Vdekja e Aleksandër Lalos: a ishte ai një Ennio Morricone shqiptar?

Një ditë më parë ndërroi jetë Aleksandër Lalo, një prej emrave më në zë të muzikës shqiptare, asaj të lehtës, e gjithashtu asaj të filmave.  Në nekronologjinë që iu bë në media, ashtu shpejt e shpejt dhe telegrafikisht, iu theksua rebelizimi i tij.

Po, në jetën sociale, siç shumë artistë, shfaqte një “dërrasë mangut”, por në jetën artistike, më saktë produktin që la në pentagrame, ishte i butë, i ngrohtë, i ëmbël, njerëzor.

Madje një prej krijimeve të tij më brilante, kolona zanore e filmit “Gëzhoja e vjetër”, përkundër subjektit me vrasje, armiq regjimi e hetues dege, ka një solo me kitarë që të lë shijen e një romance unike dashurie.

Dhe imagjoni për një moment sikur Aleksandër Lalos t’i kishin rënë fati që të mos ishte shqiptar, por ndokush me kombësi afër industrisë së artit të madh. Edhe pa qenë kështu, Lalo i ndjerë do hahej kokë më kokë me Ennio Morricone-n e famshëm, dhe jeta e tij do ish krejt tjetër nga ajo që bënte në kushte shqiptare, ku sado i madh në një fushë të caktuar, aq më tepër në art, në rrafshin social je si të shumtët.

Lalo padyshim që ishte një Morricone, ashtu siç Kujtim Laro që ka ikur para tij. Këngët, por sidomos kolonat zanore të Sandrit do ia vlente të futeshin në fondin botëror të muzikës së filmave, po si ato të italianit simbol.

Por ka diçka që mbetet një pikëpyetje e madhe gjithsesi, për të cilën duhej pyetur sa ishte gjallë, apo që duhen pyetur të tjerë të ngjashëm me të që ende janë në jetë: cilat ishin krijimet e tyre në post-komunizëm, a kishim po ato frymëzime si dikur, dhe nëse krijonin kujt ia shfaqnin ato? Sepse duket se ai art që prodhuan ata, elita kulturore e një sistemi, sikur ishte e lidhur në kontekst me vetë sistemin; edhe pse kjo nuk jua heq talentin që kishin.

Dhe vërtet, grishja më e madhe gazetareske në këtë rast, është: cili ishte krijimi i fundit i Lalos, dhe nëse ka qenë këngë, muzikë filmi apo thjesht një orkestrale për qejf?

“Përpshirtja”, një etyd me varacione kushtuar Alfons Balliçit, një tjetër emri të madh të muzikës shqiptare ndërruar jetë vitet e fundit, ishte një prej krijimeve të tij këto vite. /tesheshi.com/