Patozi, kundër Bashës: pse duhet votuar më 30 qershor

Kreu i Bindjes Demokratike Astrit Patozi, ka përcjell një tjetër mesazh për të votuar më 30 qershor, ku kjo forcë do të marrë pjesë duke garuar në shumë bashki. Sipas tij, është pikërisht kjo datë votimi atë ditë, mundësia e madhe për ta goditur qeverisjen e Rilindjes.

“Voto Bindjen tënde më 30 qershor! Ka vetëm një mënyrë për ta shprehur refuzimin tënd për këtë qeveri. Për të marrë hak ndaj korrupsionit, arrogancës dhe karshillëkut të “Rilindjes”. Ka vetëm një mundësi për ta shprehur mospranimin tënd ndaj kësaj politike të shëmtuar sherresh dhe pazaresh të pista, ku të njëjtët personazhe të konsumuar, veçse ndërrojnë rolet prej 30 vjetësh.

Mos e shiko atdheun me syzet e atyre që ta paraqesin si parajsë, vetëm se ata i kanë hipur kalit të pushtetit, por, as atyre të tjerëve, që thonë se jemi në skëterrë, vetëm sepse ata kanë zbritur nga kali. Shqipëria normale nuk ka asnjë lidhje me thirrjet dhe kërcënimet e tyre. Ka vetëm një mundësi që të mos e presësh nga qielli drejtësinë e munguar dhe ndryshimin.

Mos iu bind atyre që të ftojnë për të shkuar në një festë me lugë të zbrazët dhe, as të tjerëve që të ndjellin t’i vesh flakën shtëpisë tënde. Secili e bën për hallin e vet, që nuk ka asnjë lidhje me tëndin. Ka vetëm një mënyrë për t’i ndëshkuar ata që e kanë shkaktuar; në mes të kësaj marrëzie mëkatarësh, ndiq zërin e ftohtë të arsyes. Ne nuk kemi asnjë përgjegjësi për sa po ndodh, por përmes teje duam të marrim të gjitha përgjegjësitë për një të ardhme tjetër për Shqipërinë. Voto BINDJEN tënde më 30 qershor”, shkruan Patozi.

Reagimi i tij një ditë pasi kreu demokrat Basha bëri thirrje për bojkot masiv të votimit më 30 qershor.  /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts