Pal Lekaj i AAK-së: Demarkacioni që duhet rrëzuar dhe koha që Kosova të mos qeveriset nga një plakush

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka një mesazh të qartë për qeverinë “Mustafa”. Ai thotë se AAK së bashku me NISMA-n për Kosovën do ta kundërshtojnë dhe angazhohen fuqishëm që marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi të mos ratifikohet.

Lekaj, thotë se Kosova ka nevojë për një qeveri e kryeministër efektiv, energjik dhe që nuk i mungon guximi, e jo për kryeministër që është në kohën e gjyshit me pension, që do të duhej të merrej vetëm me nipa e mbesa.
Shefi i deputetëve të AAK-së në një intervistë për tesheshi.com beson fuqishëm se partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kurdo që mbahen zgjedhjet do të marr besimin e qytetarëve për të udhëhequr me vendin, dhe më pas do të punoj për zhvillimin e vendit.

Intervistoi: Blendi Gashi

pali

Demarkacioni me Malin e Zi vazhdon të përplas pozitën dhe opozitën. Për këtë çështje më 3 gusht do të mbahet një tryezë. A pritni të sjell rezultate apo nuk do të ketë ndonjë risi për të ulur tensionet që ekzistojnë ? Ju si deputet a keni njohuri se kur do të vije për ratifikim në Kuvend, dhe vota juaj do të jetë pro apo kundër?

AAK i ka thënë po pjesëmarrjes në tryezën e 3 gushtit dhe normal që edhe ajo tryezë do të duhej të fuqizonte argumentet se komisioni shtetëror për Demarkacionin ka bërë lëshime dhe ka prezentuar një marrëveshje e cila më pastaj është nënshkruar nga qeveria në dëm të tokave të Kosovës.

Konform përgatitjes për 3 gusht dhe jo vetëm, dy grupet parlamentare (AAK dhe Nisma) të martën kanë mbajtur një takim konsultativ me ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhen me temën, për t’i fuqizuar edhe më tepër argumentet se opozita dhe qytetarët kanë të drejtë kur thonë se marrëveshja për Demarkacionin është e dëmshmë për vendin. Kurdo që të vjen në kuvend për ratifikim, AAK e NISMA do ta kundërshtojnë por nuk do të ndalen vetëm në kundërshtim por do të angazhohen fuqishëm që kjo marrëveshje të mos ratifikohet.

Kundërshtimin tuaj për Demarkacionin do ta bëni vetëm me NISMA-n apo do të koordinoheni edhe me Vetëvendosje-n? Si i keni raportet me VV-në?

 Kjo temë, ju përket të gjithëve, ani pse si kundërshtarë të parë, AAK si e ka hetuar se diçka po shkon gabim dhe kryetari Haradinaj është koordinuar me të gjithë për tema të rëndësishme për Kosovën.
AAK ju ka bërë thirrje edhe partive në pushtet që të ketë një bashkëpunim për të shpëtuar vendin, nga tkurrja territoriale dhe cenimi i sovranitetit. Por si duket partitë në pushtet, fatin e vet politik e kanë lidhur ngushtë për këto marrëveshje dhe pa pyetur për çmimin që po paguan Kosova, ata insistojnë për ta shtyrë të keqen përpara. AAK është e vendosur që të mos e lejojë. Sot boshti opozitarë, pra AAK dhe NISMA për Kosovën në vazhdimësi koordinohemi edhe më të gjithë të tjerët që janë kundër këtyre të këqijave që po i ndodhin vendit.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar protesta në rast se ratifikohet Demarkacioni. Si i keni menduar protestat? A do t’i bëni thirrje banorëve të zonave të kufirit të dalin në protestë apo…? Ç’farë efekti do të sillnin protestat eventuale nëse veç marrëveshja miratohet?

 Besojmë që s’do të ketë nevojë për protesta, këtë bindje e kam duke ju besuar kolegëve deputetë të cilët, çdo ditë e më shumë po binden se kemi të drejt dhe as ata nuk duhet të pranojnë diçka që është kundër çdo parimi pse ekzistojm si shtet. Shumica e deputetëve, sidomos ata shqiptarë e dinë se sa sakrificë e mund është bërë që të kemi shtetin e territorin tone, prandaj nuk besoj që do të bien pre e komisionit qeveritar dhe e qeverisë për të ratifikuar marrëveshje që Kosovës ia humbë mbi 8000 hektarë tokë.
AAK do të jetë në ballë të çdo organizimi qytetarë, politik e shoqërore që do të ketë nevojë, për të mbrojtë sovranitetin e integritetin e vendit.

Pas largimit të Donika Kadaj-Bujupit, jeni zgjedhur kryetar i grupit parlamentar të AAK-së. Sa është e vështirë të jesh shef i deputetëve të partisë suaj? A pritni që AAK të rritet në zgjedhjet e reja kurdo që mbahen ato apo do të mbetet si partia e katërt në vend?

Detyrën që ma ka besuar partia, kolegët deputetë dhe kryetari i partisë mundohem ta realizoj në bashkëpunim me të gjithë, duke përfshirë kolegët në grup parlamentar dhe në kryesinë e partisë. Kur ka koherencë e mirëkuptim brenda nuk është e vështirë të luash rrolin tënd.  Unë e falënderoj secilin kolegë për punën që e bëjnë dhe poashtu besoj fuqishëm që angazhimi ynë si tërësi do të bëjë që të kemi suksese në radhë të parë në mbrojtjen dhe zhvillimin e Kosovës e më pastaj edhe në kuptimin elektoral (në zgjedhje) besoj që qytetarët e kanë kuptuar se Aleanca meriton besimin e tyre për të udhëhequr me vendin dhe të gjitha aktivitetet në terren tregojnë se AAK po fuqizohet dhe synon rezultate të mira të cilat pastaj do të përkthehen në angazhimin tonë shtetëror.

Kohëve të fundit ka pasur jo pak zëra se koalicioni PDK-LDK po rrëshqet drejt prishjes. A preferon më shumë AAK një koalicion me PDK-në e LDK-në apo me Vetëvendosje­-n?

Opozita e ka kundërshtuar që nga fillimi këtë koalicion, jo pse ka diçka kundër tyre personalisht, por sepse e ka ditur që asgjë të mirë nuk do t’i sjellin Kosovës.  Dhe ju e shihni që kanë shkuar dy vite dhe ky koalicion nuk i ka përdorur 2/3 për asgjë që shkojnë në favor të Kosovës, por vetëm për të akomoduar veten për të kapur e kontrolluar bordet e institucione që do të duhej të ishin  të pavarura.
Sa i përket koalicioneve në të ardhmen, AAK e ka theksuar në vazhdimësi se preferojmë që Kosovës t’i ofroj ndryshimin e vërtet që nënkupton se këta që e kanë kapë shtetin dhe po e ngulfatin çdo ditë e më shumë, do të duhej të shkonin nga pushteti. Kosova ka nevojë për një qeveri e kryeministër efektiv, energjik dhe që nuk i mungon guximi, e jo për kryeministër që është në kohën e gjyshit me pension, që do të duhej të merrej vetëm me nipa e mbesa. Poashtu, jo edhe për kryeministër i cili nuk dihet nga e merr imputin (idenë e vizionin) e çka është autputi (rezultati) i tij për vendin. Kosova pra e meriton një kryeministër që pak a shumë kishte dhënë shenja çka është në gjendje t’i ofrojë Kosovës, para disa vitesh.

Dialogu Kosovë – Serbi sipas jush ka çtensionuar apo jo marrëdhëniet mes dy vendeve? Cilat janë të arriturat dhe ngecjet?

 Dialogu i Kosovës me Serbinë, po i bi shumë shkurtë ka patur rezultate dhe ka përfituar vetëm Serbia. Këtë e them me bindje të plotë sepse ju mund të shihni se asnjëherë vendi nuk ka arritur diçka në raport me BE-në edhe përkundër koncesioneve të shumta që qeveria jonë i ka bërë Serbisë në emër të normalizimit të marrëdhënieve e integrimit.
Sot pjesa veriore ende është nën kontroll të shtetit të Kosovësm, sot ke ende struktura paralele që financohen nga Serbia e i bëjnë telashe Kosovës. Sot ende vendi është pa ushtri për fajin e qeverisë që i është nënshtruar direktivave të Serbisë përmes listës serbe. Sot e kësaj dite qytetarët tonë ende kanë probleme në pikat kufitare me Serbinë. Sot Kosova nuk e ka arritë asnjë pikë që e ka arritë Serbia në emër të negociatave, duke përfshirë këtu liberalizimin e vizave ose përafrimin për integrim në BE. Pra dialogu është kthyer në diçka përmes të cilit Serbia po abuzon me Kosovën, kjo falë paaftësisë së qeverisë tonë.

Para ca muajsh u arrestua Azem Syla, një prej njerëzve më të fortë të PDK-së. Është një shenjë se po kapen “peshqit e mëdhenj”, apo më shumë e shihni si një propagandë mediale ?

 Të gjithë duhet të trajtohen barabartë nga ligji. Shteti i së drejtës dhe i zbatimit të ligjit duhet të ekzistojë, pa marr parasysh kush ka ra ndesh me ligjin. Por edhe në këtë aspekt është shumë për të dëshiruar. Për rastin konkret drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet, para se ta komentoj.

Edhe pse u premtua se do të ndodh liberalizimi i vizave një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Sipas jush a do të udhëtojnë pa viza kosovarët sivjet apo do të vazhdojnë të mbesin të izoluar?

E thash edhe me lartë është paaftësia e kësaj qeverie por edhe e atyre paraprake që qytetarët e vendit edhe pas kaq vitesh nuk e kanë mundësinë që e kanë të gjithë fqinjët tonë. Asnjë qeveri (ministër i Brendshëm e i Jashtëm i tyre) nuk e gjënë kurajën që të hedh firmën për t’i thënë po liberalizimit për qytetarët e një vendi qeveria e të cilit ka pasë korrupsion në prodhimin e dokumentit me të rëndësishëm  (pasaportës). Pra krimi dhe korrupsioni i qeverisë nuk po na lejojnë të ketë liberalizim të vizave. Të gjitha të tjerat që deklarohen nga qeveria janë irelevante dhe bëhen më qëllim për të shpërndarë fajin për mos liberalizim.

Liberalizimi duhet të ndodhë sa më shpejt sepse mjaftë qytetarët tanë kanë jetuar në ‘geto’. Kosovës e qytetarëve të saj duhet t’i jepet edhe një liri, ashtu siç miqtë ndëkombëtarë ndihmuan vendin tone në vitin 1999 kur na i hoqën prangat e pushtuesit. Edhe sot Kosova ka nevojë t’i hiqen prangat e vizave që të jetë e barabartë me të gjithë popujt e botës perëndimore. /tesheshi.com/