Vëzhgim/ A ka punë pas hekurave?!

Nga Arseola Mulia

Nelson Mandela ka thënë: “Askush nuk e njeh një komb deri sa hyjë në burgjet e tij!” që do të thotë se dhe aty, ka një reflektim të gjendjes së përgjithshme, për të mirë e për të keq. Le të marrim punësimin. Shqipëria e vuan papunësinë, por me keq akoma do ishte sikur të lësh të papunë dhe të dënuarit, ata që në fakt kanë nevojë më shumë se kushdo tjetër që të merren me diçka, të edukohen prej punës.                                                                                             Në burgje sot, personat të cilët vuajnë dënimin kanë mundësinë të jenë dhe aktivë, të sensibilizohen, të rehabilitohen, dhe të jenë të dobishëm pra. Situata është e tillë që sot në burgje dhe paraburgime, punësimi është në varësi të nevojave të institucionit. Personat me liri të kufizuar zakonisht punësohen në vende si sera, ndihmëskuzhinier, shpërndarës ushqimi, mirëmbajtës, kopshtarë, mekanikë, muratorë, punonjës biblioteke dhe pastrues. Këta punëtorë përfitojnë 4 ditë në muaj ulje dënimi. Ndërkohë që është planifikuar që inisiativat e reja të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, do t`iu mundësojnë të dënuarve edhe shpërblimin në vlerë monetare të punës së tyre. Sipas statistikave nga ky institucion, gjatë një muaji janë punësuar mesatarisht 658 persona. Urdhri i nxjerrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mbi krijimin e një komisioni të përhershëm, i cili do te merret me vlerësimin e të dënuarve të cilët do të punësohen, ka përmirësuar praktikat e punësimit të dënuarve brenda institucioneve, duke shfrytëzuar në maksimum të gjitha mundësitë. Sakaq, është hartuar një draft-punësimi për personat me liri të kufizuar, ku është menduar të lidhen akte bashkëpunimi me biznese dhe firma të ndryshme për punësimin e tyre. Ndërsa në rregulloren e re,  përcaktohen në detaje vendet e punës për punësimin e të dënuarve  dhe të paraburgosurve, ku përfshihen dhe sigurimet shoqërore e çdo lloj përfitimi që ka një qytetar i lirë i punësuar. Madje parashihet që kontratat e punës që do të lidhen me të dënuarit nga ana e biznesve, parashikon nxjerrjen e tyre jashtë hekurave për të punuar në një orë të caktuar tek ato biznese, e më pas kthim në ambientet e vuajtjes së dënimit.                                                                                                                                                                                                   E duke iu kthyer thënies së Mandelës, kjo do të ndodhë kur punët jashtë të ecin mbarë, për t`u reflektuar më pas dhe atje brenda, ku urimi i natyrshëm është që mospafshim askënd, nëse nuk e ka bërë hak!  /tesheshi.com/

Related posts