PROFIL: Lidhja serbe e presidentit grek që ushqen gjuhën e ashpër ndaj shqiptarëve

Vëreni me kujdes: ndërsa Athina zyrtare ka ulur tonet me Tiranën, i vetmi që i mban lart dhe ndezur ato është Presidenti Pavlopulos. Në çdo deklaratë të tij ka nerv…nacionalist. Madje dhe vizita e Erdogan në Greqi e cila siç po duket nuk ka lënë efekt ne një klimë te re marrëdhëniesh mes dy fqinjëve, duket se ka patur si shkak intrasigjencën në qëndrime të Pavlopulosit. Po kush është Presidenti grek dhe ç’përfaqson ai?     

Ka bërë përshtypje shumë gjuha dhe mënyra e komunikimit nga ana e Prokopis Pavlopulos, presidentit të Republikës greke. Është dinjitari i lartë helen që përdor mënyrën më ekstremiste krahasuar me të gjithë parardhësit e tij.

Gjuha e tij, veçanërisht ndaj Tiranës zyrtare dhe shqiptarëve nuk ka qenë asnjëherë e drunjtë, diplomatike, apo të ketë dhënë ndonjë mesazh miqësor karshi fqinjëve të tij.

Madje prej dy vjetëve, kreu i shtetit grek duket më shumë si kreu i një partie ekstremiste si “Agimi i Artë” sesa si një përfaqësues i lartë shteti; gjë që po forcon bindjen se “Agimi i Artë” u ngrit nga strukturat e shërbimit sekret grek pikërisht për të mos depërtuar në shoqërinë greke të vërtetat historike për fqinjët.

Pavlopulos i përket partisë konservatore të qendrës së djathtë, Nea Demokratia.

Para tij, President të Republikës greke nga kjo forcë politike kanë qenë Konstantinos Karamanlis dhe Konstantinos Stephanopoulos. Të dy, sidomos ky i dyti, kanë qenë të sertë herëpashere ndaj Tiranës, veçanërisht ndaj çështjes së minoritetit grek, por asnjëherë ata nuk kanë avancuar qëndrimet në sulme verbale që kanë ulur nivelin e etikës dhe fjalorit politik.

Prokopis Pavlopulos ka lindur në Kallamata, një zonë pranë Peleponezit, mjaft e pasur dhe vendbanim i hershëm i arvanitasve. Përshtypja që vjen prej emigrantëve për popullsinë e asaj zone është pozitive.

Nga ana tjetër, mosha e presidentit, 68 vjeç, si dhe karriera e gjatë, jep prerogativat e një pjekurie politike. Ka qenë ndihmësi i dy presidentëve grekë, Michail Stasinopoulos dhe Kostantinos Karamanlis.

Ka qenë këshilltar i kreut të Nea Demokratia, Miltiadhis Evert, si dhe ministër i Brendshëm i qeverisë së Kostas Karamanlis.

Gjatë karrierës së tij politike, ai kurrë nuk është përballur me një fjalor të tillë politik. Madje edhe kur ishte ministër i Brendshëm dhe ka pasur të bëjë me të pabërat e mjaft emigrantëve shqiparë çaprazë, që duhet thënë se e kanë bërë baltë shpesh herë, Pavlopulos nuk ka sulmuar shqiptarët.

Dhe bën çudi kur shikon në biografinë zyrtare të Presidentit grek një fakt interesant. Ai është kumbar i fëmijëve të Aleksandër dhe Katherina Karagjorgjeviç, familjes mbretërore të Jugosllavisë së Parë. Nuk dihet pse ka ndodhur kjo kumbari dhe kjo lidhje.

Aleksandër Karagjorgjeviçi u martua me  Katherine Clairy Batis, një grua e lindur në Greqi me nënë shqiptare(mbiemrin Dosti) por që ka jetuar gjithë jetën në Britaninë e Madhe. Ky fakt duket se ndoshta është ushqyesi më i fortë i një qëndrimi radikal dhe ekstrem të Presidentit grek.

I cili, si degë e një lidhje me familjet e vjetra mbretërore të Ballkanit ka trashëguar pikërisht atë frymë ekstremi që ata zbatuan gjatë qeverisjes, sidomos ndaj shqiptarëve të cilët i ndanë dhe i copëtuan, duke e kthyer Ballkanin në një fuçi baruti.

Por kohët kanë ndryshuar dhe z.Pavlopulos, duket se ende nuk e ka kuptuar, ose nuk ka dëshirë ta përcjellë këtë mesazh. /tesheshi.com/

 

Related posts