SHËNIM: A meriton t’i bëhet “share” shfrimit të Bujar Asqeriut?

Nga Ermir Hoxha

Një shfrim i aktorit të njohur Bujar Asqeriu dje në protestën e një pjesë të stafit të Teatrit Kombëtar është bërë hit në rrjete sociale. Fjala “trapin” – “këta as që e çajnë trapin…”, ishte më elektrizuesja për qindra e mijra shqiptarë që u ndjenë të këndellur nga përfaqësimi edhe i tyre me këtë fjalë. Por ata u thanë nga një artist, që nuk është hiç e denjë që ndër vite, tej roleve, ajo që do iu lërë në kujtesë brezave nga i vetmi fjalim publik, do jetë fraza “ata as që e çajnë trapin…”.

Parë ftohtë nuk është ndonjë gjetje inteligjente. Është ndër ato shprehitë e rëndomta që i has ngado dhe te shumëkush në jetën urbane shqiptare. Varfëria jonë nuk është vetëm materiale; ajo shfaqet dhe tek mania persekucioni plus deliri madhështie, se për ne, individualisht apo kolektivisht, askush nuk e çan trapin. E has më të theksuar këtë tek grupime që profesionin e kanë të përshkruar nga filli artistik. Vetë natyra e profesionit, është e atillë që e vendose atë – artistin – ose më saktë ai e vendos veten në qendër të botës.

Ne, pjesa konsumatore e produktit të tyre, ngase nuk e shohim pjesën tjetër, tej skenike, tej artistike, priremi t’i shenjtërojmë duke harruar se dhe ata janë porsi ne në gjithë spektrin e jetës, duke përfshirë dhe utilitaritetet më të rëndomta. Madje ka gjasë që në të menduarit e përditshëm të mos u ngjajnë fare personazheve që na magjepsin, në kuptimin e realizimit artistik.

Kohë më parë, aktori Rreshat Arbana pati një angazhim artistik në disa aktivitete kulturore me natyrë fetare. Dhe ndodhi që komunitetet përkatëse ta shihnin si të tyrin në besim, molepsur nga kualiteti i lartë artistik i kumtimit poetik të mesazhe respektive, të këtij apo atij besimi. U desh kohë të kuptohej prej tyre se ai thjesht po ushtronte profesionin e tij, me të cilin ka krijuar familje, bërë shtëpi e katandi, që pra ushqehet e mbahet me të. Është tjetër më pas bota e tij e brendshme shpirtërore, artisti që gjendet aty pa kushtëzime materiale, të cilat mund të hasen dhe tek profesione të tjetra pa asnjë fill artistik.

Dhe meqë jemi tek kriza e Teatrit Kombëtar, aty dhe jo vetëm, ngjashëm dhe me vatra të tjera kulture, pas produktit skenik që është brenda suazave të profesionit, do hasësh rëndomësi të tilla që burojnë nga xhelozi a cmirë, nga lekizëm apo karrierizëm, nga inate a hatërmbetje, prej atyre që të lënë pa fjalë. Por që është e justifikueshme nga vetë natyra paradoksale e artistit. I yshtur për të jetuar me ndjesi deliri, hajvanllëqet që mund të prodhojë më pas nga ky delir janë të pafre. Ka diç prej kësaj dhe te “Paradoksi i aktorit” të Didero, ku ai tenton ta zhveshë nga emotivitetet për ta lënë thjesht një profesionist të ftohtë.

Bujar Asqeriu pritej të shprehej krejt ndryshe, nëse ne e gjykojmë si artist e jo si naftëtar Ballshi. Se tek e fundit, çdo grupim profesional a shoqëror në Shqipëri, jeton me perceptimin deri në bindje, se për të nuk e çan trapin askush. Tek ne, ende nuk ka një fushë, një sektor, arti ose jo, ku punët të venë vaj. Gjithkund e kudo, në art, sport, arsim, bujqësi, industri, miniera, transport, peshkim, gjueti, turizëm, punët janë kokolepsur keq. Është një majisje problematikash të krijuara në vite, po ku prirja është për t’i parë si të reja, dhe mbi të gjitha çdokush që u përket fushave përkatëse, jeton me fiksimin se atij i është bërë padrejtësia më e madhe. Dhe nuk është habi që në krye të ankimtarëve të qëndrojnë artistët. Për ta, e gjithë bota, kuptimi e vlera e saj janë nga dera e teatrit e brenda. Ata nuk e kanë problem as të të fyejnë nëse nuk je si ata, nuk mendon si ata e nuk i ndjek ata. Një minzatropizëm i pafalshëm!

Edhe pse aktiviteti tyre, profesioni që kanë, në kushte shqiptare është i ngërthyer nga qindra problematika të sferës menaxheriale, çështjen e tregut e kanë të rregulluar vetvetiu që kur ra sistemi. Ata mundet ta provojnë veten në skena të huaja, por dhe brenda kanë plot shanse të mbledhin spektatorë  – pra të fitojnë para – nëse janë të aftë.

Ka sosh që nuk u dëgjohet zëri, e që për shfaqjet që japin nuk gjenden bileta; siç kanë nga ana tjetër dhe nga ata që njihen vetëm për protesta e përplasje, pa mundur që të lënë në kujtesën e publikut qoftë dhe një vepër të vetme me vlerë.

Nga ana tjetër, artistët, nëse vetëndihen kështu dhe në një kuptim patologjik, duhet ta rezervojnë veten nga prezantimi publik si hallexhinj. Ata realisht mund të jenë të tillë, dhe kjo më së pari tregon se ata qenkan njerëz, si të gjithë ne, edhe si naftëtarët e Ballshit. Por nga ana tjetër, atyre u ka rënë të jetojnë në Shqipëri e të jenë shqiptarë, t’i përkasin kësaj kohe e jo ndonjë tjetre, t’i përkasin po ashtuj këtij tregu, pa ndonjë vendim qeveritar. Në këtë pikë, “kafshat e gojës” në gojën e të madhit skenik Robert Ndrenika, ishte krejt pa sens.

E provoi Hollivudin Timo Flloko – dhe meqë ra fjala te Timoja, mos prisni që ndonjë ditë të shihni dhe atë të rebeluar në këso forme me kësi gjuhë; është prerje krejt tjetër, me arsye edhe gjenetike pse është ashtu – dha e mori sa mundi matanë Antlantikut e u kthye. Mund ta kishte bërë këtë dhe Ndrenika e të tjerë ankimtarë si ai gjithë këto vite, aq më tepër që ’90-ta i kapi në moshë me aktivitet e energji maksimale.

Kohë më parë, në një studio televizive pati një debat mbi problemet e TK-së, ku njëri që pëlqen t’ia rendisë vetes të qënit pedagog, aktor, regjisor etj., pasi u rrotullua e rrotullua në diskutime e replika të natyrës artistike me eprorin e vet dhe një kritik arti, në fund e nxorri nga xhani hallin më të madh që e mundonte: të ardhurat mujore nuk i kishte të mjaftueshme! Kaq kishte qenë e gjitha.

Po, ne kemi nevojë për artistë, shoqëria jonë nën ankth e stres ka nevojë për ta, jo për shfrime si para një gote rakie, por për modele etike, urtësie, idesh e optimizmi që përçohen më filantropisht. Kemi nevojë që më së paku, ata, prej të qënit artistë, protestën e tyre, gjuhën, stilin e komunikimit publik, ta kenë më artistik.

Kjo, pa llogaritur faktin se ekziston një tjetër komunitet artistësh, pavarësisht nëse janë në numër po aq sa të rebeluarit, që punojnë, bëjnë art, fitojnë maksimalisht në raport me tregun, duke preferuar të jenë më së pari profesionistë…më shumë sesa artistë!

Ndaj, shfrimi i Bujar Asqeriut nuk është diçka që ia vlen t’i bësh share. Duke qenë një shfrim i rëndomtë, Asqeriu i humbi shumë vetes nga artisti. /tesheshi.com/

 

Related posts