Punimet për TAP-in zbulojnë një vendimbanim të epokës së hekurit

Në afërsi të fshatit Turan, në Korçë, janë zbuluan rrënojat e një vendbanimi të hershëm. Këto rrënoja dolën në dritë rastësisht gjatë punimeve për Gazsjellësin Trans Adriatik, TAP në territorin shqiptar.
Sipas vlerësimeve paraprake nga ekspertët e trashëgimisë kulturore në TAP, mendohet se bëhet fjalë për një vendbanim, i cili daton që nga periudha e hershme e epokës së hekurit (shek. X – IX para erës sonë) e deri në periudhën e vonë romake (shek. IV – V të erës sonë), duke vlerësuar materialet prej qeramike të gjetura. Gjatë mesjetës (shek. XII – XV), kjo hapësirë duket që është përdorur si varrezë, duke ju mbivënë funksioneve që ka patur në periudhat e mëparshme, raporton TCH.
Kontraktori i TAP ka ndaluar menjëherë punimet sapo janë vënë re rrënojat arkeologjike dhe ka njoftuar Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik (AShA).

“Shpëtimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore përgjatë gjurmës së gazsjellësit është shumë e rëndësishme për TAP. Ne kemi zhvilluar një numër të madh studimesh para fillimit të ndërtimit dhe kemi ngritur mekanizma për të minimizuar ndikimin mbi trashëgiminë kulturore, mjedisin apo komunitetet. Ekipet tona vijojnë të monitorojnë gjurmën e gazsjellësit dhe të ruajnë çdo element të trashëgimisë kulturore në përputhje me planin e TAP për menaxhimit e trashëgimisë kulturore, ligjet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira të industrisë”, u shpreh Neil Fairburn, Këshilltar për Trashëgiminë Kulturore në TAP.

Kjo është hera e dytë që gjatë këtyre punimeve zbulohen thesare arkeologjike. Në korrik të vitit 2016 në zonën e Skraparit u zbulua një kapitel të shekullit VI./tesheshi.com