Troket Real – PSG: “AS” jep arsyet për suksesin e pritshëm të madrilenëve

Real i Madridit – PSG është mbase çifti që tërheq më shumë vëmendjen në një të tetat e Champions League-s.

Në kryeqytetin spanjoll përplasen sonte fituesit në fuqi të aktivitetit me pretendentët kryesorë për marrjen e trofeut.

Për pritësit është mbase mundësia e fundit për të shpëtuar një sezon me shumë lëkundje, ndryshe nga udhëtuesit, në një paraqitje të shkëlqyer sezonale.

E përditshmja sportive spanjolle “AS” jep sot, para kësaj përballjeje, pesë arsye për të shpresuar në suksesin e madrilenëve.

Më së pari, sipas “AS”-it, është stadiumi “Santiago Bernabeu”, një fortesë europiane, siç e cilëson. Pasi Reali nuk ka humbur në stadiumin e vet në Champions League që nga marsi i 2015-s. Atëbotë, gjermanët e Shalkes fitonin 3-4, por Reali kualifikohej gjithsesi. 17 ndeshje të tjera në atë fushë që nga ajo ditë në të njëjtën veprimtari kanë prodhuar 14 fitore dhe tre barazime për Realin, me 47 gola të shënuar dhe 11 të pësuar.  

Së dyti, është rikthimi në formë i Ronaldo-s. Dhe posaçërisht në Champions League, ai nuk e ka humbur kurrë urinë për të goditur portën kundërshtare, nënvizon “AS”. Për të mos harruar nëntë golat e shënuar në gjashtë ndeshjet e fazës në grupe.

Një Modriç në formë, vjen në radhë për nga arsyet për të pritur një fitore sonte nga Reali. Kroati dikton ritmin e lojës për të tijtë, dhe mund të rezultojë fundamental në rezultatin përfundimtar të dy takimeve. Paraqitja mbresëlënëse ndaj Sociedadit në fundjavë e bën të arsyeshme mbështetjen tek ai.

Trajneri Zinedine Zidane, në hall në kampionatin spanjoll, nuk e ka provuar ende eliminimin në Champions League për aq sa drejton Realin. Për më tepër, në dy pjesëmarrje në dy sezonet e fundit në këtë veprimtari e ka fituar po kaq herë trofeun.

E pesta arsye është mbështetja që vjen nga stoli, ku në pritje për të luajtur janë Asensio dhe Lucas Vazquez. Këta dy lojtarë, së bashku me Isco-n, citon “AS”, kanë aftësinë dhe krijueshmërinë për të bërë ndryshimin nëse lënë stolin dhe aktivizohen. /tesheshi.com/

Related posts