728 x 90 Leaderboard

Nga Redi SHEHU: Partia Demokratike ka nevojë të kuptojë Partinë Demokratike

Nuk ka dyshim se opozita shqiptare, e kryesisht Partia Demokratike ndodhet politikisht në një pozitë jo shumë të favorshme si rrjedhojë e pafuqisë së saj në terma mandatesh por edhe në terma të të bërit politikë opozitare. E shkalafitur nga zgjedhjet e fundit parlamentare, me një grup të reduktuar deputetësh, kjo forcw po përpiqet të bëjë në të njëjtën kohë, edhe opozitën e pushtetit dhe opozitën e vetë opozitës për shkak të përplasjeve të brendëshme që zanafilluan  që me humbjen në zgjedhjet e fundit, si dhe me proçedurat e rivotimit të z. Basha si kryetar të kësaj partie.

Kur flasim për opozitën, të gjithë ne jemi të ndërgjegjshëm për faktin se kemi të bëjmë me një pasuri kombëtare, me një gardiane të demokracisë dhe funksionimit të shtetit, me një sistem të sofistikuar alarmi që e ka për detyrë të aktivizohet sa herë që pozita dhe rrjeti i pushtetit, shkel në mënyrë të paligjshme në territore që nuk i takojnë. Pra, sa herë që flasim për opozitën, aq herë mendimi ynë për të është dhe duhet të jetë pozitiv dhe kjo për çfarëdo krahu politik qoftë, sepse vetë sistemi me të cilin ne kemi vendosur të administrojmë jetën tonë publike, e përcakton atë (opozitën) si jetike dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm.

Ndaj, edhe interesi ynë është shumë herë më i madh për opozitat se për pozitat, ngase përmes të parës ne arrijmë të përkufizojmë sjelljen dhe qeverisjen e të dytës. Mirëpo, kur opozitat nuk janë në rregull, kur problemet dhe paaftësitë e ndryshme e bëjnë atë vetëm një mekanizëm formal, atëhere, në këto raste, është pushtetit që përdor opozitën për ta përkufizuar tashmë veten si forca superiore dhe e pakonkurueshme karshi vetes.

Për hir të së vërtetës, Partia Demokratike pas vitit 2013 me humbjen e zgjedhjeve e të përgjithshme parlamentare, si dhe kryesisht dhe veçanërisht pas largimit të liderit të saj historik z. Berisha, filloi një proçedurë, rindërtimi, meremetimi dhe konkurimi në të njëjtën kohë, çka bëri që sfidat me të cilat ajo u përball, në shumë raste të tejkalonin përmasën dhe fuqinë politike të kësaj partie. Një kohë kjo tepër e përshtatshme për pushtetin e majtë i cili shfrytëzoi si mos më mirë këtë periudhë tranziti opozitar.

Tani pas pesë vitesh riformatimi te Partisë Demokratike, sfida më madhe e saj nuk duket se është pushtetit dhe arritja e tij, por riformulimi që kjo parti duhet t’i bëjë vetes dhe konceptit që ajo ka për vetveten. Thënë ndryshe, opozita e Partisë Demokratike duhet të jetë një opozitë tashmë jo për inat të Partisë Socialiste, por një opozitë për hir të vetvetes. Një opozitë e cila duhet të bindë veten se është dhe meriton të jetë e tillë. Për ta bërë këtë, demokratët kanë nevojë ta riformulojnë apo ripërcaktojnë edhe një herë qartas se çfarë do të thotë të jesh një parti e djathtë konservatore. Ata duhet të riformulojnë dhe ripërcaktojnë qartaz se cili është misioni dhe detyra e një demokrati konservator që gjallon brenda kësaj shoqërie. Ata duhet të dinë se përse janë aty dhe ku duan të shkojnë.

Sot, ne jetojmë në një kohë ku njerëzit dhe infrastrukturat nuk e bëjnë aq të thjeshtë kuptimin e saj. Sot nuk ka vetëm një përgjigje rreth një pyetjeje, sot njeriu  i ri i homo-networkus, ka shumë përgjigje të vlefshme për të njëjtën pyetje. Sfidat politike dhe përshpejtimi politik, është aq marramendës saqë ka aftësinë dhe fuqinë ta nxjerë individin si edhe strukturën ku ai bën pjesë jashtë thelbit të vet me një shpejtësi të paimagjinueshme. Pra, në këtë kohë të kaosit të ideve, të kaosit të qëndrimeve dhe veprimeve, në një kohë kur e bardha dhe e zeza tashmë nuk janë dy ngjyra të njohura konsensualisht, por nocione subjektive me qindra përthyerje që relativizohen sipas kapriçiove egoiste të secilit, mënyra më e mirë për të qëndruar, për të kuptuar dhe për të qenë i kuptueshëm, është kthimi tek thelbi.

Cili është thelbi i Partisë Demokratike si forcë e djathtë shqiptare? Kjo është pyetja e vetme që duhet të shqetësojë secilin që bën pjesë në këtë parti. Përgjigja e kësaj pyetjeje është më e rëndëshme se vetë pushteti që kjo parti aspiron. Pushteti është thjesht një mekanizëm i përdorur për të aktualizuar dhe zbatuar bindjen dhe ideologjinë e një partie politike, ai nuk është qëllimi në vetvete, nuk është fundi, nuk është përgjigja e vetme e pyetjes. Partia Demokratike, ka nevojë të kuptojë Partinë Demokratike. Ajo nuk ka nevojë të krahasohet e as të matet me Partinë Socialiste në jetën e vet politike. Ajo më së shumti duhet të matet me vetveten dhe synimin e saj.

Ka shumë demokratë sot që nuk e kuptojnë pse janë të djathtë, ka shumë demokratë sot që jetojnë dhe votojnë si demokratë për inat të dikujt tjetër, ka shumë pak demokratë sot që e dinë pse janë të tillë dhe ku duan të shkojnë. Partia është frymë dhe mbahet nga fryma, patia ngrihet dhe fiton përmes frymës. Partia bie dhe degradohet po përmes mungesës së frymës.

Demokratët arritën kulmin e vet kur ndërtuan frymë dhe e ndoqën atë deri në fund. Ata arritën pushtetin kur idetë i kishin të qarta, ndryshuan këtë vend kur ishin të bindur për veten dhe atë çka ata përfaqësonin. Partia Demokratike sot ka një kryetar të ri dhe një ekipt të ri. Për mua kjo është një gjë pozitive. Jam nga ata që mendoj se z. Berisha i dha përgjigje pyetjeve të kohës së tij, tani këto kohë duan njerëz dhe vullnete të reja për pyetjet e shumta që njerëzit kanë.

Lufta e Partisë Demokratike sot nuk duhet të jetë kapja me çdo kusht e pushtetit, por gjetja dhe rikthimi i frymës që ajo përfaqëson. Fokusi i krytarit z. Basha duhet të jetë rikthimi i frymës së djathtë konservatore në Shqipëri si alternativë e cila bazohet në vlerat dhe virtytet më të mira të këtij kombi. Zgjedhësit shqiptarë, duan të shohin alternativën më të mirë të pushtetit të sotëm,  jo fotokopjen e minimizuar të tij. /tesheshi.com/

 

Related posts