Pse iu shtua dhe LSI aleancës “anti(turke)-Skavicë”?

Nga Ylli Pata

Zgjerohet gjithnjë e më shumë lobimi në politikën shqiptare që po sulmon bizneset turke në Shqipëri.

Më konkretisht, në shënjestrën e interesave politiko-ekonomike javë vënë një grup i madh që për një hidrocentral të vogël po thërrasin fuqishëm duke kërkuar anulimin.

Pas Partisë Demokratike, e cila në 4 konferenca shtypi rresht ka sulmuar projektin e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës i quajturi projekti “Katundi i Ri”, në një linjë me të është vënë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës.

Pikërisht, Petrit Vasili, ish-ministër dhe aktualisht kryetar i grupit parlamentar të LSI-së, ka shpërndarë një koment ku kundërshton projektin e Skavicës.

Ndryshe nga PD-ja, Vasili nuk përmend emër, por thotë se projekti i “Katundit të Ri” nuk do të ketë përfitimin e duhur për energjetikën shqiptare.

“Propozimi i ndërtimit tw p.sh. i HEC “Katundi i ri” me kuota maksimale mjaft më të ulëta deri në 400 metër, do të bënte të pamundur ndërtimin e Kompleksit Hidroenergjetik Skavicë me kuota shfrytëzimi 445 metër dhe kuotë maksimale 485 metër, duke sjellë për pasojë humbje të mëdha në kapacitetet e shfrytëzimit si dhe pamundësinë e rregullimit shumëvjeçar të liqenit të Fierzës me të gjithë pasojat e rënda ekonomiko-sociale që ajo sjell.

Vendime te tilla kaq të rëndësishme dhe me pasoja kaq të mëdha për ekonominë dhe energjetikën, si dhe me humbje mundësish të paçmuara kërkojnë vizion, transparencë, debat dhe trajtim si problem realisht kombëtar dhe aspak si një problem lokal, pavarësisht nga çdo qëllim i mirë i momentit”, shkruan Vasili, i cili në komentin e tij.

Megjithatë, disa pyetje ngrihen pas gjithë kësaj breshëri sulmesh ndaj një investimi të madh siç është bashkimi i grupeve të mëdha turke, Suzer Group dhe Nurol Holding.

Kur siç shpallin atam Skavica e paplotë nuk është një project aq i rëndësishëm pse po dalin kaq fort për ta kundërshtuar, kur ai do të jetë “thjesht një HEC i vogël”? Pse sulmohet pikërisht një holding i madh turk kur në Shqipëri ka pasur mijëra kompani të huaja që kanë bërë lesh e li pasuritë kombëtare duke nisur nga energjia me CEZ dhe naftën e kromit dhe asnjë rresht nuk është shkruar? Por realisht problem qëndron gjetkë. Nëse këto kompani do ta marrin në dorë Skavicën ai investim do të shkojë deri në fund dhe energjia në Shqipëri do të mbyllet përgjithmonë si problem por do të jetë si burim.

Duke i mbyllur rubinetën linjave që vijnë nga Serbia që kanë mbajtur peng qeveritë shqiptare që nga koha e Enver Hoxhës që e ndërtoi Fierzën kur e dinte se do të mbetej peng i ujit nga jugosllavët e deri tek kontratat me Fazlliçin.

Jo rastësisht sulmi bëhet nga një forcë politike që e ka pasur Ministrinë e Energjetikës për 4 vjet kur janë firmosur kontratat e mëdha me serbët.

Siç ka deklaruar edhe historian i njohur britanik James Petifer, turqit do të ecin në Ballkan pasi i njohin mentalitetin dhe janë afër mënyrës së punës së shqiptarëve. Ndaj, ku kanë investuar punët ecin mirë si me BKT-në që vazhdon banka më e mirë në vend, me Albtelecom, por edhe investime të tjera. Këtu duhet shtuar fakti se ka një vullnet të fortë të dy qeverive, përkatësisht Edi Ramës dhe dyshes Erdogan/Davutoglu për të nisur një partneritet të fortë që nuk ka qenë më parë. Partneritet që duket nga zhurma do të prekë interesa të mëdha. Pse pak është që për 15 vjet, më shumë se 600 milionë euro në vit kanë dalë jashtë Shqipërisë vetëm nga dy kompani të mëdha? /tesheshi.com/

Related posts