728 x 90 Leaderboard

Turqit nisin punën për Aeroportin e Vlorës: 1 mijë vetë punësohen që në fillim

Konsorciumi turk, i caktuar për të ndërtuar aeroportin e Vlorës ka nisur menjëherë punën për të ndërtuar portën e dytë ajrore më të rëndësishme në Shqipëri.

Ambasadori turk në Shqipëri, Murat Ahmet Yoruk ka deklaruar se pas studimeve shkencore për fizibilitetin, ne përcaktuam se Vlora është pika më e përshtatshme për këtë fillim.

“Vlora ndodhet në një pikë kryqëzimi në aspektin turistik dhe ndoshta është qyteti më i bukur bregdetar i Ballkanit. E dimë se aeroporti në këtë qytet do të luajë rolin e dominosë në transformimin e turizmit në Shqipëri.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës është marrë përsipër nga një konsorcium turk, i përbërë nga tri kompani, i cili është duke ndërtuar aeroportin e ri të Stambollit, që do të jetë aeroporti më i madh në botë më kapacitet 200 milionë udhëtarë në vit. Këto kompani janë ndër kompanitë më profesionale turke dhe operojnë me cilësinë e nivelit më të lartë në arkitekturë dhe në ndërtim.

Ky projekt në fazën e parë të tij, do të sigurojë mundësi punësimi për 1000 persona, por nuk është e vështirë të parashikosh se ai do të nxisë edhe projektet e tjera infrastrukturore dhe investimet në atë zonë dhe për pasojë do të luajë një rol serioz në zhvillimin e Shqipërisë”, tha ambasadori turk.

Yoruk, shtoi se Turqia është e gatshme për të zhvilluar edhe për projekte të tjera infrastrukturore si aeroporte, autostrada, viadukë, hidrocentrale, ura, tunele, hekurudha. “Ne dëshirojmë me gjithë zemër duke u eleminuar mangësitë infrastrukturore të Shqipërisë, të luajmë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj. Edhe ne lumturohemi kur vëllezërit tanë shqiptarë kanë rrugë, tunele, ura, hidrocentrale, spitale dhe shkolla moderne. Ne besojmë se vëllezërit tanë shqiptarë, që për vite janë ndeshur me pasojat më traumatike të komunizmit dhe që kanë vuajtur shumë, të meritojnë më të mirën”, tha ambasadori.

Qeveria turke ka zhvilluar së fundmi një takim të madh me investitorë ku i kanë inkurajuar për të investuar në Shqipëri.

Zyra e kryekëshilltarit tregtar pranë Ambasadës turke në Tiranë informon rregullisht investitorët potencialë.

Është hartuar një manual i plotë me orientimet dhe informacionet e nevojshme për kompanitë që veprojnë në Shqipëri, pagat mesatare të punëtorëve, lehtësitë fiskale etj. /tesheshi.com/

Related posts