Shkëlqimi dhe rënia e “çamëve”: nga çështje kombëtare në çështje e “të fortëve”

Nga Ermir Hoxha

PDIU hyn në stinën e re politike me një precedent unik. Themeluesi dhe kreu i saj, Shpëtim Idrizi, si dhe figura tjetër më imponuese e saj, politikisht dhe intelektualisht, Mesila Doda, mbeten jashtë parlamentit. Në vend të tyre, partinë me theks atdhetar do e përfaqsojnë individë pas asnjë status publik tërheqës, as atdhetar e as intelektual, e aq më pak politik. Dhe kjo nuk tingëllon hiç mirë për një forcë politike që duhet të qe model, meqë mban peshën e madhe të përfaqsimit të çamëve, një komunitet vital me shumë potenciale njerëzore cilësore….     

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e njohur si partia çame, për herë të parë do të përfaqësohet në parlament nga tre deputetë jo-çamë, dy biznesmenë nga Elbasani dhe vajza e një individi me influencë në Dibër.

Të tre ata kanë përdorur logon e PDIU-së për të bërë fushatë dhe për të hyrë në Kuvend me votat e tyre, jo vota për çështjen çame dhe programin e kësaj partie.

Kryetari çam i kësaj partie, Shpëtim Idrizi mbeti jashtë Kuvendit edhe pse pothuajse i grumbolloi votat e mjaftueshme për të marrë mandatin në Tiranë, por humbi garën në numërim me Partinë Socialiste.

Gjatë 4 viteve të fundit në aleancë me këtë parti, Idrizi kishte mundur ta ngrinte çështjen çame në një nivel të atillë ku nuk mundi të ishte në asnjë moment të historisë që pas genocidit ndaj popullsisë çame nga Greqia pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri Edi Rama u lidh në aleancë me Idrizin – ish kontigjent partiak i tij – i cili vinte nga një aleancë me pushtetin e mëparshëm të PD-së. Rama iu dha camëve disa zv/ministra, drejtori dhe postin e nënkryetarit të Kuvendit, ku u ul vetë Idrizi.

Më pas PDIU-së iu bashkua dhe një deputete e PD-së shumë aktive, Mesila Doda, e cila krijoi një profil dhe më shumë patriotik me fjalimet e saj në Kuvend dhe qëndrimet publike, duke promovuar një pan-shqiptarizëm si model i të menduarit politik.

Sakaq, qëndrimet e dinjitetshme të Ramës karshi Athinës, sikur i dhanë më peshë çështjes çame, që gjithsesi përfaqsimin më adeukat politik e kanë me PDIU-në.

Po pikërisht atëherë kur dukej se çamët kishin arritur të fusnin në brazdë një çështje e cila është dhe çështje kombëtare, atë të të drejtave të njeriut, një nyje e pazgjidhur e historisë me ligjin e luftës që paradoksalisht Greqia vijon të mbajë në fuqi, etj… erdhi dhe rënia tatpjetë e kësaj partie.

Me sloganin “Çam nuk lind, por bëhesh”, Idrizi tentoi modelin e LSI-së së Ilir Metës duke zgjeruar partinë nga jugu në veri me influencën e “të fortëve” në zona përkatëse me pak ose aspak prani came, duke shfrytëzuar pushtetin e “vendeve të punës” për të qenë pjesë e qeverisjes, etj..

Ai po ashtu tentoi të ishte aktor në lojën politike të muajve të pranverës, kur PD-ja u ngul në çadër dhe LSI në qeverisje i bënte presion Ramës. Edhe Idrizi mbajti një qëndrim të dyanshëm, ngjashëm si Meta, duke luajtur sa në portën e opozitës e sa në atë të qeverisë.

Ai madje u duk si një aleat i Ilir Metës pas një dreke me këtë të fundit, që ishte më shumë një mesazh presioni ndaj Ramës për bashkimin e votave që rrezikonin rënien e qeverisë në një Kuvend ku opozita mungonte.

Kështu që marrëveshja e 18 majit mes Ramës dhe Bashës nuk penalizoi vetëm LSI-në por dhe PDIU-në, e cila u detyrua të futej e vetme në zgjedhje.

Pa Idrizin dhe Dodën, dy figurat përfaqësuese politike të kësaj partie, tashmë çështja çame ka mbetur në dorën e tre deputetëve të tjerë që s’kanë asnjë lidhje organike me këtë parti dhe me këtë kauzë, e që mandati ju duhet dhe do e shfrytëzojnë me gjasë, për shtrirjen e influencës së tyre në zonat nga vijnë.

Aqif Rakipi dhe Bujar Muça janë dy biznesmenë pa profil politik, ndërsa 22-vjeçarja Reme Lala nga Dibra, e konsideron mandatin e saj si “mandat të dibranëve: dhe partinë si “parti të dibranëve”. Në të parën  deklaratë publike sapo fitoi mandatin, ajo përmendi vetëm çështjen e Rrugës së Arbërit, një akt tejet kuptimplotë për të kuptuar deformimin e kauzës çame nga kreu i PDIU-së, Idrizi, viktimës e së cilës ka rënë dhe vetë tashmë. /tesheshi.com/