728 x 90 Leaderboard

Nuk ka pushim në Euroleague: CSKA-ja humbet, fitojnë Reali i Madridit e Olimpiakosi

Aktiviteti i Euroleague-s është nga të paktët që nuk ka njohur pushim në këtë fundviti. Janë luajtur mbrëmë pesë prej takimeve të javës së 15-të, ndërkohë që tre sfida të tjera do të luhen sonte.

Crvena Zvezda i shkaktoi CSKA-së së Moskës humbjen e tretë sezonale në “Kombank Arena” të Beogradit. Me përjashtim të dhjetëminutëshit të tretë të lojës, të zotët e shtëpisë kryesuan gjatë gjithë pjesës tjetër të lojës.

Rezultati përfundimtar qe 78-67 për skuadrën serbe, që me fitoren e shtatë të saj e sheh veten në vend të tetë në renditje. Përkundër humbjes, CSKA vijon ta kryesojë Euroleague-n.

Humbje pësoi gjithashtu dhe Fenerbahçe në Athinë, ku u mund 71-62 nga Olimpiakosi. Turqit u kujtuan vonë të luajnë, i fituan dy fraksionet e fundit të ndeshjes, por vetëm kaq.

Për Olimpiakosin qe fitorja e dhjetë sezonale. Veç ekipit grek, janë dhe Reali i Madridit e Baskonia Vitoria Gasteiz me po kaq fitore. Për Fenerbahçen, të paraqitur shumë më mirë sezonin e shkuar, kjo ishte humbja e gjashtë.

Reali i Madridit fitoi në sekondat e fundit ndaj Anadollu Efesit në “Abdi Ipekçi Arena”. Një ndeshje mjaft e ekuilibruar, që u fitua 78-80 nga Reali.

Luftë e fortë në përballjen Baskonia Vitoria Gasteiz – Makabi i Tel-Avivit, të fituar 101-88 nga vendasit. Spanjollët i bënë një mbyllje mjaft të mirë vitit, me dhjetë fitore e pesë humbje. I kundërt bilanci i izraelitëve në 15 javë: pesë fitore e dhjetë humbje.

Në një tjetër takim të mbrëmjes, EA7 Emporio Armani Milan u mund 70-78 në shtëpi nga Zhalgiris Kaunas. /tesheshi.com/

Related posts