Qeveria e Malit të Zi dëbon 55 rusë: mister mbi aktivitetin e tyre

Qeveria e Malit të Zi ka dëbuar disa shtetas rusë, të cilët ishin regjistruar si pjesëtarë të një sekti fetar japonez, por që nuk dihet vërtet se ç’donin në vendin fqinj e ç’punë kishin me sektin japonez.

Siç bën të ditur gazeta e Podgoricës, Dnevne Novine, 55 rusë dhe pesë qytetarë japonezë u larguan pasi nuk ishin regjistruar rregullisht në Mal të Zi.

Ata erdhën në këtë vend më 15 mars, dhe u regjistruan në hotelet Ramada dhe Perjanik, në Podgorica dhe Danilovgrad. Pas urdhërit të prokurorit special, ata u larguan menjëherë nga hotelet. Policia ka mësuar se hotelet ishin të mbyllura për klientët e tjerë, e se në to zhvilloheshin “mbledhje të dyshimta”.

Personat e ndaluar u pyetën për disa orë në stacionin e policisë së Podgoricës, teksa u sekuestruan telefonat dhe laptopët e tyre. Policia urdhëroi që të largohen brenda ditës së djeshme.

Agjencia ruse e lajmeve TASS ka cituar një qëndrim të Ministrisë së Jashtme së Rusisë, ku theksohet se ambasada e Moskës në Podgoricë ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për t’i mbrojtur të drejtat ligjore të qytetarëve rusë të pyetur nga policia. Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, as policia malazeze dhe as të arrestuarit nuk kanë kontaktuar me ambasadën.

Një zëdhënës i ambasadës ruse në Mal të Zi tha se të arrestuarit kanë marrë urdhrin e largimit nga Mali i Zi, por nuk i specifikoi arsyet, e as se me ç’merreshin anëtarët e këtij sekti japonez, shumica dërmuese e të cilëve ishin rusë.

Kjo ngjarje u shtohet incidenteve të njëpasnjëshme të ndodhura mes Podgoricës e Moskës pas ftesës që NATO-ja i bëri Malit të Zi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, e akuzoi publikisht qeverinë ruse gjatë një interviste për një televizion të Moskës se ajo i ka nxitur dhe i ka mbështetur trazirat kundër NATO-s në territorin malazez. /tesheshi.com/