Plani i 2017-s i Ramës, si Berisha me Rrugën e Kombit: ja si do të injektohen 1 miliardë usd në ekonomi

Edi Rama ka shpallur në konferencën e fundvitit një zhvillim që pritet të kthehet në vorbullën e debatit politik në 2017-ën. Ai tha se do të injektojë 1 miliardë dollar në ekonomi duke u dhënë firmave private projekte rrugësh shkollash dhe ndërtime të tjera publike.

Po paratë ku janë? Rama sqaroi se para nuk ka; porse privati do t’i marrë në banka nën emrin e qeverisë dhe më pas do t’i shlyhen avazh-avash me këste, por me një kontratë të qartë që garant do të jetë FMN dhe Banka Botërore.

Ajo që deklaroi Rama është fiks ajo që ka ndodhur vitet 2000-2004 kur nisi boom-i i ndërtimit në vend, kur Edi Rama kryetari i bashkisë pati një partneritet me të gjithë firmat e ndërtimeve, të cilat kishin si kusht përveç ndërtimit të pallateve edhe ndërtimin e rrugëve të reja në Tiranë me paratë e veta që më pas u kompensuan  kohe pas kohe prej buxhetit të rritur të bashkisë.

Një shembull konkret Rama ka dhënë dhe për rrugën e vjetër Tiranë-Durrës që quhet rruga e Ndroqit.

“Rruga Tirane – Ndroq – Plepa është e përfshirë në programin e ri te investimeve publike në infrastrukturën rrugore, arsimore e shëndetësore, qe do te shpallet se shpejti dhe do te filloje të zbatohet gjatë vitit te ardhshëm, në partneritet me sipërmarrjen private”, tha Rama”.

Sipas kryeministrit, ekonomia e 2016-s është aspekti më kuptimplotë i një procesi reformash që kanë filluar të çelin rrugën e re në drejtimin e duhur.

Sipas tij, trendi vjetor do të mbyllet këtë vit me një rritje midis 3.3 dhe 3.5 për qind.

“Bëmë dëmshpërblimin për pasojat e përmbytjeve dhe ata që u prekën nga epidemia e lopëve. Do të zerojmë kamatëvonesat për pensionistët dhe familjet në ndihmë ekonomike”, tha Rama duke shpjeguar së lëvizja e parave publike në ekonomi do të jetë thelbi i investimeve.

Shkurt kjo është si ajo e Berishës me Rrugën e Kombit, që parapagoi Bechtel-Enka-n dhe në fund investimi u krye. Por ndryshimi është se në pjesën e dytë të investimit për segmentin Durrës-Kukës ishte qeveria ajo që mori kredi, kurse në këtë rast do të jetë kompania private që do të marrë kredi.

 “Kemi përmirësuar 32 pozicione në klasifikimin e Bankës Botërore për të bërë biznes. Ky do të jetë viti me investimet më të mëdha të huaja në 25 vjet. ”, deklaroi Rama. /tesheshi.com/