728 x 90 Leaderboard

Speciale botërori: nisin ndeshjet e dyta në grupe, Rusia ekipi më befasues

Nisur të enjten e 14 qershorit, Kupa e Botës e 2018-s ka mbyllur të martën ciklin e ndeshjeve të para në të tetë grupet. Për të nisur po një mbrëmje më parë ndeshjet e dyta, prej nga do konturohen fort pretenduesit për kalim në fazën tjetër të aktivitetit.

Por çfarë mund të veçohet prej gjashtëmbëdhjetë takimeve të para, duke marrë në konsideratë dhe një sfidë prej të dytave në grupin A, luajtur mbrëmë?

Të zotët e shtëpisë kanë befasuar tërësisht. Rusët janë parë të pashpresë në fillim të këtij botërori. Me pozitën më të keqe në renditjen e pjesëmarrësve, askush nuk ka menduar se ata do të kenë forca të bëjnë diçka për të qenë.

Të gjithë janë gabuar. Rusia ka shfrytëzuar mefshtësinë e Arabisë Saudite për të arritur fitoren më të thellë gjer tani: 5-0! Për më tepër, në ndeshjen hapëse!

Një tjetër fitore, 3-1, ndaj Egjiptit, thuajse e ka kualifikuar Rusinë për në fazën tjetër. Kjo është hera e parë që nga 1966-ta që Rusia i fiton të dy ndeshjet e para, e veç kësaj, ka shënuar më shumë gola në këto dy takime se në dy pjesëmarrjet e mëhershme në botëror!

Përballja më e veçantë e këtyre takimeve të para ka qenë pa dyshim ajo mes Portugalisë dhe Spanjës. Ronaldo bëri bujë me tre golat e tij në barazimin 3-3, duke treguar se portugezët mbeten thellësisht të varur prej tij. Në anën tjetër, dhe pse me trajner të shkarkuar disa orë më parë se të zbrisnin në fushë, spanjollët tërhoqën vëmendjen për lojën plot mendim. Iniesta qe mbresëlënës, Diego Costa përligji qenien në fushë me dy golat e tij, ndërsa Spanja u konfirmua si pretendente tepër serioze për trofeun. Tjetër? Nga Spanja e padëshirë e para katër viteve nuk kishte asnjë gjurmë!

Kanë zhgënjyer shumë ekipe, më së pari kampionët në fuqi. Gjermania ka humbur të dielën 1-0 ndaj Meksikës, në 90 minuta aspak kurajuese për më tej. Një valë kritikash kanë pasuar, por mund të jetë fundi i ciklit të Joachim Löw-it.

Jo më mirë finalistja e katër viteve të shkuara, Argjentina, e ngecur në një barazim 1-1 me Islandën. Si gjithmonë, Messi e ka të vështirë të gjejë veten te përfaqësuesja. Presionin e tregon me humbjen e një 11-metërshi.

Me të njëjtin rezultat, 1-1, e ka mbyllur ndeshjen e parë dhe një tjetër pretendent, Brazili. Notë jokaluese për Neymar-in në përballjen ndaj shqiptarëve të Zvicrës, ku Behrami i prish gëzimin e flokëve të katranosur si mos më keq.

Uruguaji ka fituar ngushtësisht në ndeshjen e parë të tij. Kanë fituar gjithashtu Franca, Danimarka, Kroacia, Serbia, Suedia, Belgjika, Anglia, Japonia dhe Senegali.

Çuditërisht nuk ka patur asnjë takim të mbyllur pa gola. Golashënuesit më të mirë janë dy deri tani, me nga tre gola: Cheryshev dhe Ronaldo; veçse rusi i ka shënuar në dy takime, ndryshe nga Ronaldo, të cilit i ka mjaftuar një takim për to.

Në ndeshjet e dyta veçohen përballjet Argjentinë – Kroaci, Serbi – Zvicër, Gjermani – Suedi. Takimet e treta në grupe nisin të hënën e 25 qershorit. /tesheshi.com/

 

Related posts