Vasili i LSI: pr/ligji për pakicat kombëtare bie ndesh me Kushtetutën, ja problemet që krijon

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, reagoi gjatë seancës së sotme lidhur me projektligjin e pakicave kombëtare.

Vasili, në fjalën e tij, tha se sot ky ligj nuk duhet të miratohet, pasi ai bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë.

“Ky është një konformizëm servil. Deformimet janë aq të mëdha se të shtyn të mendosh se nuk jemi para një projekti juridik. Janë zhdukur pakicat bilinge. Ky pr/ligj nuk bën dallimin me pakicat kombëtare me ato pa territor kompakt. Nuk bëhet i mundur dallimi i statusit për këto pakica kombëtare. Me çfarë statusi cilësohen si të barabartë pakicat etnike? Zonë e pakicës do të thotë një territor kompakt me gjuhe dhe kulturë? Ku e kemi territorin kompakt te rasti i vllehëve?

Ku është shumica relative tek romët, serbët apo vllehët? Ky pr/ligj me deformim shkencore pasqyron proçese desinformuese. Ky pr/ligj bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe konventën kuadër. Nuk mund të ketë të drejtë vetëdeklarim për gjuhën dhe etninë. Me këtë draft po zhduket hierarkia e pakicave. Mund të duket një ligj i zakonshëm, por pasojat janë të rënda dhe jemi përballë provës së dinjitetit. Ju ftoj të mos e votojmë këtë ligj dhe ta përpunojmë”, tha Vasili. /tesheshi.com/