Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

RRËFIM/ Labirinthe personaliteti: E fortë, empatike, mirëkuptuese

Një intervistë në lidhje me gratë shqiptare në sferën publike #52GraShqiptare.

Nga Alice Taylor

Nada Dosti është një aktiviste, gazetare, editore, nënë dhe gjuhëtare. Ajo ka mbaruar për përkthim-interpretim në Universitetn e Tiranës dhe Gazetari në Ankara. Mund të flasë 5 gjuhë: anglisht, italisht, turqisht, maqedonisht dhe arabisht.

Ajo është muslimane me hixhab dhe është përqëndruar në punën e saj për të promovuar tolerancën dhe diversitetin si dhe luftimin e islamofobisëe forma të tjera të diskriminimit. Pavarsisht se jeton në Ankara, ajo udhëton shpesh Turqi-Shqipëri.

Më trego për veten tënde sikur të ishim takuar për herë të parë…

Unë jam Nada Dosti, nga Durrësi dhe jetoj në Ankara, Turqi, për më shumë se shtatë vjet tashmë. Kam punuar si gazetare e pavarur për rreth 10 vjet dhe aktualisht jam duke punuar si redaktore (freelance) për një institut kërkimor (TUBITAK).

Në vitin 2014 së bashku me disa mikesha të mija aktiviste, themelova Muslimania.al e cila është një webfaqe me qëllimin për t’u dhënë zë grave muslimane shqiptare, duke adresuar racizmin anti-musliman dhe gjuhën e urrejtjes, duke promovuar diversitetin dhe duke sjellë histori sukses të grave në fusha të ndryshme. Muslimania.al i jep mundësinë komunitetit tonë të flasë (përmes seksionit “Zëri juaj”) dhe të ngrejë zërin kundër padrejtësive shoqërore,  në lidhje me çështje të ndryshme që shqetësojnë komunitetin tonë dhe shoqërinë në përgjithësi.

Temat për të cilat unë zakonisht shkruaj, përfshijnë çështjet gjinore, islamofobinë dhe çështje të tjera që shqetësojnë gratë myslimane. Gjithashtu shkruaj për portale dhe revista të ndryshme.

Unë jam nënë e një djali 6-vjeçar gjysëm durrsak gjysëm tropojan që flet shqip, turqisht dhe anglisht, e që më është bashkuar në një numër aktivitetesh në të cilat kam marrë pjesë që kur ka lindur.

Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni dhe keni përballur në të kaluarën?

Mësova mbi padrejtësinë në mënyrën më të rëndë të mundshme. Ju ftoj të të imagjinoni një zonjushë 14-vjeçare, me një karakter të fortë, të pjekur dhe me një ide të qartë për identitetin e saj. Një grua e re muslimane që kishte ëndërr të studionte në një shkollë fetare, kështu që ajo të mund të mësonte më shumë rreth fesë së saj, dhe dëshironte të tregonte identitetin e saj duke zgjedhur të vishte hixhabin. Imagjinoni tani se si ëndrra e saj iu mohua nga njerëzit që i donte më së shumti: familja e saj.

Pas një beteje rraskapitëse, ajo arriti të korrë sukses, megjithatë, jeta nuk ishte aq e lehtë. Ajo e provoi mbi kurrizin e saj se çfarë do të thotë të mos pranohesh nga shoqëri vetëm për shkak të identitetit tënd. Ajo u përball me ngacmime nga njerëzit në rrugë, u përball me komente diskriminuese, abuzim verbal, komente pas shpinës, duke u dëbuar nga universitetit i qytetit (i Durrësit) dhe u detyrua të transferohej në Tiranë për të studiuar. U gjykua nga shokët e klasës dhe profesorët, duke e pyetur “a flet shqip?”; u refuzua nga shumë intervista pune me justifikimin “paraqitja juaj nuk është e përshtatshme për këtë punë”; jetonte dhe sillej duke qenë nën presion gjatë gjithë kohës duke u mundurar të “sillej në mënyrë të përsosur” sepse çdo gjë që do të vepronte ose thoshte, do të përdorej kundër fesë suaj – dhe jo kundër jush- në “gjykatë”.

Si i tejkalove të gjitha këto peripeci?

Ashtu siç veprojnë të gjithë njerëzit e fortë: duke mos hequr dorë kurrë. Kam mësuar si të kundërpërgjigjem, si të kërkoj të drejtat e mija dhe të luftoj padrejtësitë. Kam mësuar si të tërhiqem për pak, të marr pak kohë për veten duke pushuar, dhe të përpiqem përsëri.

Si e sheh një shoqëri të përsosur?

Në fakt, nuk e kam menduar ndonjëherë, sepse duket si një nocion tepër idealist dhe nuk besoj se ekziston një “shoqëri e përsosur”. Megjithatë, të studiuarit për një semestër në Maqedoni, udhëtimet e mia në të gjitha vendet e Ballkani dhe disa vende në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme, si dhe jetesa në Turqi, më ka ndihmuar të mësoj shumë për kulturat dhe njerëzit nga e gjithë bota. Jam e sigurt për një gjë: ajo që dua më shumë është multikulturalizmi dhe diversiteti. Pra, hipotetikisht, një “shoqëri të përsosur” do e përfytyroja si një shoqëri që është themeluar mbi bashkëjetesën midis multikulturalizmit dhe diversitetit duke respektuar të drejtat e njëri-tjetrit.

Tregomë për të qenurit një grua shqiptare në 2020?

Të jesh grua shqiptare në vitin 2020 do të thotë të përballesh (ende) me shumë luftëra. Femicidi (vrasja e grave) është ende një tragjedi e madhe e shoqërisë. Gratë shqiptare ende duhet të përballen me shumë pengesa si shovinizmi mashkullor dhe patriarkalizmi. Ato  luftojnë për çdo ditë me mijëra beteja dhe po përpiqen të bëjnë më të mirën e mundshme për të vazhduar përpara dhe për t’u ngritur lart. Fatkeqësisht, si gra, nuk kanë mbështetjen e nevojshme nga gratë e tjera, duke filluar nga nënat e tyre që i rrisin, të cilat u mësojnë si të mbyllin gojën dhe të qëndrojnë heshtur, nga vjehrra, nga kolegët, miqtë etj. Gratë shqiptare e ndjejnë mungesën e rol-modeleve dhe mentoreve të cilat do kujdesen që t’i udhëzojnë dhe ndihmojnë të mbajnë kokat e tyre sa më lart.

Por gjendja nuk është e pashpresë. Unë besoj në të vërtetë se ka shumë përjashtime, dhe ky projekt (52 Gra Shqiptare) është një përpjekje e mrekullueshme për ta vërtetuar këtë. Ka shumë gra atje që përpiqen të japin maksimumin për të arritur sukses dhe për t’i treguar botës dhe veçanërisht vajzave të reja se mund t’ja dalin!

Cili është plani yt pas 5 vitesh?

Gjatë vizitave të mia kohëve të fundit në Shqipëri, kam qenë e ftuar në raste të ndryshme për të folur me vajzat në shkollat ​​e mesme dhe universitetet. Më lëndoi aq shumë fakti që lexova aq shumë mungesë shprese, vajza të reja pa ëndrra dhe pa plane për të ardhmen në sytë e tyre. Vajza kaq të demoralizuara dhe që kanë nevojë për rol-modele, frymëzim dhe motivim. Kështu që, në pesë vitet e ardhshme do të dëshiroja të gjeja mënyrën e duhur për të arritur qëllimin tim për të frymëzuar vajzat e reja në Shqipëri. Njëkohësisht do përpiqem të përqëndrohem më shumë në objektivat e mia sa i përket karrierës. Ende nuk kam vendosur nëse do të filloj një doktoraturë në fushën time të studimeve apo të përqendrohemi më shumë në aktivizmin e mësimdhënies jo-formale.

Por një gjë për të cilën jam e sigurt, është fakti që nuk e shoh veten në fushën akademike. Pasi kam investuar kaq shumë energji dhe kohë për të fituar përvojë dhe njohuri se si të trajnoj dhe të frymëzojë të tjerë në mënyrën më të mirë, tashmë mendoj se është koha të jap nga ajo që kam mbledhur gjatë gjithë këtyre viteve në aktivizëm. Plani im 5-vjeçar do të jetë një përpjekje për të krijuar një ekuilibër midis jetës sime personale-familjare, karrierës dhe aktivizmit që është një betejë e vazhdueshme midis marrjes dhe dhënies.

A je, apo a ke qenë ndonjëherë e frikësuar për shkak të punës tënde?

Të punosh për media të ndryshme si gazetare e pavarur ndonjëherë mund të jetë e rrezikshme për sigurinë tënde, por edhe për karrierën. Asnjëherë nuk mund të jesh 100 përqind e sigurt për axhendat që fshehin pas mediat me të cilat je lidhur. Andaj nuk është e thjeshtë të jesh një gazetare e pavarur.

Kur flisni kundër padrejtësisë sociale duhet ta bëni këtë në një mënyrë të zgjuar. Sigurisht që kam marrë kërcënime për shkatërrimin tim, të familjes sime dhe karrierës. Normal që është shumë e pakëndshme të qenit nën presion gjatë gjithë kohës, veçanërisht kur nuk keni mbështetjen e të afërmve dhe miqve që thjesht mendojnë se duhet të hiqni dorë.

Pasi linda djalin tim, të gjithë bënin supozime të tilla si “Ti akoma vazhdon me këtë punë?” ose “Tashmë je nënë, a nuk mendon për djalin tënd, nëse nuk kujdesesh për veten të paktën mendo për të dhe familjen tënde”.

Shumë nga të afërmit dhe miqtë e mi, dhe gjithashtu disa OJQ, në një moment të caktuar të jetës sime nuk donin të kishin lidhje me mua dhe u përpoqën të më shmangnin.

Një herë, kur udhëtova për në Palestinë për të shkruar një histori udhëtimi, më ndaluan për katër orë gjatë nisjes dhe gjithashtu në kthim, një marrje në pyetje e vërtetë për çdo detaj të jetës dhe punës sime. Unë e quaj këtë “fatin tim kryqëzues”, që do të thotë se je në shenjestër gjatë gjithë kohës, sepse je nga Shqipëria (anëtare e Organizatës së Kooperimit Islam) jeton në Turqi, muslimane, me hixhab dhe gazetare. Kjo më shndërron në një objektiv shumë të lehtë sidomos në aeroporte dhe veçanërisht në “Ben Gurion” (Aeroporti në Tel Aviv). Dhe sigurisht, nuk i tregova askujt se po udhëtoja për në Palestinë, përveç burrit tim, vetëm e vetëm për të shmangur komentet e rastit të tipit: “A po shkoni në një zonë lufte, a je e çmendur, a dëshiron të vritesh atje?”

Së dyti, më mërzisin shumë ato situata kur njerëzit që më gjykojnë duke patur parasysh atë  stereotipin e gazetarit që edhe gjatë një bisede normale për një temë delikate mendojnë se do ta përdor në shkrimin tim. Ata thonë “të lutem mos shkruaj gjë për këtë që po flasim”, “aman se mos më përmendësh në media” ose “se mos shkruan ndonjë artikull për këtë.”

Gazetarët nuk janë të gjithë të tillë!

Çfarë këshille do t’i jepje vetes tënde të re?

“Jeta është tepër e shkurtër për të mësuar gjermanishten”, thonë! Më mirë nisja që tani!

Nëse jo gjermanisht, të lutem mësoni dy gjuhë të tjera sepse kur të arrish në moshën time, pesë gjuhë të huaja nuk do të jenë të mjaftueshme për të përmbushur vetë-pritshmëritë e tua.

Të lutemi lexo më shumë libra dhe udhëto më shumë! Tani, sa më parë! Mos prit derisa të kesh shumë më shumë angazhime dhe përgjegjësi.

Dhe së fundi, a e mbani mend atë ëndrrën tënde për të shpëtuar botën? Anulloje misionin! Po e përsëris: Anulloje misionin! Marrje!

Më mirë fillo të shpëtosh veten, komunitetin tënd dhe më pas vendin tënd. Sepse shpëtimi i botës është një mision pothuajse i pamundur, njëjtë sa misioni i mësipërm!

Cila do të ishte këshilla juaj drejtuar grave të tjera të cilat e gjejnë veten në fjalët e tua?

E di që nuk është e lehtë, e dashur, por ka për t’ja vlejtur një ditëv! Cilado qofshin mundimet tuaja, mos ndalo së luftuari për të drejtat tuaja. Mos heshtni kundër padrejtësisë, por kur të ngrini zërin, bëjeni atë në një mënyrë të zgjuar dhe me mjetet e duhura. Mbështetni gratë e tjera në vend që t’i hidhni poshtë ato.

Përshkruaje veten në tre fjalë

Kjo qenka dhe pyetja më e vështirë, megjithatë do përpiqem të jem sa më e sinqertë:  E fortë, empatike dhe mirëkuptuese! /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com