Pol Poti i Kamboxhias dhe marksizëm-leninizmi: reja më e zezë e një shekulli të errët

Ai drejtoi vendin për më pak se katër vjet. Megjithatë, midis prillit 1975 dhe janarit 1979, Pol Poti vrau deri në një të pestën –disa mendojnë çerekun – e popullit kamboxhian për të cilin thoshte se po i sillte një jetë të re dhe më të mirë.

Në mënyrën e vet, ishte makthi më i keq totalitarist i shekullit të 20-të, vetëm nëse çkyçja e dyerve të Koresë së Veriut paraqet diçka edhe më të errët. Hitleri vrau 6 milionë hebrenj dhe qytetarë të tjerë në kampet e tij të përqëndrimit, bilanci anti-parti i Stalinit ishte afërsisht 20 milionë njerëz, “kapërcimi i madh përpara” i shokut Mao shkaktoi vdekjen nga uria të mbi 20 milionë njerëzve përpara se të niste Revolucioni Kulturor. Por viktimat e Pol Potit ishin në një proporcion shumë më të madh krahasimisht me Kamboxhian e vogël prej 7 milionë njerëzish dhe pak prej tyre mund të quhen qoftë edhe vagullt “armiq të regjimit”. Fushat e tij të vrasjeve ishin më mendje-çoroditëset nga gjithë të tjerat.

Philip Short, i cili shkroi një libër të mirë për Kinën e Maos, tashmë ka bërë një punë spektakolare në përshkrimin e asaj që ndodhi në Kamboxhia dhe sesi rrodhën ngjarjet. Disa nga iluminimet më të shkëlqyera vijnë nga intervistimi i pak të huajve që ishin vëzhgues të asaj që po ndodhte, e jo më pak të dhëna vijnë nga ditarët e Laurence Picq, një grua e ndershme franceze e cila shkoi në Kamboxhia duke menduar se mund të ishte ndihmë për një kauzë të mirë.

Rezultati i hulumtimeve është një portret i qartë që të fut drithmat i Saloth Sar, njeriut që u shndërrua në Pol Pot (gjithashtu, Xhaxhai i Madhe, Vëllai i Parë dhe lloj-lloj pseudonimesh të tjera). Nga një pozicion i rehatshëm familjar – motra e tij ishte një prej konkubinave të mbretit – ai shkoi në një lice elegant për Phnom Penh që drejtohej ende nga francezët, dhe më pas fitoi një bursë për të studiuar në Paris. Atje ai ra në dashuri me marksizëm-leninizmin në formën veçanërisht intelektuale alla-franceze dhe nga Franca ai u bashkua me guerilasit që sapo ishin shfaqur në Kamboxhia për të sjellë komunizmin për bashkëatdhetarët. Me qetësi dhe vendosmëri, ai hapi rrugën drejt kreut të partisë, dhe në prill 1975 njerëzit e tij marshuan në Phnom Penh.

Pas këtij moment, gjithçka u bë Oruell i pastër. Pol Poti urdhëroi menjëherë evakuiimin total të të gjithë qyteteve dhe qytezave – jo vetëm klasat e mesme, por edhe punëtorët, mekanikët, pastruesit e rrugëve, refugjatët e luftës, të gjithë. Të gjithë kamboxhianët duhet të bëheshin punonjës në ferma. Nuk do të kishte rroga. Ushqimet do të jepeshin në kuzhina kolektive (“uniteti i të ushqyerit”). Çdo kamboxhian duhej t’i referohej vetes si “ne”, u ndalua të përdorej veta e parë njëjës. Kur një rajon pa se nuk kishte mjaftueshëm ushqim, nuk u sollën furnizime nga ndonjë vend që ia dilte më mirë: përkundrazi të uriturit u nxorrën për t’u kujdesur për veten.

Sigurisht, që nuk funksionoi. Deri në 1 milion njerëz vdiqën nga uria. Protestat nisën, përfshirë edhe ato nga anëtarë të partisë. Lidershipi i partisë denoncoi “mikrobe” të tilla. Protestuesit u mbyllën në kampe, përfshirë edhe kampin S-21 në Tuol Sleng, detyra e vetme e të cilit ishte të nxirrte rrëfime nga të ndaluarit. Shumë “pohime” ishin sajesa të pastra, e megjithatë ata që rrëfeheshin u ekzekutuan. Të paktën 100 mijë njerëz të tjera, e ndoshta 250 mijë, vdiqën në këtë fazë të ngjarjeve. Me fjalët që komiteti qendror i Pol Potit e përshkruante, ishte e nevojshme të “shmangej zgjidhja e evolucionit paqësor”, që do të “gërryente” revolucionin.

Përse ishte Pol Poti i Kamboxhias edhe më keq se Mao në Kinë, Stalini në Rusi dhe Hitleri në Gjermani? Në këtë pikë, autori Short, po aq sa është i shkëlqyer në atë që ndodhi, po aq nuk është në gjendje të shpjegojë përsenë.

Ai sugjeron se Pol Poti, ashtu si shumë kamboxhianë të tjerë, nxitej nga ndjesia e keqardhjes dhe e zemërimit për humbjen e lavdisë së vendit të tij që nga ditët e mëdha të perandorisë Angkor. Por, kjo ishte 600 vjet më herët. Shumë vende të tjera kishin pasur humbje të tilla shumë më të vona, të krenarisë kombëtare pa u zhytur në situata të tilla kaq të tmerrshme.

Autori Short, pas këtij argumenti, supozon nëse budizmi, besimi kryesor në Kamboxhia mund të fshihet në rrënjë të shkaqeve, për shkak se budizmi beson në “shkatërrimin e individuales”. Kjo nuk ka kuptim. Budizmi, një besim i brishtë, beson se qëniet individuale njerëzore me gjasa shkrihen në një “nirvana’ kur e fitojnë këtë gjendje përmes disa jetëve të njëpasnjëshme. Kjo nuk mund të jetë shpjegim për masakrat e Pol Potit.

Jo, në fakt duket se ishte mikrobi që ai mori në Paris që helmoi Pol Potin. Një ideologji që besonte, sikundër komunizmi, se një grup i vogël zotëruesish të zgjedhur të së vërtetës, do të rregullonin çdo gjë është në gjendje të prodhojë katastrofë. Ndoshta gjërat u përkeqësuan nga dëshira e Pol Potit për të shkëlqyer më shumë sesa komunistët e Vietnamit; e ndoshta edhe nga ndonjë problem ende i pashqyrtuar në psikikën e tij. Gjithsesi, ishte siguria pseudo-shkencore e marksizëm-leninizmit, që shformoi fëmijën e Iluminizmit, ajo që duket të jetë fajtore kryesore.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/