe Kosovën Lindore që hiç më larg se 60 vite ishte pjesë e saj. Fuqia e popullit kanë ndaluar edhe diktaturat më të mëdha, e lëre më një President. E sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, gjendja nuk do të ndryshojë për të mirë, sepse pozita dhe opozita nuk kanë fare dallim!”, thotë Krasniqi për tesheshi.com.

Por ai është skeptik për LDK-në.

Edhe nëse LDK-ja i bashkohet VV-së për parandalimin e Thaçit, do bashkohet që të vijnë sa më shpejt në pushtet, dhe jo që ta ndalin Thaçin për marrëzitë e tij. Mos të harrojmë që LDK-ja ishte ajo që e zgjodhi president Hashim Thaçin”, thotë Krasniqi.

Ndërsa Politologu Gurakuç Kuçi, paralajmërimet e kryetarit të Vetëvendosjes për protesta nuk i sheh serioze madje ai i krahason me fyerjet që dikur Kurti ia bënte Behgjet Pacollit, por që më vonë mbështeti njeriun e këtij të fundit, Agim Bahtirin të fitonte në zgjedhje.

Edhe paralajmërimet për protesta në Kuvend, janë paralajmërime qesharake përderisa aty nuk mund ta ndaloj Presidentin i cili nuk bën pjesë në Kuvend dhe nëse ka kërkuar mendim prej Kuvendin ndonjëherë e ka bërë vetëm sa për sy e faqe dhe të vë hi syve me demokraci.  Ndërsa deklarata e z. Kurti për LDK-në është një flirt publik i pamoralshëm, sepse është pikërisht ky Isa Mustafa që ka shtyrë përpara kauzat që shumë aktivistë të LVV-së kanë përjetuar edhe burg në kundërshtimin e tyre. LDK-ja çdo herë ndryshe ka menduar e folur dhe ndryshe ka vepruar, andaj e gjithë klasa politike po luan me karta në interesa personal dhe poenë politikë, përderisa vetëm sa po ia mundësojnë Thaçit të veproj lirshëm”, thotë Kuçi për tesheshi.com.

 

Related posts