728 x 90 Leaderboard

Thaçi e Haradinaj përshëndeten me Macron: quajnë “takim të frytshëm”

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, edhe pse kanë zhvilluar një takim të shkurtër, thënë më mirë përshëndetës me presidentin francez Emmanuel Macron, gjatë Samitit të Sofjes, ata nuk kanë ngurruar ta quajnë “të frytshëm”, pa treguar se ç’biseduan konkretisht.

 “Në margjinat e Samitit të Sofjes, një takim i frytshëm me Presidentin francez, Emmanuel Macron, ku bashkë me presidentin Thaçi po e përfaqësojmë Kosovën. Franca në 20 vitet e fundit ka bërë shumë për Kosovën dhe tani, derisa po bëhemi gati për tu bashkuar me familjen europiane, ky raport duhet të thellohet më shumë në të gjitha fushat me synim të vetëm përmbushjen e kushteve dhe standardeve evropiane përgjatë procesit integrues. Kosovës nuk do t’i mungojë në asnjë rrethanë përkushtimi dhe vendosmëria në rrugëtimin e saj drejt BE-së”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Kurse presidenti Thaçi i cili njofton bisedën që kanë zhvilluar me presidentin francez ka folur fjalë të mira për Francën, por pa harruar edhe Gjermaninë.

“Bashkë me kryeministrin Haradinaj kishim një bisedë shumë të mirë me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili bashkë me kancelaren Merkel janë promotorët më të mëdhenj të anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Me vizionin dhe përkushtimin e tyre i kanë dhënë shpresë të gjitha vendeve tona. Franca e ka mbështetur popullin e Kosovës në gjithë rrugëtimin tonë të gjatë për liri, pavarësi, shtetndërtim dhe në forcimin e perspektives euroatlantike”, shkruan Thaçi në Facebook.

Ky i fundit një takim të tillë e ka realizuar edhe me kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, ku thotë se kanë diskutuar rreth intensifikimit të bashkëpunimit në rajon dhe rritjes së shkëmbimeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Po ashtu thotë se nga kryeministri grek kërkova mbështetje edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. /teshesh.com/

 

Related posts