Auto Dak
Auto Dak

SFIDA/ Kush e hëngri e hëngri…Ja çfarë është realisht mania FaceApp

Këto ditët e fundit, aplikacioni Faceapp ka marrë hov të paparë në media sociale.

#faceappchallenge madje u bë një nga hashtag-ët më të popullarizuara në rrjet. Kjo sfidë përfshin postimin e një selfie të edituar me një aplikacion të quajtur FaceApp dhe përdorimi i një filtri që në mënyrë digjitale i shton dhjetëra vite imazhit tuaj, duke parashikuar dukjen tuaj në pleqëri.

Sigurisht, kur miqtë tuaj shohin veten tuaj pas 30 vitesh, ata shkrihen së qeshuri. Ju merrni kënaqësinë e disa “likes” më shumë, para se të ndiqni qorrazi sfidën e radhës që e vendosin trendet sociale. Misioni u kompletua.

Teksa e hëna vërshoi nga #faceappchallenge, Joshua Nozzi, një zhvillues softuerik, dha alarmin për kujdes nga FaceApp, pasi sipas tij, ajo në mënyrë automatike ngarkon fotografitë tuaja pa ju pyetur fare.

Shumë media e dhanë alarmin, dhe, kush e hëngri e hëngri…

Por shqetësimet e shtuan kur disa zhvillues të tjerë programesh pretenduan se FaceApp ishte një program rus. Siç mund të keni dëgjuar, kur përmendet fjala “rus”, askujt nuk i shkon mendja për mirë. Me gjasë, e shkreta shkon te spiunimi, shantazhimi dhe keqpërdorimi i të dhënave, “virtyte” këto tipike ruse.

“Aplikacionit të cilit me dëshirë po ia dhuroni tiparet e fytyrës suaj thotë se është me bazë në Shën Petersburg të Rusisë”, thotë një artikull i New York Times. “Dhe ne i njohim rusët, apo jo? Ata duan të vjelin të dhënat tuaja për qëllime poshtëruese. Jo si teknologët amerikan, jo… ata duan vetëm ta bëjnë botën më të lidhur mes vete…” shkroi me ironi media amerikane, duke kujtuar shkeljet e privatësisë që kompania amerikane Facebook i ka bërë herë pas here.

Por gjakrat u ftohën të mërkurën. Një hulumtues francez i sigurisë me pseudonimin Elliot Alderson i bëri një kontroll specialistik aplikacionit dhe vuri re se ajo nuk ngarkon fotografitë nga galeria, por vetëm atë foto që po i modifikoni. Kështu që flini rehat. Ju që ishit kurioz të dini nëse i përngjani më shumë nënës, babait apo gjyshërve, flini zbathur. Rusët nuk ju kanë pushtuar.

Alderson madje thotë se aplikacioni mori më shumë nam pas pretendimeve se është pjesë e hakerëve rusë.

E vërteta është se epoka digjitale sjell të papritura që ne laikët e teknologjisë i shohim vetëm me gojë të hapur.

Ndërsa aplikacioni i pasuron si “Super Mario” krijuesit e tij, ne dhurojmë kohën dhe tiparet tona për kompani kushedi se çfarë. Morali i këtij tregimi modern është se ju nuk duhet të lodhni kokën nëse ky program është rus, kinez apo amerikan.

Ju duhet të lodhni kokën, se pse në fakt duhet të dimë se si do të dukemi kur të plakemi. Fundja, a e dimë saktë a do ta mbërrijmë pleqërinë? A nuk na tregon pasqyra se kujt i ngjajmë dhe si kush kemi gjasa të dukemi?

Tjetra gjë për të cilën do të duhej të lodhemi është se ne po pranojmë që fytyra jonë të mos na takojë më vetëm neve.

Ne e hedhim atë në shitje (mbase edhe për rusët). Nuk thonë kot, kureshtja e mbyti macen!

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts