reklama juaj ketu

Ngërçi eventual politik i papërballueshëm për ekonominë e Kosovës

Nga Bashkim Kastrati

Zgjedhjet e kaluara nacionale në Kosovë kanë pasur ndikim shumë negativ në ekonominë e Kosovës. Ngërçi politik i krijuar nga përplasjet e partive politike goditi më së shumti ekonominë. Ky moskonsulidim i institucioneve bëri që në vitin 2014 Kosova të ketë përgjysmim të GDP-së, krahasuar me atë se sa është parashikuar që të ketë rritje atë vit.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme ka ngritur shqetësim tek ekonomistët për mundësinë e përsëritjes së situatës së njëjtë. Sipas njohësve të ekonomisë, një ngërç politik eventual do ta fundoste keq ekonominë e Kosovës, edhe ashtu të brishtë.

Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se mbajtja e jashtëzakonshme e zgjedhjeve pa padyshim do të ketë ndikim në aspektin ekonomik sidomos në thithjen e investimeve të huaja, siç dihet Kosova është në top lajmet ndërkombëtare e sidomos mediat Serbisë dhe Rusisë të cilat dëshirojnë të paraqesin Kosovën si vend i destabilizuar dhe bishtësi politike.

“Kosova ka një provojë të keqe në krijimin e institucioneve në të kaluarën, duke i shkaktuar vendit një dëm të pariparueshëm ekonomik. Ngjarjet e fundit do të ndikojnë jashtëzakonisht shumë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, pasi do të ketë edhe hezitim të investitorëve për të investuar në këtë kohë krize, që e ka kaplua tërë rajonin”, thotë Beqiri.

 

Ngërçi politik krijon pasoja të mëdha për ekonominë e Kosovës

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se një bllokim eventual i institucioneve të dala nga zgjedhjet do të ishte goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës, prandaj partitë politike duhet ta kenë parasysh këtë gjë.

“Ngërçi politik në vitin 2014 ka treguar që Republika e Kosovës nuk mund ta përballojë atë situatë, kështu që shpresoj se partitë politike në këto zgjedhje do të fokusohen në koalicione parazgjedhore, me qëllim që të shohin vetën si koalicion mandatar për krijimin e qeverisë së ardhshme, duke u bazuar në atë që Kushtetuta e vendit ia lejon partisë ose koalicionit fitues që të formoj qeverinë”, thotë Kadriaj.

Ai thotë se edh pse procesi zgjedhor ka kosto, por e arsyeton vetën si proces sepse ky koalicion qeverisës të mëdha i kishte vetëm  premtimet dhe numrat në parlament, ndërsa do të mbahet mend si koalicion i dështuar.

“Me që tani dihet edhe dita e votimit padyshim që kjo kohë prej 30 ditësh si dhe fushata 10 ditore do t’i ketë pasojat e veta, por shpresoj se si qytetari i Republikës së Kosovës ka marrë leksionin më të mirë si për Qeverinë dhe Legjislativin. Normal pasojat do të vërehen në ato projekte që kanë filluar për fatin jo të mirë do të ngecin, sepse qeveria në ikej (në detyrë) nuk ka interes që t’ia lenë punët në vijë qeverisë së ardhshme”, theksoi Kadriaj.

Nisur edhe nga përvoja paraprake e ngërçit politik, efektet negative ekonomikë mund të shpërfaqen në disa aspekte, si me ndërprerjen e investimeve kapitale dhe kjo ndërprerje mund të ndodhë pikërisht në kohën kur Kosovës i duhej një iniciativë e re dhe rifreskuese e investimeve kapitale në infrastrukturë, energjetikë, telekom, miniera etj. Gjithashtu në një situatë të tillë ngecje mund të ketë edhe në prokurimin publik, përkatësisht me shpërndarjen e parasë publike tek bizneset. Stagnimi institucional nënkupton edhe stagnim të kontraktimit të bizneseve, pra rrjedhimisht rënien e aktivitetit biznesor në vend.  Gjithashtu efekt tjetër negativ i ngërçit eventual politik ka të bëjë me imazhin e pasigurt që ngërçi politik mund të përçojë jashtë tek investitorët e huaj, pasi që dihet se në stabilitet në aspektin politik dhe të sigurisë është kusht i domosdoshëm për investitorët potencialë. /tesheshi.com/