728 x 90 Leaderboard

Rezistenca vendase: si e ndryshoi Kreta rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore

Rezistenca kretane shkaktoi rënie të madhe të moralit të nazistëve gjermanë dhe me gjasa është edhe arsyeja përse Hitleri nuk arriti të pushtonte Bashkimin Sovjetik.

Ndërsa makina ndalon pranë një ullishteje, udhërrëfyesi i guidave turistike, Stelios Tripalitakis nis të kërkojë midis trungjeve të shformuar, duke ndaluar për të parë më mirë objektet që gjen në tokë. Turistët e ndjekin me durim duke u përpjekur t’i shpëtojnë diellit të fortë të Kretës.

35-vjeçari Tripalitakis është një prej shumë gjuetarëve të thesareve të kohës së luftës, që ia përkushton orë të tëra të jetës së tij “krehjes” që ishullit për relike ushtarake të lëna pas kur nazistët pushtuan Kretën gjatë luftës së Dytë Botërore. Përgjatë dy dekadave ai ka dalë të grumbullojë një koleksion prej më shumë se 40 mijë objektesh, duke e transformuar dhomën e tij të ndenjies në një muzeum të vërtetë.

Ndërsa kërkon objekte të reja për t’ia shtuar koleksionit të tij, ai u rrëfen turistëve se rreth 70 paratrupa gjermane u vranë nga fshatarët e zonës në këtë ullishte që nuk ka ndonjë gjë të veçantë në dukje. Edhe pse trupat e tyre u

Stelios Tripalitakis ia ka kushtuar jetën “krehjes” së Kretës për relike të luftës së Dytë Botërore.

transferuan në një varrezë zyrtare gjatë viteve 1960, shumë objekte personale si helmeta apo thika mbetën aty. “Kjo tokë është pastruar nga fermerët së fundmi”, thotë Tripalitakis. “Kështu që mund të gjej, ndoshta, ndonjë gjë të re”.

Kreta është një vend ku e kaluara përndjek të tashmen. Pozicioni strategjik i ishullit në Mesdhe ka nxitur pushtime të pafundme, që nga venecianët dhe osmanët e deri, së fundmi, nga nazistët.

Ushtria e Hitlerit ia vuri syrin ishullit të Kretës në maj 1941, pas pushtimit të Greqisë një muaj më herët, duke nisur një sulm ajror mbi ishull me avionë pa motorr dhe trupa parashutiste.

Banorët e Kretës u bashkuan me 40 mijë trupat britanike, greke, australiane dhe të Zelandës së Re në mbrojtjen e ishullit, duke rrëzuar shpesh parashutat me pushkët e tyre. Sidoqoftë, forcat aleate e gjykuan keq sulmin, dhe pas tetë ditë luftimesh intensive, Kreta ra në duart e gjermanëve dhe aleatët u tërhoqën.

Duke u ndjerë të braktisur, kretanët të cilët vetëm katër dekada më parë kishin luftuar dhe fituar betejën për pavarësi pas 250 vjetësh të sundimit osman, dolën nga shtëpitë e tyre dhe vazhduan të sfidojnë forcat e Hitlerit duke përdorur të gjitha llojet e armëve që kishin. Ishte hera e parë që gjermanët përballeshin me kundërshti domethënëse nga një popullsi vendase. Rezistenca kretane besohet se vonoi në mënyrë fatale pushtimin nazist të Bashkimit Sovjetik, ndërkohë që në reduktoi po ashtu, numrin e trupave të gatshme për misionet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Pavarësisht sulmeve të përsëritura nga nazistët në fshatrat dhe komunitetet e ishullit, Rezistenca Kretane mbeti aktive deri sa gjermanët u dorëzuan katër vjet më pas, në vitin 1945.

Kjo periudhë në histori pati një ndikim madhor në identitetin e kretanëve dhe madje, edhe fshati më i vogël mban një memorial. “Kreta gjithnjë është çliruar vetë. Të gjithë kanë luftuar përherë për lirinë e tyre”, thotë Tripalitakis.

Qyteti i lindjes së Tripalitakis, Galatas, sapo del nga qyteti i madh i Chania në bregun veri-perëndimor të ishullit, u pushtua nga gjermanët në ditën e gjashtë të luftimeve. “Kur isha 12 vjeç, bashkia e Galatas publikoi një revistë të vogël për betejën dhe e shpërndau falas tek nxënësit e shkollave fillore”, kujton ai. “U mahnita”.

Interesi i tij po ashtu, u nxit nga mbetjet ushtarake që ende gjenden në ishull. “Të gjithë kanë relike nga lufta. Populli kretan nuk ka shumë materiale, kështu që njerëzit përdorin gjithçka gjejnë”, thotë ai. “Ndërsa kretanët punonin për të rindërtuar shtëpitë e veta, gardhet u rregulluan me cilindrat e pushkëve, çatitë me pjesë nga avionët e rrëzuar dhe helmetat u shndërruan në vazo lulesh apo kotruve për të ushqyer kafshët. Ato mund të shihen ende në ndonjë prej fshatrave më të largët.”

“Kuptova, që kur isha shumë i ri, se të gjitha këto gjëra duket të shpëtoheshin pasi me kalimin e kohës do shkatërroheshin ose do të hidheshin tutje”, thotë Tripalitakis. “Është vërtet e rëndësishme për njerëzit që rriten këtu të mësojnë për historinë tonë. Nëse nuk ua tregojmë atyre këto objekte, ata nuk do të mësojnë”.

Tripalitakis e bëri udhëtimin e tij të parë kërkimor në vitin 1999, duke mbledhur pjesë nga rrënojat e një avioni gjerman në një ishull pranë bregut të Galatas. Që prej asaj kohe, ai ka kërkuar të gjithë ishullin. “Ndonjëherë shkoj njëherë apo dy herë në javë, ndonjëherë katër”, thotë ai. “Ndonjëherë kërkon vetëm për disa orë. Nëse dal në male, marr një shtrat portativ me vete, ushqim dhe ujë dhe qëndroj për pak ditë”. Ai madje, ka mësuar sesi të bëjë zhytje. “Është shumë argëtim, ke ndjesinë sikur po fluturon sipër rrënojave të një avioni”. Për shkak të shumë vendeve arkeologjike në Kretë, koleksionistët duhet të marrin leje nga autoritetet për të përdorur mjetet e diktimit të metaleve. Sidoqoftë, Tripalitakis zakonisht preferon të përdorë vetëm sytë dhe duart.

Ditën e ekspeditës në ullishte, ai nuk gjeti ndonjë gjë më vlerë. Por, në apartamentin e tij, 10 kilometër në tutje, prisnin katër mure të veshura me rafte nga dyshemeja në tavan plot me objekte të paimagjinueshme, nga pushkët tek pajisjet e gatimit apo manekinët e mbajtjes së veshjeve mbështjellë me uniforma gjermane apo britanike. Pjesë makinerish apo nëndetësesh dalin nga apartamenti për të zënë tarracën apo edhe rrugën e parkimit.

“Kam çdo gjë, por ka ende gjëra që dua, si më shumë motoçikleta”, thotë Tripalitakis, ndërsa merr në duar një kanaçe metalike që e ka blerë nga një tjetër koleksionist për 100 euro, dhe nis t’i heq ndryshkun.

Vetëm në Chania ka rreth 50 koleksionistë, 10 prej të cilëve i kanë kthyer po ashtu vendbanimet e tyre në muzeume jozyrtare. Të tjerë koleksionistë privatë gjenden në fshatin Askyfou në rajonin Sfakia si dhe fshatrat Somatas dhe Atispopoulo, në jug të Rethymno. Edhe pse asnjë prej këtyre koleksionistëve nuk ka jetuar gjatë luftës, ata ia kanë kushtuar kohën ruajtjes së historive të të mbijetuarve, veteranëve dhe heronjve të rezistencës Kretane.

Natyrisht, disa zbulime nxisin emocione më të fuqishme sesa të tjerat. “Gjeta trupin e një ushtari të Zelandës së Re, tetë vjet më parë”, thotë Tripalitakis. “Detektori i metaleve dha alarmin nga municionet që ndodheshin ende me të. Mendoj se ai ishte varrosur nga kolegët e tij në një varr të cekët. Ishte tronditëse ta zbuloje, por në fakt u ndjeva i lumtur që e gjeta, për shkak se e dija që ai do të kishte një varr të përshtatshëm që meritonte”.

Stelios Tripalitakis ka grumbulluar një koleksion prej më shumë se 40 mijë objektesh të lëna pas në Kretë nga lufta e Dytë Botërore.

Tripalitakis telefonoi policinë, që e mori trupin për testin e ADN-së. Që prej asaj kohe, Tripalitakis është përpjekur të gjejë identitetin e burrit, duke kërkuar emrat në regjimentet dhe duke e shkurtuar listën me 20 të zhdukur.

Tripalitakis vlerëson se karburanti për udhëtimet e tij i ka kushtuar 50 mijë euro dhe se ai ka shpenzuar edhe 30 mijë euro të tjera duke blerë objekte nga koleksionistë të tjerë. Pasioni i tij ka vënë në provë durimin e familjes, ai e pranon se i ati nuk është i kënaqur me transformimin e apartamentit.

“Nuk mund të lejojmë që njerëzit të harrojnë historinë”, thotë ai. “Ne e mbajmë gjallë përmes këtyre objekteve”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

 

Related posts