728 x 90 Leaderboard

Një pranverë në Sheshaj, mes “dimrit” të ikjes së madhe

 

Nga Mark Brunga

Në fshatin Sheshaj të Komunës Urakë, tashmë pranvera është në shpërthimin e saj të parë. Kumbullat janë veshur me të bardha nga lulëzimi stinor dhe duken në një sinkron pak kontraditor me ngjyrën e bardhë të majëmaleve të Lurës dhe Macukullit ku dimri duket mjaft prezent me kurorën e dëborës.

Pasi lë pas Rrëshenin, mjeti vijon të ngjitet në malore mes një rruge që kalon nepër pemët e paprera, që duken si krahë zogjsh që sapo pushëzohen nga fletët. Shoferi thotë se këtej ekziston një shprehje e vendasve që “për 3 ditë në prill, zhuket lopa në pyll”. Po prilli i sivjetshëm ka ardhur më i vonuar pasi dhe dimri ka qënë pak më i gjatë, shpjegon ai dhe tashmë lopa nuk do dhe shumë ditë që të humbasë. Mbase nga ditët e para të majit.

Rruga është segment i linjës së rikonstruktuar në vitin 2012, që përfshinte rugën Rrëshen-Urakë, me gjatësi 18.7 kilometra, e përuruar gjatë një fushate elektorale. Por tani ajo ka filluar që të ndjehet pak e “lodhur”.

Një gjë të bën përshtypje kur shikon kurorat në zgjimin pranveror të sipërfaqeve pyjore: të vjen çudi se si banorët nuk kanë abuzuar me pasurinë pyjore përrreth. E kanë ruajtur duke treguar një karakteristikë të veçantë të tyre, shumë fisnike, që edhe në momentet e boshllëkut të ushtrimit të ligjeve, nuk përfituan nga anarkia e momentit për të bërë vetëvrasje me pronat.

kullat 2

Peisazhet e bukura që të shoqërojne në pranverën Sheshiane, tregojnë për një virtyt dhe shpirt mjaft njerëzor të banorëve, të cilët të duken mjaft punëtorë; por edhe shumë të qytetëruar me mënyrën e bashkëjetesës në grup, pa atë histerinë karakteristike të anarkisë së momentit kur gjithsekush sulet të rrëmbejë atë që nuk i përket.

Arat janë duke u pluguar në disa zona. Sidomos vreshtat që janë në zgjimin e tyre. Shumë shtëpi kanë traktorë në oborre. Këto pamje nuk do të bënin shumë përshtypje, sikur mos kesh vënë re se gjetkë, më jug, atje ku toka e tregon ashiqare bujarinë e vet, mjaft sipërfaqe janë lënë djerrë.

Ato toka pjellore të shterpëzuara nga shumë faktorë, të bëjnë të ndjesh ndryshimin mes atyre që e duan tokën e tyre dhe atyre që kërkojne jetë të lehtë. Mbase shumë vetë që e kanë braktisur tokën diku, janë të regjistruar në zyrat e ndihmës ekonomike të qyteteve ku kanë zbritur, po këto hipoteza të ngjallin veç keqardhje.

Madje përpiqesh edhe ta frenosh fantazinë kur kujton shumë të tjerë që kanë turp të rikthehen në pasuritë që i kanë, po që nuk dijnë t`i vlerësojnë dhe mbeten lokaleve, mes tymnajës së duhanit dhe dëshpërimit, duke pritur të mbijetojne mbase edhe nga rrogat skllavëruese të grave e vajzave të tyre në industrinë e fasonit si rrobaqepëse.

Nikolin Gjergji

Nikolin Gjergji thotë se fshati i tyre nga 80 shtëpi që ka pasur, tashmë ka 50. Ai pohon se kanë jetuar dhe jetojnë mjaft mirë me të ardhurat nga tokat e tyre. Ndërsa flet më të, syri të kap një kullë të vjetër që është e banuar, si dhe tokat e punuara përreth saj. Një pjesë e pejsazhit të këtij fshati të bukur të ngjan sikur je ne një amfiteatër antik nga harkimi i ëmbël i kodrinave dhe nga  ndërtesat e vjetra që ka. Po më tej në thellësi të luginës ka edhe ndërtesa të reja të larta si kulla dhe me stil modern. Eshtë fryma e shijeve bashëkohore që fryn nga emigracioni.

bletet e Nikolin Gjergjit

 

Nikolini është nga ata që s`ka menduar kurrë të largohet nga vendlindja. Ai ka ndërtuar një shtëpi të re, në një sipërfaqe kopështi të bleruar tërësisht nga jonxha, ku ndodhen të  renditura dhe rreth 30 koshere bletësh të thjeshta. Thotë se vërtet u mungon shkolla dhe qendra shëndetësore, por ja që Rresheni është rreth 4.5 km distancë dhe rruga funksionin mirë.

 

Sera prane shtepise

Ka djalin e rritur që ndjek shkollën në Rrëshen. Por le të rikthehemi tek “pranvera” e tij dhe e fshatit.  Tokat e tij janë të gjitha nën kultura të ndryshme. Ka ngritur një serë të vogël që zgjidh të gjitha nevojat. “Toka më siguron gjithçka më nevojitet për një jetë të mirë”, na thotë ne bisedë Nikolini. Nuk flet shumë por nga mënyra e komunikimit duket se është një njeri i pjekur, punëtor dhe mjaft dinjitoz.

Ara e Jakut

Në bisedë e sipër mësojmë për një shembull interesant: në periferi të kodrinës ndodhet një arë që njihet si Ara e Jakut. Jaku është një oficer marine në pension, bir i këtij fshati që jeton në Durrës. Jak Gjergji, 80 vjeç. Ai ka filluar që të investojë në tokat e prindërve të tij. Në 3 dynym ai ka mbjellë bimën medicinale të sherbelës. Ai ka një pension dinjitoz si ish-ushtarak deti nënujës. Ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe në agjensi detare, por tokën e prindërve të vet nuk dëshiron ta lërë djerrë.

Ara me sherbele Jaku

Ai do të edukojë fëmijët dhe nipërit me dashurinë për pronën, që nuk i duhet kthyer kurrizi kurrë. Po edukon realisht edhe të tjerët. Ai thotë se përveç këtij investimi do te përpiqet që të rehabilitojë edhe një pjesë të rrugës për ta bërë zonën sa më të vizitueshme, një mësim ky për shumë e shumë të tjerë që i kanë lënë pronat në male sa që tashmë janë kthyer ne habitate kafshësh të egra dhe vetë kalojnë “ferrin” e një jete të vështirë në qytete ku nuk kanë më prona përveç krahut të punës, që për fatin e tyre të keq është me tepri sot kudo në Shqipëri.

 

Ja pra pse në Sheshaj ndihet që ka ardhur pranvera. Një pranverë e vërteë ne “dimrin” e ikjes së madhe! /tesheshi.com/  

 

 

Related posts