728 x 90 Leaderboard

Presidenti turk me në krah kryeministren britanike: historia nuk do ta falë kurrë Izraelin

Rexhep Tajjip Erdogan vijon të jetë zëri më i fuqishëm i botës islame në denoncimin e masakrës izraelite mbi popullsinë palestineze në fillim të kësaj jave.

Edhe një herë tjetër ai e ka bërë të qartë se Turqia nuk ka për ta pranuar kurrë vendimin amerikan për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Ne kurrë nuk kemi për ta pranuar përpjekjen amerikane për ta zhvendosur ambasadën në Jerusalem dhe për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit,” ka deklaruar ai.

Presidenti turk i bëri këto deklarata në një konferencë të përbashkët shtypi në Londër me kryeministren britanike, Theresa May, mbrëmjen e së martës.

“Historia nuk ka për t’ju falur ju,” u shpreh Erdogani, me fjalët që nënkuptonin SHBA-në, si nxitëse e protestave me zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem.

“Historia nuk ka për ta falur po ashtu kurrë Izraelin,” shtoi ai.

Ishin forcat izraelite ato që vranë më së paku 61 palestinezë dhe plagosën mijëra të tjerë të hënën e përgjakshme.

Një thirrje të përsëritur pati në konferencën e tij të shtypit dhe për bashkësinë ndërkombëtare, për Kombet e Bashkuara, për të vepruar pa humbur kohë për ta ndalur shtypjen në Palestinë.

Veç kësaj, Erdogani paralajmëroi dhe një mesazh të fortë për botën në takimin e jashtëzakonshëm, që do të mbahet të premten, të Organizatës së Bashkëpunimit Islam.

Erdogani do ta quante më herët, gjatë së martës, Netanjahun kryeministër të një shteti aparteidi që i kishte pushtuar tokat e një populli të pambrojtur për 60 e kusur vite në shkelje të rezolutave të OKB-së.

“Ai ka gjakun e palestinezëve në duar, dhe nuk mund t’i mbulojë krimet duke sulmuar Turqinë.” /tesheshi.com/

 

Related posts