Auto Dak
Auto Dak

PROBLEMATIKA/ New York Times: Pse India po lë muslimanët pa shtet?

Kohët e fundit India, në shtetin e saj Assam, ka lënë pa shtetësi gati dy milion qytetarë të saj, kryesisht muslimanë, dhe përpjekje të tilla duken më shumë si spastrim etnik sesa i ngjan një regjistrimi, sipas një artikulli në New York Times.

Me titull “Pse India i lë qytetarët e vet pa shtet?”, gazeta tregon se qeveria e Indisë muajin e kaluar përjashtoi 1.9 milion qytetarë nga shteti verilindor i Assam-it me një popullsi shumicë muslimane, e kjo me pretekstin se dëshirojnë të kontrollojnë imigracionin e paligjshëm, edhe pse shumica e tyre kanë lindur në Indi dhe nuk jetonin askund tjetër.

Ky akt i rrezikshëm paraqet një kërcënim për sigurinë e Indisë dhe rajonit të Azisë së Jugut, duke i hapur rrugën privimit të kombësisë nga pakicat etnike në vendet e tjera dhe pastrehësinë e tyre, shkruan autori Anis Ahmed.

Pa shtet dhe pa shtëpi

Autori kritikon regjistrimin e autoriteteve dhe renditjen në Regjistrin Kombëtar të Qytetarëve të shtetit verilindor, me një popullsi prej 33 milion, nga i cili janë dëbuar qindra mijëra qytetarë pa shtetësi dhe të pastrehë.

Procesi i regjistrimit të popullsisë pati pengesa të shumta dhe ishte shumë i njëanshëm e i politizuar. Për shkak të faktit se shumica e atyre që janë përjashtuar nga regjistri i popullsisë dhe më pas janë të privuar nga shtetësia e tyre, janë muslimanë, këto masa duken më shumë si pastrim etnik sesa regjistrim.

Megjithë pretendimet e autoriteteve indiane se emigrantët në Bangladeshi ishin dëbuar nga regjistri i popullsisë, nuk ka prova që ta mbështesin këtë.

Synimi sistematik

Autori beson se veprimet e fundit janë pjesë e një shënjestrimi sistematik të realizuar nga qeveria e kryeministrit indian Narendra Modi, e cila nuk ka kursyer asnjë skemë në përpjekjet për të shtypur muslimanët në Indi, duke e finalizuar këtë frymë e strategji dhe me heqjen e autonomisë dhe statusit të veçantë që gëzonte shteti i Jammu-së dhe Kashmirit.

Ai theksoi se qeveria indiane nuk bën shumë për të mohuar akuzat për shënjestër të muslimanëve. Amit Shah, kryetari i partisë qeverisëse Bharatiya Janata (BJP), në një fjalim para zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të këtij viti, kërcënoi t’i hidhte migrantët në Gjirin e Bengalit.

Në korrik, Shah premtoi në një seancë parlamentare se “emigrantët e paligjshëm do të deportohen në përputhje me ligjin”.

Ku të shkojnë?

Autori theksoi se heqja e nënshtetësisë së pothuajse dy milion qytetarëve indianë shtron shumë pyetje, nga të cilat më urgjente është se ku duhet saktësisht që kaq shumë njerëz të lihen pa strehë brenda natës?

Sipas autorit, India planifikon të ndërtojë kampe të mëdha paraburgimi, që do të jetë burg për mijëra qytetarë të privuar nga shtetësia e tyre. Deklaratat e disa zyrtarëve janë mjaft konfuze kur bëhet fjalë për qytetarë të cilët nuk dinë të kenë atdhe përveç Indisë, dhe një deklaratë e tillë vjen nga një ministër në Assam i cili sugjeroi që ato të dërgoheshin në Bangladesh.

Autori konkludon se Bangladeshi, i cili ka marrëdhënie të mira me Indinë, deri më tani ka qëndruar i heshtur për atë që po ndodh në Assam, por që lëvizjet e mëtejshme të Indisë në lidhje me qytetarët pa shtet do të përcaktojnë përgjigjen e Bangladeshit, e cila mund të kërcënojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të dy vendeve. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts