728 x 90 Leaderboard

“Orizaga” e Berishës, flet gazetari Zylyftar Bregu: si e zbulova “aferën e pilafit” në ushtrinë e Luan Hajdaragës

Gati tre vjet pas e majta kishte marrë pushtetin nga trazirat e vitit ’97, do shpërthente i ashtuquajtuajturi “skandali i orizit”, që kishte për personazh kryesor ish-ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Luan Hajdaraga. Për ironi, orizi si produkt kulinar, që ka asocion dhe me pilafin si kategori kuzhine, asocionte gjithashtu me fizikun e bashëm, toike prej hamësi siç do thotë populli, të z. Hajdaraga.

Madje Sali Berisha, atëkohë kreu i opozitës, do e quante “orizaga” si aferë. Fjala ishte për abuzime në ushtrim, ku në qendër ishin sasira orizi.

Zbulues i aferës do ishte gazetari Zylyftar Bregu i “Shekullit”, i cili u nderua dhe me një çmim vjetor për punën e tij investigative.  Në një intervistë për teshshi.com, kolegu Bregu kujton shkrimin dhe atë kohë kur ai bëri bujë. Gjithsesi bëhej fjalë për oriz e jo për kanbanis si sot…

                 

Intervistoi: Ermir Hoxha

Cila qe ajo indicie për t’i hyrë investigimit mbi orizin e ushtrisë? A mos vallë ishin shenjat se pushteti i ri të majtës kishte nisur të “vilte të mirat”?

Faleminderit që më bëni të kujtoj një histori të ndodhur para dy dekadash! Unë kam qenë në atë kohë reporter i ri, që mbuloja prokurorinë. Po, tregoj se si rashë në kontakt më këtë histori. Siç duket, disa oficerë ushtrie, që shqetësoheshin për fatin e ushtrisë shqiptare, e cila kishte dalë me turp nga trazirat e vitit 1997, shikonin se në propagandën për ringritjen e saj përpiqej të mbulohej edhe korrupsioni galopant që gjallonte në të gjitha gjymtyrët e gjymtyar të saj.  Këta oficerë kishin tentuar që të vinin në lëvizje prokurorinë, por mesa duket s’ja kishin dalë. Kështu që kërkuan ndihmën e medias. Njëri prej tyre më kontaktoi dhe bisedën e shoqëronte me nga një dokument që vërtetonte ato që artikulonte.

Shqetësimi i tij u konvertua në emoicion për mua që kisha rënë në gjyrmët e një abuzimi që më çonte direkt tek ministri i Mbrojtjes! Me këtë entuziazëm shkova në redaksinë e gazetës “Shekulli” e cila ende kishte lirinë e mjaftueshme për të shkruar.

Pas publikimit të artikullit të parë, Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi urdhëroi nisjen e hetimeve kryesisht, bazuar në këtë artikull, dhe kështu mori udhë kjo ngjarje që u kthye shpejt nga një dosje penale, në një armë politike në duart e opozitës. Por, për t’i dhënë përgjigje pjesës suaj të fundit të pyetjes, edhe një rast për të matur forcat në grupet brenda të majtës që qeveriste vendin.

Ç’metodologji gazetareske u ndoq për nxjerrjen e së vërtetës?

Metodologjia është klasike. Burimi kryesor që ishin oficerët e ushtrisë, pasi konstatuan seriozitetin e gazetës “Shekulli”, na jepnin herë pas herë dokumente të ndryshme. Por, pasi hyrë në lojë edhe prokuroria, burimet u shtuan. Çështja u bë më serioze. Edhe media të tjera e përfshinë këtë dosje në “axhendën” e tyre. Pra, nuk ishte vetëm “Shekulli”.

Dhe ç’kishte ndodhur realisht?

Dyshimet ishin së nëpërmjet tenderave të zhvilluar për ushqime dhe materiale për ushtarakët shqiptarë ishte abuzuar në dy aspekte; edhe sa i përket cilësisë së këtyre produkteve edhe sa i përket çmimeve. Pra, për të qenë më konkret, orizi ishte marrë i cilësisë më të dobët, por me çmimin më të lartë se orizi i tregut të pakicës, që e blenin të gjithë qytetarët. Nga ky asortiment u krijua edhe togfjalësi “orizaga”, që e përdorte kryetari i atëhershëm i opozitës Sali Berisha.

Ku konsistonte vështirësia më e madhe në praktikën gazetareske në raport me presdispozitën e pushtetin për të ofruar të dhëna të nevojshme për hir të transparencës që zakonisht promovohet si kredo nga çdo qeverisje?

Kujtoj që qeveria e atëhershmë, mesa duket siç ndodh rëndom, edhe në këto kohë, kërkonte dhe përpiqej që të ruante sa të mundte ministrinë e mbrojtjes. Kjo vështirësonte punën e prokurorisë së përgjithshme, e cila mes kësaj vështirësie ngriti akuzë ndaj disa prej drejtuesëve më të rëndësishëm të Ministrisë së Mbrojtjes. Mirëpo kjo atmosferë rrjedhimisht vështirësonte edhe punën tonë, të gazetarëve.

Në atë kohë, ministër i Mbrojtjes ishte Luan Hajdagara. A patët prej tij personalisht apo prej vartësve, ndonjë lloj presioni, si gjatë investigimit apo më pas kur rezultati u publikua?

Drejtpërdrejtë nga ministri nuk pata asnjë presion. Indirekt sigurisht që po.

Si qe periudha pas publikimit?

Në fakt kjo ishte një dosje që zgjati shumë, disa muaj dhe siç përmenda më sipër, mori dimensione edhe politike. Prokuroria çoi në gjykatë disa nga drejtuesit e Ministrisë sëMmbrojtjes.

Ndërsa unë u vlerësova me çmimin vjetor për raportin më të mirë investigativ të vitit, që jepte në atë kohë, Fondacioni Soros. Meqë më jepet rasti ishte një praktikë e mirë e këtij fondacioni për të motivuar edhe gazetarinë e mirë, edhe gazetarinë kurajoze.

Ju sot jepni gazetari. E ndërsa pushteti vijon të abuzojë, a ka avancuar gazetaria shqiptare drejt investigimit të abuzivitetit, apo është bërë më përtace duke u mjaftuar me lëndën siparfaqsore të deklaratave?

Fatkeqësisht konstatoj që raporti mes gazetarisë sipërfaqësore dhe asaj cilësore është në favor të së parës. Jetojmë në kohën kur vlerësohet shpejtësia. Dhe shpejtësia gjithmonë është në dëm të cilësisë. Por kjo nuk do ta thotë se nuk ka përpjekje për gazetari cilësore, dhe herë herë edhe investigative. Në fakt në disa raste, edhe gazetaria e denoncimit, paketohet si gazetari investigative, por besoj që edhe kjo do të përmirësohet me kohën.

Së fundi, gazetarisë shqiptare i është vënë dhe një xanxë nga kryeministri: Kazan! Dhe nga ata që thonë se, edhe pse Rama është kapluar nga ajo sëmundje e pushtetit gjë që e bën të mos pranojë asnjë kritikë, deri diku ka të drejtë. Ju, nga “pallati i gazetarisë” si do i përgjigjeshit?

Jemi në një situatë pak të ndërlikuar. Kryeministri edhe nëse ka të drejtë në konstatimin që bën, nuk ka të drejtë ta artikulojë. Sepse, kryeministri drejton pushtetin ekzekutiv dhe nuk i takon të vlerësojë një pushtet tjetër, atë të medias, kur siç e dijmë të gjithë nuk është se e administron mirë pushtetin për të cilin e paguajnë shqiptarët, pra atë ekzekutiv, e më tej se kaq. Është përgjegjësi kryesor për hartimin e listave të deputetëve të partisë socialiste, dhe të gjithë e dimë numrin e deputetëve me të shkuar kriminale që u futën në parlament, edhe përgjegjësi (në mos i drejtpërdrejtë), ndër më kryesorët për kanabizimin e vendit. Në këto rrethana, etiketimi i tij më duket sipas parimit që “sulmi është mbrojtja më e mirë”. /tesheshi.com/

 

Related posts