Rama dhe Erdogan: një dashuri momentale, apo një mesazh i hollë politik e diplomatik?!

Redaksionale

Opinioni i përjetoi në mënyrë folklorike disa sekuenca të pazakonta me protagonistë presidentin turk, Erdogan dhe kryeministrin Rama, përgjatë përurimit të urës së tretë mbi Bosfor.

Disa javë pasi e kishte zgjedhur ndër tetë dëshmitarët në martesën e së bijës, Erdogan e përzgjedh shefin e qeverisë shqiptare si të vetmin kryeqeveritar rajonal për të qenë me të në ceremoninë e urës së re, madje duke bërë dhe gjeste tej diplomatike, deri dhe vëllazëri, siç ishte kapja nga duart, apo marrja me vete në makinë përgjatë ecjes së parë mbi urë.

Ishte kjo një skenë që afërmendsh përmban një mesazh të qartë politik e diplomatik, por deri më tani i pakriptuar dot.

Dhe janë disa arsye që të çojnë drejt një ideje të tillë, kur dihet se në sjelljen e lidërve, jo çdo gjë është thjesht emocionale, ose e ndërvarur nga emotivitete momenti.

Rama ishte në Ankara për një vizitë që mbeti në hije, ku e vetmja gjë që u potencua nga media, ishte fakti që ai zbriti në aeroportin e Stambollit pak pas shërthimeve terroriste.

Në këtë vizitë, ai shoqëohej nga ministri Ahmetaj dhe deputeti Fino, gjë që deri diku të thotë dhe nuk të thotë asgjë (mirë Ahmetaj, po Fino pse?!), pa u thënë se ç’motiv kishte vizita as zyrtarisht.

Ditën tjetër pas realizohen takimet korteziale, President, Kryeministër, Kryetar Kuvendi, dhe më pas Rama gjendet në një ceremoni pa asgjë protokollare, krejt i vetëm, duke marrë nga Erdogani atë lloj vlerësimi, dashurie e miqësie, të papara ndonjëherë në llojin e vet.

Pse duhet ta bënte një gjë të tillë?!

Përse vetëm Rama prezent në atë ceremoni?!

Po Ahmetaj e Fino pse nuk ishin?!

Ai ishte parashikuar në protokoll diçka e tillë?!

Dhe në fund, përse ishte Rama në Turqi në këtë vizitë të fundi?!

Tre vjet më parë, sapo erdhi në pushtet, Edi Rama do të deklaronte me gojën plot dhe pa asnjë kompleks se “Turqia ishte aleati ynë strategjik”, e ilustruar kjo dhe me faktin e vizitës së parë zyrtare me një shpurë ministrash, të cilën e bëri pikërisht në këtë vend.

Më pas, do u rezervonte të njëjtin status edhe dy fqinjëve të tjerë, Italisë dhe Greqisë, por me Turqinë, edhe nën rogoz, raportet, qoftë dhe njerëzore Rama – Erdogan, do të ishin më të afërta.  Madje flitej për një paketë  jo të vogël financiare destinuar Shqipërisë ardhur nga Bosfori, e cila do ishte një dorë e mirë ndihme në kushtet e startimit të pushtetit të të majtëve, gjendur në kushte të pazakonta krize.

Por gjithçka varet nga gjeopolitika, nga loja e të mëdhenjve, e në një kohë raportesh të trazuara mes Ankarasë dhe Berlinit, Rama nis e miklohet nga Merkel dhe bën një kthesë kah Gjermania si “një kujdestare e Shqipërisë” në rrethanat e vendosjes së pranisë së saj në Ballkan, duke i investuar dhe për një pajtim, se paku politik, mes faktorit shqiptar dhe atij serb.

Por gjithnjë, çështja mbetet tek paratë, e ato, ashtu siç ne po i duam, ende nuk po vijnë.

Dhe kjo çoi në një raport me kurba të lehta mes Tiranës dhe Ankarasë, më saktë mes Ramës dhe Erdoganit, gjithsesi duke shkëndijuar me disa projekte konkrete, siç është Skavica që iu dha turqve, apo që do u jepet një tjetër hidrocentral mbi Vjosë, si dhe në investimet e shumta të kryera nga TIKA, një organizatë e fuqishme turke që donaton në të gjithë botën dhe që është në varësi të Erdoganit, e cila e ka me “urdhër nga lart” që t’i përgjigjet pozitivisht me financim çdo projekti që u shkon nga Rama.

Gjesti i Erdoganit shofer, ishte pa dyshim tejekëput politik, por që kriptimin pritet ta ketë në kohë.

Sakaq, burime nga qeveria shqiptare i bënë të ditur tesheshi.com se së shpejti pritet që në Shqipëri të zhvillojë një vizitë zyrtare ministri i Financave dhe Ekonomisë së Turqisë, ku pritet të mbyllet një marrëveshje sumë e rëndësishme që parashikon një mbështetje financiare të qeverisë turke për projekte në Shëndetësi dhe Arsim.

Bëhet fjalë për një program disavjeçar mbështetje ekonomike për të ndërtuar spitalet rajonale në qytetet e vogla të Shqipërisë, por edhe shkollat e mesme.

Ndërkaq, një marrëveshje e pritshme mes qeverive do të lidhet në fushën e energjisë, ku në horizont është negocuar për një menaxhim turk të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, i cili pritet t’i jepet një konsorciumi të përbashkët gjermano-turk.

Megjithatë, ende kjo marrëveshje është në fazën e negocimit.

Ndërkaq, inagurimi i Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, e cila po ndërtohet me ndihmën direkte të qeverisë turke, pritet të sjellë në kryeqytetin shqiptar presidentin Erdogan, dhe pikërisht në këtë vizitë pritet të shpallet lëvrimi i një lëmie projektesh që parashikohen në shuma të mëdha.

Një burim qeveritar theksoi se bëhet fjalë për “ndihmën më të madhe që shteti shqiptar ka marrë ndonjëherë në vlera monetare në mënyrë direkte”, por hezitoi të flasë për shifrën konkrete.

Por duhet thënë se riaktivizimi i marrëdhënieve mes Ramës dhe Erdoganit ka ardhur pikërisht pas votës unanime të 27 vendeve të Bashkimit Europian (pa Britaninë) për të miratuar avancimin e Turqisë drejt BE-së.

Muajt e fundit janë disa vendime të Brukselit që afrojnë marrëdhëniet me Ankaranëm në një kohë kur Turqia është bërë prita më e madhe e valës së refugjatëve nga Siria dhe e sulmeve të tmerrshme terroriste.

Tashmë Europa e ka kuptuar se Turqia është një shtet që vlen më shumë se partner, se sa për ta demonizuar me një terminologji folklorike.

Duket se pikërisht kjo frymë që ka mbajtur peng Europën nga frika e avancimit të së djathtës ekstreme, tashmë nuk ekziston, pasi kjo e djathtë është bërë rreziku më eminent.

Dhe heqja e kësaj “tulle”, kryesisht nga Berlini, ka lënë të lirë rrjedhën e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, të cilat nisën shumë mirë në 2013-n por që patën një ngecje në vitin 2015. /tesheshi.com/ 

auto pjese dak

Related posts