728 x 90 Leaderboard

Pse taksimi e disa produkteve serbe është gjëja më pozitive e qeverisë “Haradinaj” deri më tani

Nga Bashkim Kastrati

Prodhuesit e Kosovës, edhe pse të paktë në numër në vazhdimësi janë përballur me pengesa të shumta sa i përket konkurrencës së brendshme. Kjo për faktin se vendet fqinje, e sidomos Serbia ka eksportuar produkte të ndryshme pa paguar asnjë taksë. Kjo ka bërë që ato produkte të dominojnë në tregun e Kosovës. Pra këto produkte në tregun e Kosovës kanë ardhur me çmim nën koston e prodhimit.

Duke marrë parasysh këtë situatë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në fund të vitit të kaluar ka vendosur disa taksa për industrinë e miellit dhe tullave ndërtimore, të cilat importohen nga shteti i Serbisë, për shkak se në tregun e Kosovës kanë ardhur me çmim më të lirë sesa kostoja e prodhuesve vendorë.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur që për miellin që do importohet në Kosovë, Serbia të paguajë 0.04 centë për çdo kilogram.

Kurse në muajin dhjetor, po ashtu të vitit të kaluar, kjo ministri ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme për dy centë në tullat ndërtimore që importohen nga Serbia në Kosovë.

Sipas përfaqësuesve të prodhuesve, prodhuesit e miellit dhe tullave ndërtimore kanë kapacitete që të mbulojnë tregun e Kosovës. Ata thonë se taksa të tilla duhet të vendosen edhe për prodhime të tjera. Shoqata e Mullisëve të Kosovës e ka mirëpritur këtë vendim, sipas të cilëve, me vite të tëra mielli nga Serbia ka rrezikuar prodhuesit e grurit në Kosovë.

Taksat duhet të vendoset për të gjitha shtetet që dëmtojnë tregun e lirë të Kosovës

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se fakti që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë masa për importin e miellit nga Serbia që nga 23 tetori i  vitit të kaluar, dhe kjo ka bërë që ky import të ketë rënie për rreth 78 për qind, gjatë vitit 2017.

“Pra një masë efektive nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, edhe vendimi i dytë i ministrit për taksa në tulla mendoj se është jashtëzakonisht i duhur, dhe Republika e Kosovës ka filluar të tregojë veten si shtet, i cili mbron të drejtat e prodhuesve dhe konsumatorëve kosovar, mendoj që pothuajse e i vetmi vendim i marr nga kjo qeveri si vendim i drejt dhe i domosdoshëm”, ka thënë Beqiri.

Ai thekson se fakti se sipas Doganës së Kosovës nga 3.8 milionë kilogramë sa kishte import të miellit nga Serbia në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ai ka rënë në 800 mijë kilogramë, pra një vendim i duhur duke marrë parasysh edhe prodhimin që Kosova ka aktualisht, që plotëson nevojat e veta deri në 80%.

“Mendoj që jo vetëm me Serbinë po me çdo shtet tjetër i cili dëmton tregun e lirë duhet venë taksa dhe të barazojë me prodhuesit vendor duke bërë thirrje që të rritet edhe cilësia e produkteve vendore në mënyrë që konsumatori kosovar të ndihet i sigurt në konsumimin e produkteve vendore”, thotë Beqiri.

“Vendimi për taksat ndaj produkteve serbe, i vetmi vendim i suksesshëm deri më tani”

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se i vetmi sukses që do mbahet mend në 100-ditshin e parë të kësaj qeverie, është pikërisht ai i Ministrisë së Tregtisë me vendimin për taksa për mallrat serbe të importuara nga Serbia. Ai thotë se për dallim nga ministrat e kaluar që e kanë menaxhuar Ministrinë e Tregtisë, është për t’u përshëndetur ministri aktual për faktin se nuk është zmbrapsur nga presionet që kanë mundur t’i vijnë si politike, por edhe ekonomike, pasi që sipas tij, oligarkia në Kosovë është aq e zhvilluar nga produktet e importuara nga shtetit i Serbisë.

“Mendoj që Kosova ka bazë për vendosjen e këtyre taksave, sepse edhe anëtarët e CEFTA-së nuk kanë qenë korrekte ndaj shtetit të Kosovës, por edhe me marrëveshjen për asocim-stabilizim në momentin që një shtet merr vendim duke dëmtuar produktet e shtetit tjetër si kundërvlerë janë masat e reciprocitetit dhe kuotat doganore. Pra mendoj që Kosova përveç që po e mbron interesin ekonomik, njëherit po i përmbush kushtet e CEFTA-së dhe të MSA-së”, thotë Kadriaj.

Ai thotë se Kosova tani e tutje duhet të sillet si një shtet sovran dhe t’i bëjë me dije shtetit fqinj se çdo veprim i Serbisë do të pasohet me masa të reciprocitetit dhe njëherit përderisa Kosova ka produkte që e mbulojnë tregun vendore për të njëjtat produkte të importuara duhet të vendosen taksa, por njëherit edhe kuota në sasi që mos të dëmtohen produktet vendore.

“Pra ministri aktual po e kryen detyrën e vetë konformë ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve kontraktuale që ka Kosova tanimë të ditura dhe uroj që vazhdojë në përkrahjen e biznesit vendor, sepse me ketë arrihen dy qëllime: ekonomik duke forcuar produktin vendor, por njëherit edhe politik, sepse kështu i bëjmë me dije vendeve të rajonit duke ngritur prestigjin karshi tyre e në veçanti ndaj shtetit fqinjë Serbisë”, u shpreh Kadriaj.

Ndryshe, shteti i Serbisë mbetet partneri kryesor në tregun e Kosovës. Vetëm gjatë nëntë muajve të vitit të kaluar, Serbia ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej mbi 300 milionë euro, derisa, eksportet e Kosovës në Serbi për të njëjtën periudhë arrijnë vlerën e jo më shumë se 35 milionë eurove.

Me qëllim të mbrojtjes së industrisë vendore dhe interesave të Republikës së Kosovës, që nga viti 2014 ekziston Ligji për masat anti-damping dhe masat kundërbalancuese.

Dampingu nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm të destinuar për konsum nën kushtet normale të tregut në vendin eksportues;

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, është zotuar se nëse vërteton se ka elemente, të cilat mund të çrregullojnë tregun apo vetëm i kanë shkaktuar dëm një industrie të caktuar vendore, atëherë do të reagojë duke zbatuar legjislacionin në fuqi. Është politikë e qeverisë në këtëmandat që të jetë në mbrojtje dhe partner i biznesit dhe në veçanti i prodhimit vendor. /tesheshi.com/

 

Related posts