Auto Dak
Auto Dak

Reportazh për Shqipërinë/ Piramidat, ‘97-ta, armët, Lazarati, Armando Prenga, gjakmarrja…

Nga Jack Davies*

“Armët ishin të parat gjëra pas së cilave ne rendëm dhe më pas ishte mielli për bukën”, tha Aleksandër Marleci, një politikan lokal në qytetin e Shkodrës, në veri të Shqipërisë.

Ishte 1997 viti kur Shqipëria u lëkund nga lufta civile. Skemat piramidale, në të cilat u përfshi një pjesë e madhe e popullit shqiptar ranë, dhe mbi gjysma e GDP-së së Shqipërisë u zhduk brenda një nate. Protestat sollën me vete luftime në rrugë dhe plaçkitje. Në krye të listës së sendeve të grabitura renditeshin armët dhe depot e ushtrive.

Askush nuk e di se sa armë janë vjedhur e plaçkitur gjatë atyre muajve. Vlerësimi i qeverisë flet për mbi një milion e gjysmë, ndërsa burime të tjera sugjerojnë se vlera e grabitur është thuajse dyfish më e lartë. E sigurt është se nga fundi i vitit, armët e vjedhura kontribuuan në vdekjen e mbi 1 mijë personave.

Në atë kohë, armët ishin kudo. Kallashnikovët shiteshin në rrugët e qytetit të Shkodrës përrreth 5 $. Marleci ishte 11 vjeç në atë kohë. “Më kujtohet që qaja dhe isha shumë i acaruar pasi im atë nuk më solli asnjëherë një armë në shtëpi”,- thotë ai. Miqtë e shokët e babait të tij e kishin të gjithë nga një armë.

Vitet pasardhëse armët u mblodhën dhe u kthyen në bazë, por ka ende të paktën 210 mijë armë që mbahen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, një vend me rreth 3 milion banorë.

Në pamje të parë, fakti se i bie të ketë një armë të jashtëligjshme për çdo 13 banorë, duket sikur shpjegon nivelin e lartë të vdekjeve nga gjuajtjet me armë në Shqipëri. Gjatë vitit 2013 kishte 5.86 persona të vrarë me armë për çdo 100 mijë banorë, sipas Ëashington University’s Institute for Health Metrics and Evaluation.

Media lokale shpesh ofron krahasime të bëra kundrejt Shteteve të Bashkuara, sa i takon numrit të vrasjeve me armë. Më të ngjashme ndoshta janë statistikat me vendet ish-jugosllave pranë Shqipërisë, ku armët janë po aq të mbajtura pa leje, por shkalla e krimit është shumë më e ulët.

Shqipëria është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Problemet e vrasjeve me armë nuk është termi më shqetësues dhe më problematik për Brukselin, megjithatë është një barometër për krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilat ndikojnë dhe pasqyrohen në progres raportin e paraqitur nga Shqipëria.

“Qeveria e Shqipërisë nuk ka një politikë të qartë për adresimin e krimit me armë”,- thotë Andi Hoxhaj, një kërkues në Ëarëick University. “Ata janë më shumë të fokusuar në adresimin e krimit të organizuar dhe drogave ilegale, për të cilat Brukseli po i ushtron më shumë presion qeverisë shqiptare”, – shton ai.

***

Pyesni shqiptarët se pse kaq shumë prej bashkëatdhetarëve të tyre janë të fokusuar tek mbajtja e një arme në shtëpi dhe ata do t’ju tregojnë për Kanunin – një bllok zakonesh të vjetra dhe të dhunshme, të cilat Shqipëria rurale i riktheu pas rënies së diktaturës komuniste. Bazohet në traditën e gjakmarrjes mes familjeve dhe mungesës së zbatimit të ligjit, çka risjell zhvillimin e dhunës dhe të frikës.

“Nuk mendoj se një armë në shtëpi do të shpëtojë njerëzit, por sigurisht, nuk mund t’i fajësoj këta njerëz. Si mund të ketë besim tek policia dhe gjykata një qytetar i thjeshtë? Si mund t’i bindin se ata nuk kanë nevojë për një armë për tu mbrojtur? ”, – tha në një intervistë ish-z/ministri i brendshëm, Gent Strazimiri.

Trupat gjykuese shqiptare janë tërësisht të korruptuara. Kur ambasadori i SHBA-ve mbajti një konferencë juridike në dhjetor të vitit 2015, ai tha: “Nëse shikoni poshtë në kyçin e dorës suaj dhe keni një orë që kushton më shtrenjtë sesa makina ime, me siguri që jeni dhe keni një gjykatë me gjykatës të korruptuar”.

Strazimiri u tregua më i ashpër: “Të gjithë ata që janë të pasur e kanë ara, janë fajtorë”.

Një pjesë e problemit aktual të dhunës me armë është shembulli i dhënë nga nivelet më të larta të shoqërisë shqiptare.

Akuza e fundit ngritur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kundër Armando Prengës, një deputet nga koalicioni parlamentar qeverisës, lexohet si skenar për një episod të “The Sopranos”: Prenga futet në një restorant të premten mbrëma, debaton me djalin dhe nipin e pronarit, situata nxehet dhe politikani nxjerr nga brezi armën duke lënë të plagosur disa veta.

Kur Prenga arrin në komisariatin e policisë me vëllanë e tij dhe një grup të vogël bashkëpunëtorësh, ai drejton armën ndaj katër anëtarëve të familjes së pronarit të restoranti, duke thirrur: “Do ta zhdukim fisit tuaj”, e më pas godet disa herë me automatik në ajër. Prenga kaloi dy muaj në burg në pritje të gjyqit, para se të jepej masa e arrestit shtëpiak.

Histori të tilla të politikanëve që shtijnë me armë si pa të keq dhe që janë ende në gjendje lirie, janë të shumta e të sheshta në Shqipëri.

***

Asgjë nuk e ilustron më mirë forcën e kufizuar të ligjit në Shqipëri, sesa fshati i vogël kodrinor i Lazaratit.

Ismail Kadare, një nga novelistët më të njohur në vend, dikur e ka përshkruar këtë fshat si “fshati më kokëfortë dhe vicioz i imagjinueshëm”. Në boshllëkun ekonomik dhe në vakumin juridik të vitit 1997, banorët vendosën të nisnin atë që do të shndërrohej në burimin më të madh të të ardhurave: mbjelljen e qindra rrënjëve marijuanë.

Nuk kaloi shumë kohë dhe produkti i Lazaratit u bë shumë i dëgjuar për cilësinë e tij në kafenetë e Amsterdamit. Në pikun e prodhimit, është vlerësuar se prodhohej dhe dilte jashtë vendit një sasi prej 900 ton marijuane në vit, me një vlerë prej 6.1 miliard dollarë. Në vitin 1999, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë vlerësohej se ishte vetëm 3.4 miliard dollarë.

Për të mbrojtur investimin e tyre dhe banesat e reja të ndërtuara në vend, shumë prej fshatarëve u armatosën deri në dhëmbë. Dhe funksionoi. Bastisjet nga ana e policisë u pritën me armë e mitraloz. Lënia e Lazaratit në punën e tij u bë një politikë jozyrtare.

Zbatimi i ligjit italian u rrit ndjeshëm për shkak të kthimit pas dhe kapjes së qindra tonë marijuane që vinin nga deti Adriatik. Në qershor të vitit 2014, kur Shqipërisë ishte gati t’i jepej statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian, 800 oficerë policie, bastisën fshatin e hashashit. Banorët e zonës u përgjigjën me predha dhe granata. Dy javë më pas, banorët u dorëzuan dhe policia hyri në fshat duke rrafshuar gjithçka të mbjellë në të. Mbyllja e Lazaratit nga mbjellja e lëndës ilegale u besua si një nga kushtet që Shqipëria duhej të plotësonte për t’u bërë vend kandidat për në BE.

Dëshmitë tregojnë se ende në fshat ka armatime të rënda, edhe pse një pjesë e madhe e tyre u konfiskua nga policia gjatë bastisjes në vitin 2014. Por jo shumë kohë më parë, pasi mbylla derën e makinës, gjatë një vizite në Lazarat, një djalosh adoleshent m’u drejtua: “Kanabis?”. Kudo që shkova vura re se kishte shenja të qarta të marijuanës, dëshmi të paaftësisë së qeverisë për ta shfarrosur atë.

Strazimiri, ish-z/ministri i brendshëm, qeshi ndërsa përmendet operacioni i Lazaratit. “Ishte vetëm shoë”,- tha ai.

***

Ndërkohë që të pasurit dhe të fuqishmit përdorin pa frikë armët e tyre, shumë prej qytetarëve të zakonshëm i përdorin ato për shkak se nuk besojnë tek zbatimi i ligjit dhe drejtësisë.

Për gjysmë shekulli, deri në vitin 1912, Shqipëria ishte një provincë nën Perandorinë Otomane. Veç mbledhjes së taksave dhe dërgimit të djemve të rinj si jeniçerë, elita e shoqërisë ndikoi shumë pak në zbatimin e ligjit dhe të rregullit në vend. Nga ana tjetër, komunitetet krijuan ligjet e tyre të veta, siç ishte dhe Kanuni. Pa një prani të fortë të rendit apo një autoriteti për të mbajtur paqen, njerëzit u mbështet në parimet e nderit për të ruajtur kohezionin social. Elementi më i famshëm i Kanunit është gjakmarrja, e cila dikton rrethanat nën të cilat vrasësit duhet të angazhohen për të ruajtur nderin e familjes.

Armët lulëzuan dhe u shndërruan në produkte shtëpiake, të zakonshme. “Qitja është thuajse argëtimi dhe mahnitja më e madhe për femrat dhe meshkujt në moshë të re në Shqipëri”,- shkruante Neë York Times në vitin 1911. “Si femrat edhe meshkujt mësojnë të qëllojnë me armë që kur janë 12 vjeç… “Njerëzit përdorin armët e tyre gjatë ditës dhe flenë me to gjatë natës”.

Gjatë viteve të regjimit komunist, pas Luftës së Dytë Botërore, si armët e zjarrit, edhe Kanuni ishin të ndaluara rreptëisht. Pas rënies së regjimit, në vitin 1991, si Kanuni dhe mbajtja e armëve u përkrahën në shoqërinë shqiptare. Duke qenë se sistemi gjyqësor sa vinte dhe bëhej më i korruptuar, njerëzit, të etur për siguri, morën gjyqësinë në duart e tyre, duke bërë vetëgjyqësi. Gjashtë vite më vonë, me grabitjen e depove të armëve, pronësia e një arme zjarri ishte edhe një herë e zakonshme.

***

Dhuna e shkaktuar nga gjakmarrja në Shqipëri arriti kulmin në fund të viteve 1990. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, i themeluar në vitin 1990 për të pajtuar familjet në gjak, vlerëson se 12 mijë njerëz kanë vdekur si pasojë e gjakmarrjes që nga viti 1991

Sipas kreut të këtij komiteti, Gjin Marku, pjesa më e madhe e personave nuk arritën të zbatojnë kushtet e vendosura nga Kanuni për gjakmarrjen, përfshirë ndalimin e prekjes së fëmijëve, grave dhe të priftërinjve.

Kanuni parashikon ekzekutimin e tjetrit jashtë ambienteve të shtëpisë dhe kjo është arsyeja që një pjesë e madhe e personave, për t’i shpëtuar vdekjes, kanë vendosur të ngujohen. Fëmijët janë bërë pjesë të gjakmarrjeve dhe sipas kreut të Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve, rreth 900 fëmijë janë ngujuar në banesat e tyre apo në kulla.

Për sa kohë që në Shqipëri ka pasur konflikte të dhunshme, njerëzit janë përpjekur gjithmonë t’u japin fund atyre. Këta njerëz njihen si “misionarë”. Unë takova Pjetër Gjokën, një misionar që vepron nën drejtimin e Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve, me banim në Lezhë.

Gjoka vishet thuajse i gjithi me të zeza; fytyra e tij është serioze dhe e ashpër, por shprehjet e tij janë bamirëse. Ai nuk është avokat dhe nuk paguhet për punën që bën. Ai vendoset në mënyrë vullnetare mes familjeve që kanë si objektiv gjakmarrjen mes tyre dhe tenton të praktikojë faljen e gjakut, duke bërë paqe mes dy familjeve.

Policia nuk e mbron Gjokën dhe kolegët e tij. Gjoka është kërcënuar me rrëmbim dhe tortura. Një kolegu i tij, misionar nga Shkodra u qëllua dhe u vra gjatë orëve të para mëngjesin e një dite gushti në vitin 2004.

Gjoka më çoi të vizitoja një grua me emrin Dila Niklekaj. Ajo ndan apartamentin e saj të vogël me të birin, Gëzimin 41-vjeçar, i cili jeton në robëri që prej vitit 1991. Banesa e tyre në Bajram Curri është 200 kilometra larg qytetit.

Në vitin 1991, Gëzimi ishte 17 vjeç kur vrau pa dashje me thikë një tjetër djalë të ri në një bar. Ai u dënua me 12 vite burg. Ai arriti të përfundojë burgun para gjashtë vitesh, për shkak të depresionit të rëndë, nga i cili u prek pasi ra në burg.

Pasi u lirua nga burgu, në vitin 1997, Gëzimi dhe Dila u detyruan të jetonin në qytetin e lindjes.  Familja e viktimës, një mundës profesionist, nuk ka gjetur ngushëllim për vdekjen e të afërmit të tyre dhe thonë se nuk do ta falin Gëzimit, deri sa të marrin hak me duart e tyre.

I tërhequr në banesën e të ëmës, shenjat e traumës dhe të izolimit kanë lënë gjurmë në fytyrën e tij. Vëmendja e tij është e shpërqendruar, zëri i tij, nga një zë baritoni dridhet.

Nënë e bir u vendosën në Lezhë duke lënë pas vendin e lindjes, familjarët dhe gjithë miqtë e tjerë. Shumë prej tyre kanë kohë pa ardhur që ta takojnë.  Ndërsa e pyet se si i kalon ditët, Gëzimi përgjigjet: “Kur ka drita, shikoj televizor”.

Ai nuk kishte asnjë ide se si jeta jashtë dyerve të shtëpisë së tij mund të kishte ndryshuar mureve të shtëpisë së tij. “Veç lirisë, askush nuk mendon që unë të krijoj një familje”,- thotë ai.

Pavarësisht mjerimit të tyre, Niklekajt kuptojnë dhimbjen e familjes me të cilën janë në gjak dhe nuk marrin guximin t’u kërkojnë falje. “Edhe ai ishte bir i një nëne”,- thotë Dila.

Situata e tyre nuk është unike. Sipas Gjokës, ndërmjetësit, në qytetin e Lezhës janë edhe 35 familje të tjera që jetojnë të izoluara për shkak të gjakmarrjes. Nuk ka ndonjë organizatë shtetërore që mund t’i ndihmojë ata. Gjatë kohëve të fundit, përfaqësues të Kryqit të Kuq kanë dhënë ndihma me ushqime për familjen Niklekaj, por përsëri as kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. “Nuk është modeste që unë të shprehem kështu, por ju kam ardhur mjaft në ndihmë këtyre familjeve, pasi askush tjetër nuk mund t’i ndihmojë”,- shprehet ai.

***

Sipas të dhënave të mbledhura nga Zyra e OKB-së për Krime dhe Drogë, numri i vetëvrasjeve në Shqipëri është rritur ndjeshëm prej vitit 2010.

“Kjo jo për shkak të pasjes së armëve në shtëpi. Armët janë konstante tashmë”,- ka thënë Artan Hoxha, një staticien dhe lektor në Business University of Tirana.

Ai lidh nivelin e rritjes së vetëvrasjeve që nga vitit 2008 me krizën financiare, kur mjaft kompani në Shqipëri reduktuan kreditë e tyre, çka u shoqërua me rritjen e papunësisë dhe rritjen e taksave.

Një tjetër arsye e shpjegimit të rritjes së vrasjeve me armë është shtimi i varfërisë, por sipas Hoxhës nuk ka prova që shqiptarët e varfër janë më të prirur ndaj dhunës.

“Nuk shoh ndonjë lidhje mes varfërisë dhe vetëvrasjeve”, tha ai. Sipas këndvështrimit të tij, vrasjet bëhen përgjithësisht nga biznesmenët dhe pronarët me të ardhura të mëdha.

“Këta janë njerëzit që kanë diçka për të humbur. Në vitin 2014 Shqipëria u godit nga bomba, të cilat kishin targetin e tyre biznesmenë dhe zyrtarë qeveritarë.

Kriza financiare i shkatërroi bizneset duke i drejtuar tek kreditë bankare. Paratë u kthyen në tregun informal të borxheve, metodat e mbledhjes së të cilave janë zakonisht shumë jo civile. Problemi qëndron se shumë huadhënës ofrojnë veten e tyre si garanci për të dhënë e marrë kredi në atë që njihet si tregu i zi”, tha Hoxha.

Në të njëjtin vit, Bashkimi Europian i siguroi Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Vëzhguesit më optimistë nuk e shikojnë Shqipërinë të hyjë në Bashkimin Europian, përpara vitit 2020. Nëse vendi gabon në bërjen e hapave para për rregullimin e këtij problemi të armëve, do të ketë probleme në lidhje me aderimin në BE. Vendet e Baltikut, anëtare në BE si Estonia dhe Lituania kanë nivelin më të lartë të vrasjeve, nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, me përkatësisht 5 dhe 6.9 për 100 mijë persona, në vitin 2011.

Qeveria aktuale ka premtuar reforma serioze dhe rrënjësore për çrrënjosjen e elementëve të korruptuar nga sektori i drejtësisë në Shqipëri, reforma të cilat janë përgëzuar edhe nga ambasadori i SHBA-ve në këtë vend, Donald Lu.

Megjithatë, ish-z/ministri i brendshëm, Strazimiri nuk shprehet optimist. Sipas tij, reformat nuk janë gjë tjetër veçse mënyra që qeveria aktuale të konsolidojë kontrollin e saj tek drejtësia.

“Reformat nuk do ta kurojnë sëmundjen e korrupsionit, por do të shtojnë një sëmundje tjetër: kontrollin politik”,- shprehet ai.

*Jack Davies është një gazetar i pavarur në Kosovë. Ai është anëtar i Klubit Cevapi, një kolektiv i gazetarëve që bashkëpunojnë në të gjithë Evropën Juglindore.

Titulli në origjinal i shkrimit: “Një kulturë Europiane, më vdekjeprurëse sesa armët amerikane”

Marrë nga: Politico.eu – Përshtati: Alba Skëndaj – /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts