Vetëm dy lojtarë të Barcelonës në përfaqësuesen spanjolle që do të ndeshet me Maqedoninë dhe Anglinë

Julen Lopetegui ka dalë sot para gazetarëve për të bërë të njohur emrat e 25 lojtarëve të grumbulluar me përfaqësuesen spanjolle për takimet e nëntorit. Spanja do të presë Maqedoninë më 12 nëntor, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit të 2018-s, e tre ditë më pas do të luajë një miqësore me Anglinë në “Wembley”.

Për shkak të dëmtimeve do të mungojnë Pique, Jordi Alba, Iniesta, Javi Martinez e Sergio Ramos.

Janë rikthyer në përfaqësuese Juan Mata dhe Azpilicueta, ndërsa është thirrur dhe 35-vjeçari Aduriz, që shënoi pesë gola për Atletik Bilbaon mbrëmë në Ligën e Europës.

Nuk janë thirrur në grumbullim dy lojtarët e Çelsit, Pedro e Fabregas. Ndërkaq, Sergio Escudero i Seviljes është grumbulluar për herë të parë me përfaqësuesen.

E veçanta e këtij grumbullimi është se nga Barcelona janë vetëm dy lojtarë, Sergi Roberto dhe Busquets.

Të 25 lojtarët e thirrur janë: Reina, De Gea, Asenjo, Nacho, Bartra, I. Martinez, Azpilicueta, Monreal, Carvajal, Escudero, Sergi Roberto, Herrera, Busquets, Koke, Isco, Thiago, Silva, Mata, Lucas Vazquez, Callejon, Vitolo, Morata, Diego Costa, Nolito dhe Aduriz.

Spanja gjendet në grupin G të eliminatoreve për Kupën e Botës, së bashku me Shqipërinë, të cilën e mundi 0-2 muajin e shkuar në Shkodër. Përfaqësuesja spanjolle e udhëheq grupin bashkë me Italinë, me nga 7 pikë secila. Maqedonia nuk ka asnjë pikë, pasi ka pësuar humbje në të tre ndeshjet e zhvilluara. /tesheshi.com/