Të panjohurat e emërimit të Majlinda Bregut në krye të “BE-së Ballkanike”: kush ndikoi dhe lloji i reagimit nga opozita

Nuk ka pasur asnjë qëndrim partiak pas një zhvillimi të rëndësishëm politik për Shqipërinë. Për herë të parë, një politikane shqiptare është zgjedhur në një post mjaft të lartë europian.

Bëhet fjalë për Majlinda Bregun, e cila për dy vjet është zgjedhur nga drejtorët politikë të Komisionit Europian si kryetare e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RÇ) një post koordinuar për të menaxhuar projektet e BE-së në Europën Juglindore, thënë ndryshe Ballkanin.

Që prej startimit të këtij institucioni në vitin 2008, Shqipëria nuk kishte arritur dot që të ketë një përfaqësues të saj në këtë organizatë, e cila ishte e destinuar për përfaqësues kryesisht nga Serbia.

Për të “joshur” Beogradin pas humbjes së Kosovës, Brukseli ja ofroi drejtimin e RÇ-së figurave politike proeuropiane nga Serbia.

Ministri i Jashtëm serb i Zoran Xhinçicit, politikani i lindur në Kosovë, Goran Svilanoviç, ka qenë “i llastuari” i Brukselit që e ka drejtuar këtë institucion dhe tani ndodhet në krye të RÇ-së.

Një vit më parë, Komisioni Europian vendosi që të promovojë dy vende të Ballkanit, përkatësisht Shqipërinë dhe Malin e Zi për të drejtuar Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, duke vendosur politikanë nga këto vende në krye të këtij institucioni.

Ditën e djeshme, gjatë samitit të RÇ-së që u zhvillua në Slloveni, u vendos që dy politikanë nga rajoni, përkatësisht Majlinda Bregu dhe Igor Lluksiç të drejtojnë me rotacione dy-vjeçare Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal.

Bregu, ish-ministrja shqiptare e Integrimit gjatë viteve 2009-2013 do e drejtojë në vitet 2019-2021 dhe ish-kryeministri dhe ish-ministri i jashtëm i Malit të Zi, Igor Lluksiç, në vitet 2022-2024.

Aplikimi për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal bëhet në mënyrë individuale, pra aplikantët dërgojnë jetëshkrimet personalisht në bordin e drejtorëve të RÇ-së.

Por për t’u mbështetur atyre u duhet një listë me referenca nga institucione dhe personalitete të njohura. Një nga këto referenca është padyshim karakteristika që bëjnë qeveritë e vendeve nga ku kandidati vjen. Pra qeveria shqiptare ka dërguar një referencë të tillë për ish-ministren e Integrimit të qeverisë së PD-së.

Nëse qeveria “Rama” do të vendoste veton për të mos e propozuar Bregun, e ka patur atë mundësi dhe sipas të gjitha gjasave do të merrej parasysh. Kjo për arsye se ky institucion bashkëpunon me qeveritë e vendeve të Ballkanit, ndaj dhe ka peshë qëndrimi i vendit nga vjen kandidati.

Në rastin e kandidaturave nga Mali i Zi dhe Shqipëria kemi dy raste jo të njëjta.

Podgorica ka mbështetur një figurë të partisë që drejton mazhorancën qeverisëse prej 20 vjetësh, kurse Tirana ka mbështetur një figurë që vjen nga opozita.

Shqipëria për herë të parë ka një figurë të rëndësishme të saj në një institucion të lartë në suazat e Bashkimit Europian.

Ka mjaft shqiptarë që punojnë në organizatat ndërkombëtare, qoftë në NATO e qoftë edhe në strukturat e Brukselit. Por ata janë zgjedhur si “ndërkombëtarë” dhe as nuk është pyetur Tirana zyrtare e as nuk i ka kërkuar kush ndonjë mendim.

Matematikani i njohur nga Vlora, Tanush Shaska, i cili u largua me bujë gjatë vitit 2008 kur ndërmori një reformë agresive në Universitetin e Vlorës ku ishte rektor, është emëruar në një post shumë të lartë në selinë qëndrore të NATO-s në Bruksel.

Por ai është zgjedhur në atë post si qytetar amerikan, pasi prej vitesh është profesor i matematikës së lartë në një universitet prestigjoz të SHBA-së.

Florjon Mima për shembull, deputeti dhe ekonomisti i njohur i PD-së, ka qenë ministri i parë i Financave të Kosovës i administruar nga UNMIK. Por ai u zgjodh i tillë si ndërkombëtar.

Pra, në rastin e Majlinda Bregut është hera e parë ku Shqipërisë jo vetëm i kërkohet mendim por i miratohet një kandidaturë.

Pandeli Majko, disa vjet më parë kandidoi për një post në OKB, por nuk u miratua si pasojë e një opozite të fortë nga Serbia, e cila drejtonte në atë kohë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nëpërmjet ish-ministrit të Jashtëm Vuk Jeremiç.

Posti që është zgjedhur Majlinda Bregu si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, është në një farë mënyrë një Komision Europian i Ballkanit.

Çdo vendim që Komisioni Europian merr në Bruksel për Ballkanin kalon nëpërmjet rekomandimeve të RÇ-së, por ajo që është më e rëndësishme është se axhenda që harton RÇ është shumë e rëndësishme për t’u vendosur në tryezat e Komisionit, Këshillit, Parlamentit apo institucioneve të tjera në Europë.

BE-ja është një organizëm që vepron përgjithësisht me duart e ekspertëve dhe burokratëve të cilët përgatisin axhendat dhe letrat për politikanët që në fund marrin vendime.

Institucione të tilla si RÇ-ja që Bregu do të drejtojë për dy vjet, është e rëndësishme pikërisht për të vendosur axhenda dhe raportet ku përmenden shqiptarët.

Nuk është rastësi që gjatë mandatit që këtë institucion e ka drejtuar Goran Svilanoviç, edhe pse ai është një politikan dhe ekspert i moderuar dhe përkrahës i dialogut, dora i “ka rrëshqitur” shpesh drejt Beogradit ku kanë lëvizur fondet europiane. Për të paktën dy vjet Shqipëria do të ketë zë, aty nuk nuk e ka pasur deri më sot. Ndaj është edhe një provë e rëndësishme.

Megjithatë, nga PD-ja, parti nga e cila vjen Majlinda Bregu, edhe pse është larguar si drejtuese prej Bashës, do të ishte pozitive të vinte një qëndrim normal përshëndetës. Në fund të fundit është promovuar një nga figurat qeverisëse të Sali Berishës.

Por heshtjes së selisë blu i është bashkëngjitur një falë sharjesh dhe sulmesh në rrjetet sociale duke e cilësuar emërimin e Bregut si “shpërblim” ndaj tradhëtisë.

Madje ka edhe më keq. Shumë përkrahës të PD-së e shikojnë Bregun si zgjatim i dorës së Sorosit që nuk promovon politikanë të PD-së. /tesheshi.com/

Related posts