728 x 90 Leaderboard

Shpend Ahmeti: Kjo qeveri, e keqe edhe për Prishtinën

 

Shpend Ahmeti është pa dyshim testi i Vetëvendosjes në qeverisje, është treguesi se kjo forcë, tej rebelizmit emblematik politik, për të cilin ka marrë shumë epitete, si fjala vjen “parti rruge”, di dhe të jetë në krye të punëve dhe t’u japë zgjidhje atyre. Ndaj dhe misioni i Shpendit nuk është vetëm dhe ngushtësisht realizimi i një Prishtine të denjë për qytetarët e saj, por dhe një afirmim i faktit se VV jo vetëm kundërshton, por dhe ndërton; jo vetëm denoncon, por dhe jep zgjidhje. Në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com, Ahmeti flet për të gjitha këto, duke mos lënë mënjanë faktin se qeveris një qytet duke patur përballë jo një qeverisje qendrore aleate, por krejt kundërshtare dhe ja si e argumenton këtë….             

 20160526_154143

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Kryeministri Mustafa derisa ishte kryetar i Prishtinës gjatë viteve 2006-2013 në vazhdimësi e akuzonte qeverinë që nuk po e procedon ligjin për kryeqytetin. Si e interpretoni neglizhencën e tij për këtë ligj?

Si duket njerëzit po i ndryshojnë qëndrimet sipas pozitave që i kanë dhe kjo tregon mungesë të konsistencës së qëndrimeve të z. Mustafa. Pra, një njeri i cili është ankuar për gjashtë vjet sa ishte kryetar i Prishtinës se qeveria po e bllokon ligjin për Prishtinën, tani prej që është kryeministër – një vit e gjashtë muaj, akoma nuk e ka proceduar edhe pse pati premtuar se deri në fund të vitit do ta procedonte një draft. Për mua nuk është me rëndësi vetëm procedimi i ligjit, por edhe çfarë ligji do të procedohet. Prandaj, ideja ka qenë që sa më shpejt ta vënë në debat publik dhe ta diskutojnë qytetarët, shoqëria civile dhe partitë politike. Por ata kur po e bëjnë ligjin si duket po e mendojnë personin e jo ligjin për kryeqytetin, d.m.th më shumë janë duke menduar se çfarë kompetenca do t’i japin Shpendit, apo si ta bëjnë ligjin ashtu që të mos rizgjidhet Shpendi. Pra, ata nuk e mendojnë një ligj afatgjatë, por veten apo dikë tjetër në atë ligj. Prandaj, është shumë keq që Prishtina nuk e ka ligjin, por nuk është e domosdoshme që të kemi çfarëdo ligji. Është me rëndësi të diskutohet ai ligj.

Mosprocedimi i ligjit u përdor si arsye për mungesën e zhvillimit në kryeqytet dhe ishte ndër kërkesat kryesore të Kuvendit Komunal të atëhershëm ndaj qeverisë. Tani që e kanë këtë mundësi ekzekutive dhe nuk po e veprojnë, a mendoni se qëllimshëm ajo po e saboton zhvillimin e kryeqytetit?

Po, patjetër nuk është e rastësishme mosprocedimi i ligjit për Prishtinën. Pra, nuk ka më kurrfarë arsye që të shtyhet, të ketë diskutime të tjera. Ne kemi pasur ndihmën e Qeverisë Zvicerane në draftimin e ligjit, në ofrimin e çfarëdo ndihme sa i takon angazhimit të ekspertëve ligjorë, atyre për politika publike, etj. Mendoj që definitivisht është i qëllimshëm dhe kjo ka të bëjë ende me dhimbjen e shkaktuar nga humbja e Komunës së Prishtinës në vitin 2013.

A jeni të gatshëm të organizoheni me qytetarët apo t’ua mundësoni atyre ndonjë iniciativë për të propozuar idetë për përmirësimin e jetës së banorëve të kryeqytetit?

Ne organizojmë vazhdimisht takime me qytetarë. Vetëm në vitin e kaluar kemi organizuar diku rreth 50 diskutime publike, që do të thotë që kemi vënë rekord në këtë drejtim dhe gati se një herë në javë i bie që të kemi nga një takim. Në fillim vinin nga 20 persona, ndërsa tash vijnë 200 e më shumë në këto takime. Duhet pasur parasysh se këto nuk janë takime të lehta, pasi që askush nuk vjen të thotë që je duke bërë punë të mirë. Çdokush vjen me një hall të vetin. Por ideja është që sa më shumë qytetarët të flasin për problemet e lagjes, të organizohen jo vetëm për problemet e oborrit të tyre, por të krejt lagjes dhe kështu po shtohen kërkesat, ndriçimi, rrugët, mbledhja e mbeturinave dhe shumë çështje të tjera, të cilat për ne janë tepër të rëndësishme dhe jo vetëm që jemi të gatshëm, por mendojmë që janë të domosdoshme. Pa kërkesa të tilla, pa ide të qytetarëve, pa kontributin e tyre, Prishtina nuk do të zhvillohet.

Prishtina dikur ishte një qytet që kishte një baraspeshë mes ndërtimit dhe hapësirave të gjelbra, kurse që nga pas lufta jo për shkak të dëmeve të luftës, por edhe për shkak të degradimit urban, sot ajo konsiderohet një qytet i betonuar dhe pa diell. A e keni prioritet rigjelbrimin e qytetit?

Sigurisht se e keni vërejtur që hapësirat e gjelbëruara në qytet dita-ditës po shtohen. Nëse hyni nga Veterniku ju tashmë në anën e djathtë mund të shihni më shumë gjelbër. Përpara ka qenë dhé, beton, etj., dhe e keni patur ndjenjën që po hyni në një qytet të çimentuar plotësisht. Tani kemi filluar me rigjelbrim dhe ideja jonë është ta kthejmë balancin të cilin ju e përmendet. Ne kemi ndërtuar dy parqe të reja dhe sivjet po planifikojmë edhe të tjera. Kemi mbjellë rreth 300 mijë deri në 400 mijë lule, rreth 2000 drurë dhe në fund të vitit planifikojmë t’i mbjellim deri në 3000 mijë fidanë të tjera. I bëjmë këto që të ketë sa më shumë hapësira të gjelbra, sa më pak çimento e beton, sepse e thatë edhe ju se në 14 vjetët e fundit ka pas diku 2.5 miliardë euro që kanë hyrë në ndërtim, ndërsa rreth 100 milionë euro në infrastrukturë dhe shumë pak në gjelbërim dhe ju siguroj se ky i fundit është njëri prej prioriteteve tona.

Pothuajse çdo qytet në rajon, pavarësisht ndryshimeve politike dhe etnike, ka arritur ta ruajë identitetin dhe trashëgiminë e tij. Përveç Prizrenit, qytetet kosovare e kanë zhdukur pjesën e vjetër të qytetit. A jeni ju nostalgjik për Prishtinën e vjetër?

Prishtina më shumë se ndonjë histori arkitektonike ka pas një shpirt të vetin, d.m.th të gjithë ata që janë rritur në Prishtinë e dinë kur flasin për lagje të ndryshme, kur ka qenë dikush nga Dardania, Ulpiana, Lakërishta e kanë pas secila të veten. Mendoj që ajo po kthehet ngadalë, por e kemi edhe pjesën historike të qytetit, të cilën tashmë e kemi konservuar në aspektin që nuk lejojmë ndërtime, që përfshinë tregun dhe një pjesë të madhe përreth tij. Edhe aty ka presion të madh për ndërtime nga ana e vetë banorëve, por po mundohemi në të njëjtën kohë ta kthejmë edhe trashëgiminë kulturore. Pra, ne po luftojmë që t’i ruajmë përveç xhamive, hamamin, arkitekturën edhe të periudhës komuniste “trekëndëshin”, edhe pse ka presion për ta hequr, sepse është simbol i komunizmit, megjithatë ai ka 50 vjet që është dhe ka qenë në panoramat e Prishtinës. Pra, disi të ecim me kohën, por duke e ruajtur një pjesë të historisë që e mban të gjallë shpirtin e Prishtinës.

Prishtina njihet si qytetit i dy lumenjve, por këtë fakt shumica e qytetarëve as që e  dinë. A keni ndonjë plan për “zhvarrosjen” e këtyre lumenjve?

Vendim për varrosjen e lumenjve është marrë në kohën kur janë bërë ndryshimet me të mëdha në Prishtinë. Në atë kohë kryetar ka qenë Nazmi Mustafa, i cili sot konsiderohet një prej kryetarëve më kreativ dhe vendimtar për zhvillimin e Prishtinës që e kemi sot. Në atëbotë është parë e nevojshme zgjerimi i rrugëve dhe është marrë një vendim që të mbyllen lumenjtë.

Tash shtrohet çështja se a duhet të hapet një pjesë e tyre. Ne jemi duke diskutuar dhe në hartimin e hartës zonale jemi duke menduar se ndoshta është një ide e mirë që të hapet një pjesë e lumit Prishtina, e cili kalon pranë stadiumit të qytetit, por për ta bërë hapjen nevojitet një pastrim, sepse ka rrjete të kanalizimit të lidhura dhe do ta shikojmë koston se a ia vlen barra qiranë që ta bëjmë këtë, pra t’i zgjidhim çështjet e kanalizimit në një pjesë të lumit. Nëse është kosto e madhe të cilën nuk mund ta përballojmë, atëherë nuk mund ta bëjmë, por në qoftë se është kosto e mirë dhe kur dihet efekti i lumit jo vetëm në bukurinë e qytetit, por ka edhe në ato ambientale të cilat janë tepër të domosdoshme për një qytet si Prishtina, atëherë mendoj se kjo duhet bërë.

Ndonëse furnizimi me ujë është e përgjegjësi e qeverisë, ju çmoheni për kontributin tuaj për të siguruar furnizim 24 orë. Sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin e qeverisë dhe Ujësjellësit Regjional me Komunën e Prishtinës?

Nuk kemi qenë të kënaqur me këtë bashkëpunim. Drejtori ka qenë problemi kryesor i menaxhimit të ujësjellësit, derisa u deshtë që ambasadorja gjermane dhe ajo zvicerane t’i shkruajnë letër dhe ta kërcënojnë Qeverinë me ndaljen e krejt donacioneve nëse nuk e largojnë drejtorin menaxhues. Ky presion shtyu Qeverinë që ta largojë dhe prej atëherë punët kanë filluar të shkojnë më mirë. Sot kemi diku tetë lagje që kanë ujë të pijshëm 24 orë dhe besoj që deri në fund të vitit, diku nga muaji nëntor, në qoftë se nuk bëhen prapë ndryshime në menaxhim, do të kemi në tërë komunën e Prishtinës 24 orë ujë.

Ju jeni nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Si i shihni disa tendenca të shoqërisë civile për t’u përfshirë në proceset politike?

Fillimisht më lejoni të bëjë një sqarim. Unë nuk jam nënkryetar i LVV-së, sepse sipas statutit në momentin kur një anëtar merr një pozitë ekzekutive, atëherë ai duhet të dorëhiqet nga një pozitë e tillë. Në rastin tim, në momentin kur u zgjodha i pari i kryeqytetit edhe unë pushova nga kjo pozitë – nënkryetar i LVV-së, megjithatë jam një prej figurave që konsiderohen me kryesore në LVV. T’i kthehem pyetjes suaj. Nëse kritikojmë tendencat e shoqërisë civile, atëherë i bie të kritikoj vetveten, sepse edhe unë vije prej shoqërisë civile, pra prej një organizatë joqeveritare kam kaluar në politikë. Kjo është çështje individuale e secilit person. Unë në atë kohë e pata konsideruar se nuk jam duke bërë mjaftueshëm nga ana e shoqërisë civile dhe kam menduar që gjithë këtë punë që po e bëj po has në vesh të shurdhër të politikanëve. Kështu që mendova që kontributin tim më shumë mund ta jap duke u përfshirë direkt në politikë.

Politika i ka të mirat dhe të këqijat dhe secili individ duhet vet ta vlerësojë. Megjithatë, mendoj që ka anëtarë të shoqërisë civile që më mirë do t’i bënin Kosovës po që se do të kyçeshin në politikë.

A prisni rritje të Lëvizjes Vetëvendosje apo ndonjë ofertë nga këto grupe të shoqërisë?

Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt që ka shënuar rritje në pesë vitet e fundit. Shikojini sondazhet, shihet që votat e LVV kanë tendencë të rritjes. Tash disa kanë dëshirë të rritemi sa më shpejt, përfshirë edhe mua këtu. Por në të njëjtën kohë qëllimi kryesorë nuk është rritja e VV-së, në vetvete, pra nuk mund të them se ishim 15 e tash u bëmë 20 dhe jemi të kënaqur. Ideja është që ta ndërrojmë pushtetin në Kosovë dhe mjeti mund të jetë i ndryshëm, por në këtë rast mjeti më i mirë për mua është LVV-ja, por edhe bashkimi i opozitës. Unë kam qenë një prej personave kryesorë që ka shtyrë këtë bashkim, përkundër faktit që kam pas dyshime për disa nga anëtarët e tjerë. Ideja ime ka qenë që t’i bashkojmë të gjitha partitë, shoqërinë civile, ta bëjmë një front të përbashkët, i cili pastaj nuk ka më rëndësi a je lëvizje apo shoqëri civile, por të bëhet një forcë e cila nesër mund ta garantojë ndryshimin. Qëllimi im është ndryshimi i gjendjes në Kosovë. Në qoftë se VV ka shënuar rritje por nuk ka ndryshuar gjendja në Kosovë, atëherë nuk ka bërë asgjë që ta ndryshoj keqqeverisjen.

Ahmeti kur jemi te opozita, a ka gjasa që të bashkohet prapë opozita?

Unë po flas si kryetar i komunës dhe si i tillë e kam thënë publikisht që dëshira ime ka qenë që të jemi bashkë me shoqërinë civile, me të gjitha subjektet opozitare që t’i bëjmë rezistencë këtij pushteti. D.m.th kur e kam dëshirë ndërrimin e pushtetit, nuk mund të mos e kem dëshirë bashkimin e opozitës. Nëse ne ndahemi dhe themi ky nuk bën, ai nuk bën, ky është i keq e kështu me radhë, atëherë pushtetit ia bëjmë më të lehtë. Ata do të qeshin dhe gëzohen ngase e kanë të garantuar qeverisjen edhe për një kohë të gjatë.

Jeni kritikuar për pjesëmarrjen tuaj në protestat e organizuara nga opozita, e që në mesin e tyre kishte persona të dhunshëm të cilët dëmtuan pronën publike dhe private. Si keni arritur ta pajtoni me një anë të drejtën tuaj si qytetar për t’u shprehur dhe në anën tjetër si kryetar për mbrojtjen e interesave të qytetarëve tuaj?

Në një protestë ku janë, hajde nuk po them 100 mijë se mos po me kritikojnë, por mbi 50 mijë njerëz edhe me rregulluat dhe ligjet ndërkombëtare dihet që dhuna e bërë nga 10 apo 20 persona nuk e bën protestën të dhunshme, d.m.th nuk mund ta klasifikosh si të dhunshme. Unë nuk jam zgjedhur kryetar që të qëndroj në karrige dhe tash punën e kam në kompjuter dhe ju atje bëni çka të doni. Unë jam zgjedhur për ta arritur synimin e qytetarëve të Prishtinës. Mendoj që kjo qeveri është e keqe edhe për Prishtinën. Pra, kur mendoj që është e keqe për Prishtinën dhe kur iu them qytetarëve që të dalin në protesta, atëherë nuk ka kuptim që unë mos të jem aty, sepse i kam ftuar të tjerët të dalin, ndërsa vet po ik. Unë nuk pajtohem me hedhjen e çfarëdo gjësendi dhe këtë ua kam thënë në çdo forum. Prandaj, në mendjen time jam shumë i pastër, pasi që e kam të qartë se unë duhet të protestoj për interesat e mia, të qytetarëve të Prishtinës, por në të njëjtën kohë nuk e përkrahi në asnjë formë dhunën, dhe këtu kam parasysh çfarëdolloj të eskalimit të situatës, qoftë ajo me koktej molotovi, etj.

Fitorja e Vetëvendosjes në udhëheqjen e kryeqytetit ishte befasi. Megjithatë nuk arritët ta fitoni edhe Kuvendin. Sa është e rëndësishme që një kryetar komune ta ketë përkrahjen edhe të kuvendit?

Vërtet, kjo e ka rëndësinë e vet. Megjithatë mendoj që është më e rëndësishme të bëhet një shkëputje nga e kaluara e keqe e Prishtinës. P.sh, në qoftë se unë do të hyja në koalicion me LDK-në, do ta kisha përkrahjen e Kuvendit, por nuk do të ndodhte ndryshimi i Prishtinës që qytetarët e saj e presin. E dyta, me rëndësi është që asambleja ta ketë qëllimin e mirë, ajo mund edhe të mos më përkrahë, por ta ketë qëllimin e mirë. Mendoj që disa njerëz aty nuk e kanë qëllimin e mirë, mendojnë keq. Ata kanë qejf që t’i lënë keq qytetarët vetëm e vetëm që të dështojë Shpend Ahmeti. Pra, po të ishte që nuk pajtohen me mua për diçka është komplet në rregull, si p.sh. për rastin e autobusëve nëse dikush mund të thoshte ne nuk kemi nevojë për 51, por 30, jam tërësisht dakord. Por ky nuk është debati në Kuvendin Komunal. Debati është mos të lejojnë t’i sjellin fare çështjet dhe interesat e qytetarëve në Kuvend, e mandej të thonë se ja ku i dështojë një premtim dhe kështu me radhë. Por ne po fitojmë, ndërsa atyre kjo po iu kthehet bumerang. Nuk është me rëndësi për një kryetar që të ketë përkrahje blanko prej Kuvendit Komunal, në asnjë mënyrë! Mirëpo Kuvendi Komunal duhet ta mbajë përgjegjës kryetarin për krejt punët që i bën, por duhet edhe ta ketë qëllimin e mirë dhe nëse nuk e ka qëllimin e mirë, atëherë nuk i duhet fare as ajo përkrahje.

Ahmeti, janë bërë dy vjet që jeni në krye të kryeqytetit, a mund të na tregoni se cilat premtime të bëra në fushatë nuk i keni realizuar?

Prej 12 premtimeve që ia pata dhënë qytetarëve të Prishtinës, mund t’ju siguroj se një përqindje e madhe të tyre janë realizuar. Ato të cilat kanë mbetur janë autobusët, që mendoj se ky problem shumë shpejt do të zgjidhet; furnizimi me ujë, shpresoj që deri në fund të vitit do të rregullohet dhe një premtim të cilin vazhdoj ta mbaj, është banimi (publik) për punëtorët e sektorit publik. Gjitha të tjerat qoftë në arsim, shëndetësi, në planifikim urban, në tregun e prodhimeve vendore, ekonomi këto i kemi përmbushur ashtu siç kemi thënë.

A do të rikandidoni prapë për të parin e kryeqytetit?

Ka kohë për këtë dhe kjo tani nuk është prioritet. Prioritet imi mbeten punët dhe realizimi i projekteve për qytetarët e Prishtinës dhe kur të vjen koha e zgjedhjeve do të flasim për to. /tesheshi.com/

Related posts