Protestoi në heshtje: gruaja muslimane shoqërohet jashtë tubimit të Donald Trump

Një grua muslimane u nxor jashtë një tubimi të kandidatit republikan Donald Trump, pasi qëndroi në këmbë, pa thënë asgjë, por duke mbajtur veshur një bluzë ku lexohej “Selam, unë vij në paqe”.

Rose Hamid, e cila mbante edhe shaminë muslimane, tha se njerëzit afër saj në tubimin ku ishin të pranishëm rreth 6 mijë vetë, ishin të sjellshëm me të deri në momentin që ajo nisi protestën e saj.

trump-rally“Qëllimi im që shkova atje”, tregoi Hamid, “është se unë besoj sinqerisht se nëse njerëzit arrijnë ta njohin njëri-tjetrin, ata nuk do të kenë më frikë prej njëri-tjetrit dhe do të jemi në gjendje të hedhim pas gjithë këtë urrejtje në botë, në këtë mënyrë”.

Gruaja së bashku me një person tjetër që ka mbetur i paidentifikuar u ngritën në këmbë kur Trump tha se refugjatët sirianë  nuk duhen lejuar në Shtetet e Bashkuara. Të dy ata mbanin distinktiva të verdhë në formë ylli ku ishte shkruar fjala “musliman”, një imitim i qëllimshëm i distinktivave në ngjyrë të verdhë që mbanin dikur hebrenjtë nën regjimin nazist.

Por, shpejt, ata u nxorën jashtë tubimit.

Hamid  tha se përpara se të protestonte, njerëzit që ishin ulur pranë saj kishin folur me të, madje i kishin ofruar edhe kokoshka. Në momentin që ajo u ngrit në këmbë në shenjë proteste, turma rreth saj nisi të brohorasë “Trump, Trump”. Hamid tha se dikush në turmë e kishte akuzuar se kishte një bombë. Reporterët e pranishëm në tubim thanë se dëgjuan njerëzit në turmë duke bërë komente “të shëmtuara”.

Trump, tubimi i të cilit në Burlington të Vermontit u ndërpre disa herë nga protestuesit, ka apeluar për një ndalim të përkohshëm të hyrjes së muslimanëve në Shtetet e Bashkuara, një politikë që ai e paraqiti për herë të parë në Dhjetor në Karolina. Më pas, ai e promovoi këtë politikë në reklamën e parë elektorale duke thënë se një ndalim i tillë është I duhuri “derisa të kuptojmë se çfarë po ndodh”.

56-vjeçarja Hamid tha se nuk kishte pasur frikë të hynte mes turmës për shkak se beson se njerëzit do të kishin ndërhyrë në mbrojtje të saj në rast të ndonjë kërcënimi më serioz. Por, ajo tha se reagimi i turmës ndaj protestës së saj ishte domethënës për fuqinë e retorikës që përdor Trump.

“Ishte shumë shprehëse dhe një shembull i gjallë i asaj që ndodh në momentin që përdoret ajo retorikë urrejtjeje dhe sesi mund të nxiten turmat”, tha ajo.

“Unë, madje, mendoj se ai nuk beson në retorikën që pështyn”.

Guvernatori i Ohajos, John Kasich, që gjithashtu garon për nominimet republikane për garën e Shtëpisë së Bardhë, komentoi se thirrjet e turmës kundër Hamid dhe protestuesit tjetër ishin “të tmerrshme”.

“Ne nuk jemi një vend që mendon se është gjë e mirë të fyesh e të nxjerrësh jashtë njerëzit”, tha ai për CNN-in. “Ndoshta ngaqë ishte e premte mbrëma, kush e di”.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, ndërkaq, i bëri thirrje Trump-it të kërkojë ndjesë.

“Pamja e një gruaje muslimane që ofendohet dhe nxirret jashtë nga një tubim politik dërgon një mesazh frikësues për muslimanët amerikanë”, thuhet në një deklaratë të këshillit.

“Donald Trump duhet të kërkojë ndjesë publike ndaj gruas muslimane që u nxor jashtë tubimit të tij dhe të deklarojë qartë se muslimanët amerikanë janë të mirëpritur si qytetarë të këtij vendi dhe si pjesëmarrës në procesin politik të kombit”.

Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/

Related posts