Seanca për Haradinaj teatralitet! Ja ç’tha Thaçi, Mustafa e Veseli kur Ramushi u arrestua nga Sllovenia

Nga Blendi Gashi

Brenda dy vitesh, Kuvendi i Kosovës është mbledhur dy herë për të debatuar mbi Ramushin, për të dy rastet e arrestimit të tij, njëherë në Slloveni, e së fundi në Francë. Dhe kjo pasi në dy herët mbi të ka vendosur fletë-arrestet serbe.

Kjo ka ndodhur për shkak se institucionet e Kosovës, 17 vjet pas çlirimit dhe 9 vjet nga pavarësia nuk kanë marrë asnjë veprim për të kërkuar që të pastrohen listat dhe të mos arrestohen ish-ushtarët e UÇK-së me urdhër-arreste të lëshuara nga koha e Millosheviqit.

Në vend që të kushtëzonte dialogun me këtë çështje tejet të ndjeshme, pala kosovare shkoi në Bruksel me duar në xhepa dhe asnjëherë nuk guxoi t’i kërkojë palës serbe pastrimine  listave.

Andaj, thirrja e seancave të jashtëzakonshme për raste të tilla shihet pa kurrfarë efekti; për më shumë është një rast që ligjvënës të caktuar të shesin patriotizëm dhe në fund të nxjerrin një rezolutë që nuk do të jap asnjë rezultat.

Edhe në seancën e së martës, ashtu edhe si në atë të 18 qershorit ku u debatua për arrestimin nga Sllovenia, shihet se fjalimet e drejtuesve të shtetit dhe deputetëve të caktuar janë boshe dhe shumica hipokrite. Po të vësh re fjalimet e tyre, ato janë shumë shtampë, me shprehje të tilla a thua se po zbulojnë ndonjë kontinent të ri kur thonë se “Serbia po ndjekë një politikë armiqësore me Kosovën”, “Serbia po sillet me mentalitet të Millosheviqit”, etj.

 

Arrestimi i Ramushit në Slloveni, ja ç’kërkonte rezoluta e 18 qershorit 2015-të e miratuar nga Kuvendi

Më datë 18 qershor Kuvendi me 65 vota pro, miratoi Projektrezolutën për arrestimin e Ramushit ku dhe ju dërgua notë proteste shtetit të Sllovenisë.

Rezoluta:

–           Qeveria dhe presidentja të kërkojnë urgjentisht nga autoritetet sllovene kthimin e menjëhershëm dhe pa asnjë kusht të pasaportës diplomatike dhe jelimin e kthimit në Kosovë për ish-kryeministrin, kryetarin e AAK’së, deputetin, Ramush Haradinaj;

–           Qeveria e Kosovës të kërkoi urgjentisht Brukselit pastrimin e menjëhershëm të listave për fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për ish-ushtarët e UÇK-së;

–           Institucionet e Kosovës t’i drejtojnë notë proteste shtetit slloven.

 

Po ja ç’thanë kryeministri, kryekuvendari e ministri i jashtëm më 2015-të

Në këtë seancë të gjithë krerët e shtetit dënuan ashpër arrestimin e Haradinajt nga shteti slloven, njëjtë siç bën edhe rastin e fundit, tani kur është arrestuar nga Franca.

Kryeministri Isa Mustafa deklaroi atë kohë se “ne duhet të kërkojmë që ky problem të zgjidhet, por me marrëveshje ndërkombëtare në Bruksel”.

Kryekuvendari Kadri Veseli që mori fjalën si deputet deklaroi se “veprimet e tilla janë të papranueshme dhe si të tilla kanë shkaktuar shqetësime për të gjithë qytetarët e vendit”.

Ndërsa atë kohë ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi pohoi se “problemi në këtë rast nuk është Sllovenia por Interpoli” dhe se shtoi se “ky fenomen është shqetësues”.

Ai e quajti të pajustifikueshme ndalimin e Ramush Haradinajt, por që kjo çështje sipas Thaçit duhet të diskutohet seriozisht në Bruksel dhe kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Andaj, edhe rezoluta që pritet të miratohet  me rastin e arrestimit nga Frabca, sigurisht do ta ketë fatin e rezolutës së 18 qershorit 2015, pra zero efekt. /tesheshi.com/

 

Related posts